Në nëntor festivali mbarëkombëtar i dramës shqipe në TK

Në fillim të muajit nëntor, trupat shqipfolëse mblidhen në skenën e Teatrit Kombëtar. Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, TK zhvillon Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe. Tashmë në TK kanë nisur përgatitjet për premierën "Ëndrra e Ismail Qemalit", që do të çelë festivalin.
Burime nga Teatri Kombëtar bëjnë të ditur se në këtë festival do të konkurojnë rreth 18 trupa teatrore shqipfolëse. Në këtë aktivitet do të përfshihen jo vetëm teatrot profesionistë të Shqipërisë dhe Kosovës, por dhe teatrot kombëtarë shqipfolës të rajonit si ata të Shkupit, Tetovës, Podgoricës.
Teatri Kombëtar do të prezantohet në festival me premierën "Ëndrra e Ismail Qemalit", me protagonistë aktorin Fatos Sela si dhe aktorët Roland Trebicka, Bujar Asqeriu, Naun Shundi, Dritan Boriçi, Anila Bisha, Mërkur Bozgo, Sokol Angjeli, Alfred Bualoti, Fadil Kujofsa, Amos Zaharia. Platforma e regjisorit Spiro Duni synon që ky dramatizim të shkojë drejt një teatri poetik. Vepra dominohet nga figura e Ismail Qemalit e trajtuar në tërë dimensionin e tij.
Që në fillim të këtij viti, TK e ka shpallur Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipë si një nga prioritetet e këtij viti jubilar.
Ballkanweb.com
Add new comment