Mishi, sallamet, pulat, qoftet, ja cilat kontrollohen dhe cilat jo

Kryetari i eksportuesve: Qoftet, prodhim bodrumesh
Shpresa Mezini
“Ne jemi çfarë hamë”! Është ajo që lexojmë te pothuajse të gjitha enciklopeditë e kuzhinës, librat apo edhe te recetat më të thjeshta të gatimit. Por çfarë hamë ne? Kjo është pyetja që na mundon të gjithëve. Nëse ushqimet që ne konsumojnë janë ose jo të kontrolluara? Nëse duhet të kemi frikë kur i drejtohemi një shitësi ose jo? Dilema të tjera lidhen edhe me shijet që çuditërisht jo rrallëherë ngatërrohen me njëra-tjetrën. Për shembull mund të ndodhë që mishi i pulës të vijë aromë peshku, por askush prej nesh nuk di se për ç’arsye ndodh kjo? Ka nga ata që nuk dinë se nga importohet mishi apo si prodhohen mishrat, sallamet apo pulat në vend, nëse duhet të kemi ose jo kujdes t’i drejtohemi prodhuesit shqiptar apo se cilat janë subjektet ushqimore që kontrollohen rregullisht për të qenë më të sigurt për atë që konsumojmë. Por ka një përgjigje për të gjithë ata që mes dilemash të mëdha zgjedhin mishin e viçit, të pulës apo qoftet.
Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, shpjegon për gazetën “Shqip”, se një nga problemet kryesore në vend është mungesa e kontrollit nga ana e institucioneve kompetente për sa i takon prodhimit të mishit apo nënprodukteve të tjera në vend, duke nisur nga ushqimi që ato hanë, te therja në kushte rruge mes bakteresh, ruajtja dhe tregtimi në mospërputhje me temperaturat frigoriferike apo edhe qëndrimi i gjatë i tyre, përtej afatit të lejuar.
“Konsumimi i mishit të prodhuar në vend është realisht i rrezikshëm, sepse prodhimi vendas është totalisht jashtë kontrollit të autoriteteve. Ushqimi që përdoret për të ushqyer kafshët nuk kontrollohet, kështu që rritja e tyre zhvillohet në kushte problematike, të cilat duke u therur dhe shitur për qytetarët kthehen në problem edhe për vetë shëndetin e atij që e konsumon. Mënyra e therjes, e transportit dhe tregtimit të mishit të freskët është drama më e madhe në vend. Autoritetet publike janë jashtëzakonisht larg respektimit dhe aplikimit të standardeve të sigurisë ushqimore. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, institucioni që ka kompetencën ekskluzive për monitorimin e subjekteve ushqimore ngre pretendimin se kontrollon vetëm subjektet e licencuara. Po kush i kontrollon aktivitetet e palicencuara? Mos u dashka ngritur një institucion i posaçëm për këtë? Kjo është realisht e tmerrshme! Ne shpeshherë blejmë mish të therur në kushte të tmerrshme, në rrugë, nuk ruhet zinxhiri i temperaturave, nuk tregtohet në kushte të përshtatshme, me temperaturë konstante, në mjedise që higjienizohen dhe dezinfektohen rregullisht pa insekte etj. Një tjetër problem shqetësues sipas meje është edhe përpunimi, jo te lënda e parë që vjen e mirë për të gjitha fabrikat e mishit në vend, por te përpunimi që i bëhet atij për prodhimin e nënprodukteve si sallamet apo qoftet”, sqaron Zusi.
Me siguri askush prej nesh nuk e di që salsiçet e ashtuquajtura të freskëta apo qoftet prodhohen në kundërshtim të plotë me ligjin për sigurinë ushqimore, duke mos respektuar asnjë prej kushteve higjieno-sanitare, kriter themelor që garanton cilësinë e produkteve ushqimore.
Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve në vend tregon rrezikun që vjen nga këto lloj salsiçesh apo nga qoftet të cilat konsumohen në masë nga të gjithë ne, pavarësisht faktit sesa të rrezikshme janë për shëndetin tonë.
