Murizi: Më hoqën për "ristrukturim" vetëm se isha një ish-i persekutuar.

Postuar në 27 Maj, 2014 11:38

Biznesmeni dhe avokati lushnjar Artan Murrizi ka deklaruar sot para medias, se shkarkimi i tij nga puna në Ministrinë e Drejtësisë me motivin “Ristrukturim” dhe kalimin në listën e pritjes,  ka vetëm një arsye, atë politike. Shkarkimi tregon se pushteti po zhvillon një luftë klasash, tha ai, pasi ka urrejtje ndaj shtresës së të ish-persekutuarve.
 
Në rrëfimin e tij për mediat, ulur në lulishten ku zhvillohet greva e urisë, Murizi bëri pyetjen:
 
“Cilët ishin kriteret që më nxorën mua në listën e pritjes? Kriteret e gjinisë?! Kriteret e racës?! Kriteret e ngjyrës?! Apo kriteret e orientimeve të ndryshme, që janë bërëtë modës dhe përmenden nga disa edhe për krenari?!
Ja që është kriteri politik, se kjo qeveri ka urrejtje për klasën dhe vazhdon ende luftën e klasave dhe të gjitha këto shkresa e konfirmojnë atë,”- nënvizoi ai, duke treguar para kamerave, shkresat që ilustronin fjalën e tij.
 
Kemi dëgjuar gjithë këto ditë për grevën tonë që ka karakter politik. Atëhërë po ju them se nëse doni, edhe mund ta quani kështu, edhe mund ta quani. Pse? Sepse kriteret për të dalë në listë pritjeje janë të bazuara në ligj dhe unë nuk e di cilat ishin motivet e largimit tim dhe të kolegëve të mi në këtë ministri, që ishin rreth 40 e mbase shtohen me këtë vrull që ka marrë Qeveria,”- përfundoi ai.
 
MURIZI  BËN KRONOLOGJINË E JETËS SI I PERSEKUTUAR POLITIK
 
Murizi e ndjeu të nevojshme që të tregonte publikisht, vijën e tij të jetës, të bënte një “retro”, siç e quajti ai, duke nisur nga dënimi i xhaxhallarëve të tij si të burgosur politikë.  
 
“Persekutimi ynë,”-tha ai, - “vazhdoi me konfiskimin e pasurisë dhe më pas me burgosjen e disa të tjerëve, ndërmjet tyre edhe të babait tim, Demir Murrizit.
 
Unë kam mbaruar shkollën tetëvjeçare në Shenepremte dhe në pamundësi për të mos u shkolluar më tej, sepse ma ndaluan këtë drejtë, kam studiuar në shkollën e mesme të Çermes, ku studionin kryesisht fëmijët e të burgosurve politikë.
 
Kam jetuar në kushtet e pasjes së një babai të burgosur politik, ku dallimet dhe veçimet kanë qënë të zakonshme.
 
Kam mbaruar arsimin e mesëm në 1988 dhe më pas kam bërë formalisht një kërkesë për në shkollën e lartë, pasi kisha rezultatet të larta. Në fakt familja ma kishte bërë të qartë se nuk mund të studioja dot në atë regjim, kështu që më marrin ushtar në Shkodër për rreth 22 muaj.
 
Me fillimin e procesve demokratike, si të gjithë shqiptarët që u rreshtuan, edhe shtresa jonë ka qënë ndër të parët, jo në kuptimin e organizimit - sepse mbi ne kishte më shumë survejim – por në kuptimin e angazhimit për krijimin e partisë së parë opozitare, PD-së.
 
Gjithashtu, në këto moment kam pasur mundësi që të filloj edhe shkollën e lartë. Jam regjistruar në Fakultetin e Matematikë – Fizikës, sepse ende shkollat ishin të ndaluara, nuk mund të shkoja atje ku doja.
 
Proceset demokratike ecën shpejt dhe brenda pak muajve arrita të regjistrohesha dhe studiova për juridik deri në 1995, kur e përfundova shkollën.
 
Në 1995 u emërova në Gjykatën e rrethit Peqin dhe Elbasan, deri në vitin 2001, kur përsëri, si në kushtet e sotme, me një vendim të KLD-së, pasi nuk ka akt të shkarkimit tim, që të gjithë ndihmësgjyqtarët dalin në lirim.
 
Në vitin 2001 jam çertifikuar me dëshminë e avokatit dhe e kam ushtruar këtë profesion; sot, të gjithë që më njohin, më thërrasin “avokat”, sepse e kam fituar me shumë punë dhe përpjekje.
 
Në vitin 2009 kam nisur punë në Ministrinë e Drejtësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit dhe më pas kam kaluar në një drejtori tjetër po aty, inspektor.
 
Kam punuar aty deri në vitin 2013, dhjetor 2013, ku me vendimin që më po jua paraqes, kam kaluar në listë pritjeje. Është vendim i Ministrit të Drejtësisë që më kalon në listë pritjeje.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.