MUSTAFA: LDK-JA DO TË QEVERISË MË SË MIRI

Postuar në 03 Shkurt, 2013 14:16

 

Lidhja Demokratike e Kosovës në Kaçanik, sot ka shënuar 23 vjetorin e themelimit të kësaj partie në këtë komunë. Përfaqësues të LDK-së para simpatizantëve të shumtë të kësaj partie thanë se LDK-ja do ta marrë pushtetin dhe do të qeverisë në dobi të qytetarëve dhe në të mirë të vendit. Po këtë ditë, në këtë parti u anëtarësuan me libreza anëtarësie rreth 400 të rinj kaçanikas.

Të pranishmëve iu drejtua kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë abuzim të votës si më parë dhe fitorja do të jetë e LDK-së.

“Fitorja juaj dhe fitorja jonë janë zgjedhjet e drejta, parimore, zgjedhjet në të cilat nuk do të ketë abuzim të votës, zgjedhje në të cilat qytetari do të vendos se kush do ta qeverisë Kaçanikun dhe kush do ta qeverisë Kosovën, dhe unë jam shumë i bindur se nëse arrijmë atë dhe marrim këtë fitore, atëherë LDK-ja do të jetë ajo që do të fitojë, sepse LDK-ja ka votën e qytetarit, sepse LDK-ja ka qeverisë më së miri dhe do të qeverisë më së miri dhe se LDK-ja do ta merr përgjegjësinë para qytetarëve që të qeverisë ashtu siç kërkojnë qytetarët, të qeverisë në të mirë të tyre, qeverisë në dobi të tyre, qeverisë në dobi të Kosovës dhe integrimeve të Kosovës në Bashkimin Evropian”, theksoi Mustafa.

Ai shtoi se LDK-ja po reformohet në një parti të profilizuar me program të qartë politik të qendrës së djathtë e cila është pranuar edhe në familjen popullore evropiane duke marrë përkrahjen e tyre.

Ndërsa kryetar i degës së Lidhjes Demokratike në Kaçanik, Selim Reka duke folur për historikun e kësaj partie që nga themelimi e deri më sot, tha se LDK-ja me moton e presidentit, Ibrahim Rugova për liri, pavarësi dhe demokraci, është shndërruar masivisht në parti popullore.

“Me 7 shtator 1990 veprimtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës u kujdesën për akomodimin, sigurimin, shpërndarjen e delegatëve të Kuvendit të Kosovës para, gjatë dhe pas miratimit të Kushtetutës së Kosovës e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut. LDK-ja organizoi edhe zgjedhje parlamentare presidenciale si dhe mbajti referendumin për Republikën e Kosovës. LDK-ja në Kaçanik asnjëherë nuk ishte e para por shumë afër të parës në zgjedhjet e para dhe menjëherë në zgjedhjet e dyta ku kishte shënuar një ngritje”, tha Reka.

Ai shtoi se LDK-ja është parti e vlerave, parti e cila më së miri diti të artikulonte vullnetin e popullit për liri demokraci dhe pavarësi.

Në shënimin e 23 vjetorit të themelimit të LDK-së, në këtë parti u anëtarësuan rreth 400 të rinj.

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.