“Aktualisht në rang vendi operojnë shumë sallameri e prodhime bodrumesh, siç i quajmë ne vendet ku prodhohen qoftet që kërcënojnë seriozisht shëndetin tonë. Për shembull nëse ne kemi 15 sallameri të shkëlqyera që respektojnë standardet, kushtet e kërkuara, të cilat ekzistojnë në fakt përtej dyshimeve, të përqendruara kryesisht në Tiranë, Shkodër, Korçë, Fier, 10 të mira gjithsej, ndërsa 15-20 apo edhe më shumë sallameri të tjera operojnë tërësisht përtej standardit. Prodhuesit e salsiçeve të freskëta janë përsëri ilegalë dhe shpeshherë prodhohen në ato të ashtuquajturat thertore, janë 10-15 veta, që kryejnë importin e kafshëve të gjalla nga jashtë dhe pjesët që këtyre nuk u tregtohen, ose vështirësisht të tregtueshme, këto i përpunojnë dhe bëjnë disa lloje sallamesh në kushte shumë primitive tërësisht në kundërshtim me standardin, të pakontrolluara”, thotë Zusi.
Ai ngre alarmin se rreziku më i madh i shëndetit të konsumatorëve, që janë të painformuar jo për fajin e tyre, por të institucioneve që nuk i orientojnë ato, janë dozat e larta të konservantëve që prodhuesit amatorë përdorin te sallamet apo qoftet për të mos skaduar, duke e shtyrë artificialisht afatin e skadencës së tyre.
“Këtu qëndron një rrezik edhe më i madh, pasi ‘prodhuesit’ për të ruajtur produktet e tyre që kanë probleme bakteorologjike, shtojnë dozën e konservantëve. Mirëpo, duke rritur dozën e konservantëve vërtet produkti ruhet, sepse konservanti përdoret si helm për të vrarë bakteret, por ky helm siç përdoret për të vrarë bakteret e sallamit që të mos prishet vret edhe florën bakteriale brenda organizmit të njeriut. Këta persona duke qenë amatorë, pa pikën e kontrollit, duke mos ditur, ato dinë vetëm që ky kimikat shërben për t’i dhënë jetëgjatësi produktit dhe shtojnë dozën në mënyrë të pakontrolluar. Ne i quajmë prodhime bodrumesh vendet ku prodhohen qoftet apo salsiçet e freskëta, që në fakt konsumohen pasivisht. Këtu unë shoh një rrezik të jashtëzakonshëm të madh sepse në shumicën e rasteve këto nuk janë as të deklaruara. Madje, me siguri ju bëj me dije se prodhuesit e qofteve në vend janë pothuajse të gjithë ilegalë, megjithëse bëhet fjalë për një konsum prej dhjetëra tonësh në ditë”, thekson kreu i Shoqatës së Eksportuesve.
Sipas tij, konsumatorët duhet të çlirohen nga ideja se mishrat e importuar janë të rrezikshëm, mentalitet tërësisht i gabuar, pasi sado që vijnë të ngrirë qoftë për konsumin industrial qoftë për ato që vijnë për kafshët e gjalla, cilësia është e garantuar. Zusi thotë se vendet nga ku nisen këto produkte ushtrojnë kontrolle të rrepta në përputhje me ligjin për sigurinë ushqimore, elementë që përcakton në certifikatat e produkteve, që garantojnë cilësi për shëndetin e konsumatorëve. E kundërta ndodh me prodhimet vendase. Ky është momenti kur ne të gjithë duhet të frikësohemi. Kasapi i lagjes, i cili për arsye përfitimi fshihet në cepin e një pallati apo rrugice, duke e ushtruar aktivitetin në mënyrë ilegale, është kërcënim i rrezikshëm për jetën e qytetarëve. Kjo jo për shkak se biznesi i tij nuk i është i regjistruar, por sepse tek ai nuk shkojnë kurrë inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucioni që monitoron kushtet higjieno-sanitare të çdo subjekti ushqimor me qëllim garantimin e cilësisë.
