Moody's ul vlerësimin për 28 banka spanjolle

Sëpata e Moody's godet sërish bankat spanjolle. Boniteti i 28 institucioneve është reduktuar me 1 deri në 4 pikë sipas agjencisë së vlerësimit. Më herët, më mes të muajit maj Moody's kishte ndërmarrë të njëjtin hap për 16 institucione iberike. Ministri spanjoll për buxhetin, Cristobal Montoro theksoi se problemi nuk është thjesht spanjoll e nënvizoi domosdoshmërinë për reforma gjithëpërfshirëse:
"Ristrukturimi i bankave është një përparësi kryesore për qeverinë dhe qytetarët. Duhet të marrim kredi bankare për rritjen ekonomike dhe për të krijuar vende pune. Prandaj ne duhet të përdorim çdo mjet që posedojmë në nivel evropian për të lehtësuar ristrukturimin e sektorit, aq jetik për ekonominë spanjolle, sektorin bankar",-tha ai. Lajmi i uljes së bonitetit të bankave i njoftuar zyrtarisht në mbrëmje, ka kontribuar në rënien e tregjeve, të cilat pritën sigurisht me vlerësime negative komentet e përforcuara të kancelares gjermane Angela Merkel kundër eurobondit. Për shkak se bankat kanë disa lidhje me borxhin sovran, Moody's tha në deklaratën zyrtare, se aftësitë huamarrëse të reduktuara të Spanjës "nënkuptojnë një profil krediti më të dobët për bankat spanjolle".
"Bankat mbeten nën shqyrtim për një reduktim të mëtejshëm",-bën të ditur agjencia që gjithashtu i paralajmëron institucionet fiananciare iberike se përballen me rritjen e humbjeve si pasojë e kredive komerciale për pasuritë e patundshme dhe se vetë zhvlerësimi nga ana e Madridit ka çuar në uljen e besueshmërisë. Vetëm një ditë më parë Spanja kërkoi zyrtarisht fonde emergjence nga eurozona për të ristrukturuar sektorin bankar. Eurozona ka premtuar deri në 100 miliardë euro për bankat spanjolle.
Albanian Screen
Add new comment