Mungojnë 84 vota: Negociatat Rama-Meta, shtyhet ligji i Nëpunësit

Maxhoranca shtyn votimin e aktit normativ në Kuvend, dy ministra në SHBA. Rama: Përshëndes qasjen e kreut të Kuvend.
Kuvendi ka shtyrë dje miratimin e aktit normativ të qeverisë, i cili shfuqizoi me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit “Për nëpunësin civil”. Edhe pse u miratua në Komisionin e Ligjeve ditën martë, akti normativ nuk u përfshi në axhendën e punimeve të seancës së djeshme. Maxhoranca e majtë, e përbërë nga PS dhe LSI, nuk formoi dot shumicën e cilësuar prej 84 votash në Kuvend, ndërsa Partia Demokratike dhe aleatet bojkotuan seancën. Edhe votimet e projektligjeve arritën shifrën maksimale deri në 77 vota. Gjatë votimit ra në sy fakti se Lëvizja Socialiste për Integrim i kishte dje të gjithë deputetët në sallë gjatë votimit, 18 mandate, madje dhe prurjen e re, ish-republikanin Luan Duzha, i cili i siguron të majtës “numrin e artë” të 84 votave. Por, gjatë seancës ra në sy se nga radhët e socialistëve ishin shtatë deputetë që nuk u paraqitën në votim. Dy prej tyre ishin Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, të cilët ishin në sallë, por gjatë votimit u larguan, duke mos marrë pjesë në votimin e projektligjeve. Nga pesë deputetët e tjerë që nuk mundësuan shumicën e cilësuar, tre prej tyre ishin ministra dhe dy deputetë. Gjatë seancës së djeshme mungoi ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj. Po ashtu, gjatë votimit nuk ishin të pranishëm në sallë deputetët socialistë, Dashamir Peza dhe Koço Kokëdhima. Burimet nga Grupi i PS bëjnë me dije se ministri i Financave Cani dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Ahmetaj ndodhen në SHBA për takimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Dy mungesa që detyruan maxhorancën të shtyjë për të enjten tjetër miratimin e aktit normativ që mund të miratohet vetëm me shumicë të cilësuar.
Prapaskenat
Pas një ore diskutimesh për ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, Kryeministri Rama është parë të dalë dy herë nga salla e Parlamentit. Herën e dytë është vënë re se edhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta është larguar pas Ramës, duke ia lënë drejtimin e seancës për herë të parë nënkryetarit Vangjel Dule. Rama dhe Meta kanë qëndruar për rreth 20 minuta jashtë ambienteve të seancës në zyrën e kreut të Kuvendit dhe më pas Kryeministri erdhi i vetëm në sallën e Kuvendit dhe i kërkoi Vangjel Dules, që drejtonte seancën, të mbante një fjalim në foltoren e Kuvendit. Rama gjatë fjalës së tij ka përshëndetur vendimin e kryetarit Ilir Meta për t’i dhënë më shumë kohë opozitës për të gjetur konsensus. “Në radhë të parë, më lejoni që ta përshëndes në emër të qeverisë qasjen e kryetarit të Kuvendit në raport me procesin për të shkuar drejt miratimit të aktit normativ, duke bërë edhe një shtyrje tjetër nga axhenda, për të vazhduar në kërkim të konsensusit të opozitës dhe në përpjekjen tonë për të ndihmuar edhe opozitën që të gjejë rrugën e arsyes lidhur me domosdoshmërinë e një vendimmarrjeje të këtij Kuvendi për të mos lejuar vakumin që do të shkaktonte pozicioni i prerë që opozita e kërkon qorrazi”, u shpreh Rama.
Batuta
Parlamenti miratoi dje dy projektligjet e mbartura nga qeverisja e kaluar e së djathtës. Me 74 vota pro, Kuvendi miratoi projektligjin “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, ndërsa me 75 vota, projektligjin “Për sigurinë në tunelet rrugore”. Për ligjin e sigurisë në tunele, deputeti Xhemal Qefalia tha se nisma është e qeverisë Berisha dhe se opozita për këtë nismë ka dhënë konsensus. Kjo deklaratë është shoqëruar me batutën e kryeparlamentarit Ilir Meta, i cili tha: “Edhe unë kam bindje të plotë që opozita për tunelet jep konsensusin, pa asnjë diskutim”.
Votimi në Kuvend
Projektligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”,
Pro: 76; Kundër 0
Projektligji “Për masat kundër financimit të terrorizmit”
Pro: 73+1 (Ilirian Pendavinji voton me karton)
Projektligji “Për sigurinë në tunelet rrugore”
Pro: 72+3 (Ilir Pendavinji, Mark Frroku, Paulin Sterkaj votojnë me karton)
Votimi i fshehtë për kandidatin Petrit Ahmeti, kryetari i Bordit të ERE-s
Pro: 74; Kundër: 1; Abstenim: 1
Votimi i fshehtë për kandidatin Agim Nashi, kryetari i Bordit të ERE-s
Pro: 6; Kundër: 38; Abstenim: 24
Votimi i fshehtë, emërimi i Sokol Çomos anëtar i KLD-së
Pro: 76; Kundër: 1
Munguan gjatë votimit
Edi Rama
Saimir Tahiri
Erion Veliaj
Arben Ahmetaj
Shkëlqim Cani
Dashamir Peza
Koço Kokëdhima
Marrëveshja me “Deleoitte”
Parlamenti do të nisë ditën e hënë shqyrtimin e marrëveshjes me kompaninë audituese “Deloitte”, e cila do të kryejë shërbimin e verifikimit të borxhit të ministrive kundrejt biznesit të huaj dhe vendës. Kuvendi miratoi dje me 77 vota pro që nisma në fjalë të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar në komisionet kuvendore dhe të votohet në seancën e ardhshme.
Panorama
Add new comment