“Produktet për industrinë kryesisht vijnë nga jashtë, të gjitha mishrat që vijnë për industrinë, ai i viçit, i derrit. 45% vjen nga Europa, 55% nga jashtë Europe, siç janë përgjithësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 25% dhe Brazili ose Argjentina me rreth 30%. Mishi që vjen nga këto vende është mish shumë i mirë, nuk duhet vënë në diskutim, në raste të rralla vihet në diskutim cilësia e këtyre produkteve, qofshin të atyre që vijnë nga Europa, Amerika apo nga Brazili, pasi Brazili sot për sot është nga prodhuesit më të mëdhenj të botës, madje më i madhi është shumë cilësor dhe duke qenë se ekonomia braziliane varet shumë nga prodhimi i mishit. Brazili furnizon sot për sot edhe vetë Amerikën, Japoninë, Zvicrën, Rusinë. Është mish i sigurt mishi që vjen për industri. Ndërkohë, mishi i freskët që ne konsumojmë vjen kryesisht nëpërmjet formës së kafshëve së gjalla që importohen nga Bullgaria, Maqedonia, Serbia, viçat kryesisht, ndërsa derrat importohen nga Kroacia, Greqia, Hungaria dhe këto përbëjnë rreth 90% të tregut të mishit të freskët”, sqaron për gazetën “Shqip”, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve në vend.
Propozimi
Ne kemi propozuar madje edhe marrjen e modelit maqedonas, i cili në harkun e 4-5 viteve ka 4-fishuar prodhimin e mishit brenda vendit. Kemi propozuar edhe disa elemente të tjera fiskale, administrative që janë pengesë. Kështu, nëse ne do të nxisim prodhimin vendas, do të kishim shkurtim të importeve në vlerën 50 milionë euro, praktikisht kjo është shuma që ne harxhojmë për prodhimin e kafshëve të gjalla me vendet e rajonit, sepse mishi prodhohet në Kroaci, Maqedoni pse nuk duhet prodhuar në Shqipëri.
Deklarata
Ne pothuajse importojmë gjithçka, nuk prodhojmë asgjë. Për këtë më vjen keq, mendoj që të paktën mishin e freskët ne mund ta prodhojmë me pak mbështetje dhe politika nxitëse, ndërsa mishin për industri nuk besoj që ne kemi kapacitet për ta prodhuar
Zusi
Unë personalisht u besoj më shumë kontrolleve që bëhen nga vendet nga ku nisen sesa kontrolleve që bëhen nga ne
Mishi i freskët në kushte të ftohta mund të qëndrojë 0-2 gradë Celsius, për rreth 7 ditë maksimumi
E njëjta logjikë vlen edhe për mishin e pulës, vetëm se në këtë rast afati është më i shkurtër, maksimumi deri në 3 muaj.
Sallami mund të qëndrojë në frigorifer 30 ditë e shumta, në temperaturë 10-15 gradë Celsius
Ne importojmë jo vetëm pula të plota, por edhe pjesë mekanike, kofsha, krahë, fileto. Importojmë rreth 4 mijë tonë në muaj
Ne jemi popull mishngrënës, rreth 95% të varur vetëm nga importi për sa i përket mishit
Drejtori i politikave në Ministrinë e Bujqësisë, Moka: Ligji shqiptar si i BE-së
AKU nuk pranon të përgjigjet për gazetën “Shqip”
Pavarësisht akuzave lidhur me problemet që vërehen në tregun e prodhimit vendas të mishit apo të nënprodukteve të tij, mbi mënyrën e therjes, tregtimit apo të kushteve ku ruhet mishi, sallamet apo qoftet, që janë kthyer shpesh në burime helmimesh, por edhe sëmundjesh, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk denjon të flasë për gazetën “Shqip”. I kontaktuar posaçërisht për këtë çështje për të mësuar mbi kontrollet që ushtron ky institucion dhe problematikat e evidentuara pas monitorimeve, ai zgjedhë të hesht, sikur të mos jenë organi kompetent që duhet të ngrejë zërin për probleme të tilla. Specialistët e AKU-së e kanë përgatitur prej disa ditësh materialin lidhur me pyetjet drejtuar këtij të fundit mbi kontrollet që ushtrojnë në pikat doganore ku kalojnë sasitë e produkteve që vijnë nga jashtë, mbi verifikimet që i bëjnë certifikatës së mallrave, inspektimeve që ushtrojnë në fabrikat e mishit, në dyqane apo në pulari.
Por është drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimeve ai që nuk ka lejuar që informacioni i përgatitur nga specialistët e këtij institucioni t’i disponohet gazetës “Shqip”, me pretendimin se nuk ka kohë t’i hedhë një sy materialit, justifikim i njëjtë për 2 ditë me radhë.
