Nëse pranoni kërkesat e mia, gjyqi mbyllet në 2 seanca

Postuar në 28 Shtator, 2013 12:49

-Dritan Dajti kërkon pavlefshmëri të akteve, çka do të rikthente nga zero procesin gjyqësor që po vazhdon prej 5 vjetësh në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Dje i pandehuri për vrasjen e policëve në Durrës, Dritan Dajti, ka kërkuar nga trupi gjykues pranimin e pavlefshmërisë së akteve dhe gjykimin e shkurtuar, e cila do të thotë ulje e një të tretës së masës së dënimit. Në një kërkesë prej 7 faqesh Dritan Dajti ka ilustruar dy pretendimet e tij me shembuj vendimesh nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut si dhe nga jurisprudenca italiane. Ndërsa këtë herë nuk kanë munguar batutat nga ana e prokurorit të çështjes, i cili ka shprehur habinë duke komplimentuar të pandehurin për njohuritë e gjera mbi legjislacionin italian. Por, kërkesat e Dajtit janë hedhur poshtë nga gjykata, e cila ka vlerësuar se nuk ka asnjë kriter ligjor parashikuar nga ligji për pranimin e gjykimit të shkurtuar dhe pavlefshmërisë së akteve. Pas këtij vendimi i pandehuri e ka akuzuar gjykatën se po vazhdon të mos bëjë drejtësi, duke mos i mundësuar një avokat kryesisht që ta mbrojë në këtë proces gjyqësor.

Kërkesa

“I nderuar kryetar i trupit gjykues, kam një kërkesë me shkrim për të lexuar, është prej shtatë faqesh. Objekti i saj është pavlefshmëri e akteve të gjykimit dhe gjykim i shkurtuar. Në lidhje me kërkesën e parë ndodhemi në kushtet kur nuk më është mundësuar një avokat dhe procesi gjyqësor po zgjatet prej shumë seancash. Pra, ky proces gjyqësor është zhvilluar në kushtet e shkeljes së të drejtave të të pandehurit dhe pavlefshmëria e akteve do të ishte e drejtë. Këtu mund të përmend edhe vendime të Gjykatës së Lartë për të ilustruar argumentet pse duhet të pranohet kjo kërkesë. Gjithashtu kërkoj nga trupi gjykues që të pranohet gjykimi i shkurtuar. Duke u pranuar kjo kërkesë i pandehuri heq dorë nga disa të drejta të tij, pasi gjykohet me fashikujt aktual të provave pa pasur nevojë për hetime të mëtejshme. Gjithashtu procesi gjyqësor zhvillohet brenda një periudhe më të shkurtër kohore dhe brenda afateve. Përsa kohë kjo heqje dorë e të pandehurit nga disa të drejta bëhet në favor të disa përfitimeve mendoj se është e drejtë. Për këtë kërkesë do të parashtroj edhe disa raste vendimesh nga gjykatat italiane, ku në favor të të pandehurve është lejuar dhënia e gjykimit të shkurtuar, duke thjeshtuar dhe mundësuar një proces gjyqësor të shpejtë dhe të drejtë. Gjithashtu jashtë kërkesës sime dua të shtoj se pretendimet e mia lidhen me thelbin e këtij gjykimi dhe jo me aktet procedurale dhe besoj se ju i nderuar trup gjykues do të jepni një vendim të drejtë. Nëse i pranoni kërkesat e mia, unë premtoj se ky proces gjyqësor do të mbyllet brenda 2 seancash gjyqësore”,  parashtroi Dritan Dajti.

Prokuroria

Përfaqësuesi i akuzës ka reaguar duke kërkuar nga gjykata që të mos pranojë pretendimet e të pandehurit. Ndërsa ka lavdëruar të pandehurin për njohuritë e tij edhe të legjislacionit italian, prokuroria Ardian Nezha i ka cilësuar pretendimet e të pandehurit si të pabazuara në ligj. “Kërkesa e pavlefshmërisë së akteve është e pabazuar në prova pasi nga dita e parë e gjykimit është zbatuar me korrektësi ligji nga ana juaj. I pandehuri është larguar nga salla e gjyqit dhe ka ardhur sërish duke kërkuar prova. Të pandehurit i janë vënë në dispozicion për çdo seancë gjyqësore nga dy avokatë kryesisht, si dhe nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore në mungesë të të pandehurit. Nga ana e trupit gjykues është bërë njoftimi i të pandehurit për orarin e seancës së radhës duke u zbatuar ligji. Në këto rrethana unë kërkoj rrëzimin e kërkesës së të pandehurit. Në lidhje me kërkesën e dytë më habit ilustrimi i legjislacionit dhe rasteve të paraqitura nga i pandehuri për këtë institucion. E përgëzoj të pandehurin për njohjen e ligjit italian, por i them se ky institucion nuk është privilegj që i atribuohet të pandehurit, por është për parimin e ekonomisë gjyqësore. Janë në total 400 seanca të shtyra për faj të të pandehurit dhe nuk ka pretendime për ekonomi gjyqësore. Gjithashtu kjo është një kërkesë e përsëritur, për të cilën është shprehur një herë gjykata. Kërkoj rrëzimin e tyre”, ka përfunduar fjalën e tij përfaqësuesi i akuzës Ardian Nezha.

Pas një pauze prej rreth gjysmë ore trupi gjykues me relator Idriz Mulkurtin është rikthyer në sallën e gjyqit për t’i dhënë miratimin ose mohimin kërkesave të të pandehurit. Nga ana e togave të zeza është vendosur rrëzimi i të dy pretendimeve. “Janë caktuar gjithmonë avokatë kryesisht për të pandehurin dhe të gjitha vendimet e ndërmjetme janë në vëzhgim të Gjykatës së Lartë. Mospranim të kërkesës për gjykim të shkurtuar, pasi është bërë edhe një herë tjetër dhe është rrëzuar. Gjithashtu gjykimi i shkurtuar kategorizohet në kërkesat që bëhen në fazën paraprake të procesit gjyqësor”, është shprehur Idriz Mulkurti. Ndërsa i pandehuri ka kërkuar të largohet nga salla e gjyqit në kushtet kur gjykata nuk i mundëson një mbrojtës. “Kërkoj të largohem nga salla e gjyqit kur ju si gjykatë nuk më mundësoni një avokat duke më mohuar të drejtën e mbrojtjes. Ju falënderoj për vëmendjen”, fjalët e Dajtit. Ndërkohë që as në seancën e  djeshme gjyqësore nuk ishin paraqitur dy mbrojtësit kryesisht të zgjedhur nga gjykata. Procesi gjyqësor është ndërprerë dhe seanca e radhës është caktuar me datë 30 shtator.

    SHEKULLI

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.