Ndryshimet në ligjin antimafia

Postuar në 28 Tetor, 2013 16:16

Pas dy vite diskutime me ndërkombëtarët dhe aktorët e drejtësisë në vend, Ministria e Drejtësisë i dorëzon Kuvendit projektligjin përfundimtar për të ndryshuar ligjin antimafia.

Risia e këtij propozimi është kalimi i veprës penale të korrupsionit në kompetencë për t’u hetuar e gjykuar si krim i rëndë dhe pjesë e krimit të organizuar nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda.

Në vijim të projektligjit kalojnë në total 21 vepra penale si pjesë e paketës së ligjit antimafia 2009, i njohur juridikishjt si “për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Pikërisht për këtë propozohen të bëhen pjesë e paketës antimafia veprat: kërkimi dhe dhënia shpërblim për proçedurat e birësimit; korrupsioni aktiv dhe pasiv në sektorin privat; korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike; korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë; ushtrimi i ndikimit të paligjshëm; shkelja e barazisë në tendera; korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Interesante janë edhe kalimet në paketën antimafia për veprat që lidhen me korrupsionin aktiv dhe pasiv të gjyqtarit, prokurorit, arbitrit vendas apo të huaj, të funksionarëve të lartë shtetërore dhe i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja.

Përfshirja e këtyre veprave synon jo vetëm të parandalojë veprimet korruptive nëpërmjet sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të pajustifikuara të personave nën hetim, por edhe ndaj pasurive të personave të afërm të zyrtarëve të dyshuar si bashkëshortja, fëmijët, të paralindurit e të paslindurit, deri tek vjehrri, vjehrra, thjeshtra, thjeshtri, njerka dhe njerku.

Ministria e Drejtësisë thotë në relacionin shoqërues se, në analizë të të dhënave statistikore rezulton se për veprat penale të korrupsionit rezulton që për 2011-2012 ka një numër të lartë proçedimesh penale dhe një numër të pakët të dënuarish.

Ministria e Drejtësisë mendon se kalimi i këtyre veprave nën kompetencë të Krimeve të Rënda nuk cënon aspak punën e njësive task forcë për ndjekjen e rasteve të krimit ekonomik, të cilave u mbeten nën kompetencë 48 vepra të tjera penale.

Në relacion thuhet se për deputetin, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarin e Gjykatës së Lartë apo gjyqtarin parashikohet detyrimi për prokurorin që organit përkatës t’i drejtojë kërkesën për autorizim në mënyrë që të vijojë me arrestimin, heqjen e lirisë, apo çfarëdolloj forme, ose të ushtrojë kontroll personi, kërkesë kjo që duhet të argumentohet me fakte dhe prova të mbështetura në ligj.

Por, duke ndryshuar nenin 288 për të përcaktuar ligjshmërinë në çdo fazë të procesit për personat me imunitet, ministria mendon që të ndryshohet edhe neni 289 i KPP, në të cilin shtrihen garancitë e paprekshmërisë personale jo vetëm tek arrestimet e ndalimet, por edhe tek masa të tjera siç është identifikimi apo përgjimi i komunikimeve.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.