Në pamundësi për të marrë përgjigje nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ndonëse ky i fundit duhet të ishte “gati tu” për të sqaruar çështjen e sigurisë ushqimore, duke qenë i detyruar me ligj, reagon drejtori i përgjithshëm i politikave të sigurisë ushqimore në Ministrinë e Bujqësisë, Gani Moka. I indinjuar për faktin që drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nuk ka pranuar të flasë për gazetën “Shqip”, Moka shpjegon procedurat ligjore që ndjek ky institucion lidhur me çështjen e sigurisë ushqimore, praktikisht detyrën që i përcakton ligji, pasi sipas tij AKU ka të dhënat e plota të inspektimeve që bën në terren.
“Ministria e Bujqësisë harton rregulloren, procedurat, legjislacionin në përputhje me normat ndërkombëtare të sigurisë ushqimore. Praktikisht ne kemi ligj për sigurinë e ushqimit, legjislacion totalisht të qepur siç e ka legjislacioni europian.
Një nga industritë që kemi në qendër të vëmendjes është industria e sallamit, e cila punon totalisht me lëndë të parë importi, që vijnë nga komuniteti europian, Amerika, Brazili dhe Argjentina, që do të thotë janë double chek, kontrollohen nga të dyja palët të gjitha elementet që parashikohen në certifikatën veterinare. Kjo është njëra anë, tjetra është që sallameritë kalojnë procesin e pjekjes, ne kemi produkte koto jo krudo, që piqen në temperaturë mbi 72 gradë Celsius, kështu që edhe nëse shpëton ndonjë defekt gjatë kontrollit, furra djeg gjithçka. Defektet janë në mirëmbajtje, kryesisht në ato të dorës së dytë, dyqane, supermarkete. Këtu ndërhyn Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Elementet e etiketës janë të gjitha ato që kërkon kodi ndërkombëtar i sigurisë ushqimore, totalisht të përshkruara.
Detyra e parë e AKU-së është t’i garantojë cilësi konsumatorit shqiptar. Të kontrollojë, monitorojë të gjitha bizneset. Ka detyrë kryesore të ndërhyjë edhe te subjektet e palicencuara, jo vetëm te të licencuarat, siç ju thoni se ka deklaruar”, shpjegon drejtori i politikave të sigurisë ushqimore në Ministrinë e Bujqësisë. I pyetur lidhur me ngatërrimin e shijeve që shpesh dallohet te mishi, sallamet, por sidomos te pulat ai përgjigjet: “Për këtë mund të të ishte përgjigjur me mirë AKU, e cila ushtron kontrolle në pulari, duke nisur nga ushqimi që u japin pulave, megjithatë di t’ju them që ka edhe manipulatorë, për shembull te pulat e importit mund të përdorin miell peshku ose edhe tek ushqimi. Shërbimi veterinar ka një urdhër të posaçëm që të ndalojë shitjen e këtyre substancave, ndërsa gjithçka tjetër është kontrabandë”, thekson Moka.
Shefi i kuzhinës: Mishi i vendit dallohet që në ngjyrë
Kuzhinierët shqiptarë zgjedhin mishin e huaj
Ushqimi është një nga pikat më të dobëta të njeriut, por sidomos për ata të cilët gjithçka lidhet me të e kanë pasion, dashuri, zanat. E kush mund të jetë tjetër përveç kuzhinierëve, të cilët janë edhe më shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e produkteve ushqimore që u servirin klientëve. Disa prej tyre zgjedhin që mishin, sallamet apo pulat t’i blejnë të prodhimit vendas, duke qenë se prej vitesh janë blerës të kasapëve të besueshëm që nuk i kanë zhgënjyer dhe që për më tepër janë në dijeni të kërkesave të tyre qoftë për llojin, qoftë për parametrat e mishit. Shumë të tjerë, të frikësuar nga mishi që prodhohet në vend preferojnë ta porosisin mishin përtej kufijve të Shqipërisë.
“Përgjithësisht preferoj mishin e importit, atë që vjen nga Brazili për shembull ose nga Amerika. Megjithatë ka ndodhur që të marr edhe mish të prodhimit kroat apo serb. Arsyeja pse zgjedh tregun e huaj është një e vetme. Për fat të keq nuk besoj në pothuajse asnjë produkt që prodhohet në vend. Ndoshta është kthyer edhe në psikozë e gjithë kjo, por realisht kur shoh kasapë ta therin gjënë e gjallë në trotuar, kur shoh tregtarë ta shesin në mes të rrugës apo edhe dyqane që nga larg duken të pastra, por që kur afrohesh dhe e sheh me syrin e një njeriu që ushqimin e ka specialitet, tmerrohesh. Unë nuk jam veteriner, por di ta dalloj mishin në ngjyrë, në aromë, për këtë arsye edhe di ta zgjedh. Ne kuzhinierët duhet të jemi shumë më të kujdesshëm, sepse ajo që mund të shkaktojë një mish i keq do ishte fatale për jetën e një njeriu apo edhe më shumë, duke qenë se unë gatuaj për shumë njerëz njëkohësisht për çdo ditë. Pulat apo pjesët e saj mekanike, si filetot, krahët e pulës, të brendshmet i blej në një supermarket italian, prapë për shkak të frikës që kam për t’iu drejtuar tregut shqiptar”, shpjegon Anton Preçaj, shef kuzhine në një restorant në kryeqytet.
Mirëpo ka kuzhinierë, që preferojnë prodhimin e mishit në vend, ndonëse sallamet zgjedhin t’i blejnë të jashtme. “Unë personalisht blej te njerëz të besueshëm, që e di se ku e marrin mishin, megjithatë varet edhe nga lloji i restorantit dhe klientela që e frekuenton. Mishin e porosis brenda vendit. Qengjin, po ashtu, kryesisht kofshën e tij, e blej te një kasap që e njoh mirë dhe e kam të besueshëm. Ai e di sesi e dua unë mishin, të gjitha parametrat, e porosis 2 ditë përpara dhe më vjen i maturuar dhe i staxhionuar. Proshutat i blej të firmave të huaja për shkak se janë më të sigurta se tonat.
Të dhënat
Viti 2013, gjithsej 11 helmime kolektive
Ndonëse në vitin 2012 regjistroheshin 4 helmime kolektive, sivjet numërohen rreth 11,7 më shumë, pa përmendur rastet e tjera që mund të jenë gjithashtu të konsiderueshme. Kështu, këtë vit jo vetëm që nuk është ulur numri i intoksikacioneve, përkundrazi është shtuar. Konkretisht në muajin shtator, 5 persona të një familje në Komunën Komsi në Burrel, nga të cilët 2 fëmijë, 2 gra dhe 1 burrë u helmuan me mish pule. Në korrik 35 persona në Elbasan mbetën të helmuar pas një dreke festive mes kolegësh, ku baza e ushqimit ishte mishi i viçit. Në gusht u regjistrua një tjetër helmim masiv, në fshatin Gorishovë të Komunës Cakran, në Fier, me rreth 150 persona të helmuar, të pranishëm në një dasmë.
Duke iu referuar deklaratave të mjekëve të bëra publike në media, asnjë prej pacientëve nuk ka ndier shije të keqe në ushqim teksa e ka ngrënë, ndërsa një ditë më pas kanë pasur shqetësime që i kanë detyruar të paraqiten në spitalet rajonale të vendit për ndihmë mjekësore. Këto përbëjnë vetëm një pjesë të helmimeve të këtij viti, ato që u cilësuan si më problematiket duke pasur parasysh numrin e personave të helmuar njëherësh, ndërsa ka edhe raste individësh që janë paraqitur te mjeku po për helmime nga produkte të ndryshme ushqimore.
Shifrat
Për vitin 2013 regjistrohen 11 raste helmimesh kolektive
Në Elbasan 50 persona me helmime nga mishi, 12 raste me helmime nga akullorja, 21 raste nga mishi i pulës, 11 nga peshku
Në Cakran të Fierit u helmuan 150 persona, nga konsumimi i mishit në një dasmë
Në Shëngjin të Lezhës, 12 persona u helmuan nga mishi i pulës
Në Golem dhe në Shkëmbin e Kavajës, 21 turistë u helmuan nga ushqimi social
Add new comment