Minoritarët grekë, që marrin pension OGA do të riregjistrohen

1 milionë e 200 mijë pensionistë, që marrin pension nga Enti Bujqësor i Sigurimeve Shoqërore OGA, ku përfitojnë edhe mijëra minoritarë grekë në Shqipëri, do t’i nënshtrohen një procesi të ri regjistrimi.
Regjistrimi i pensionistëve fillon sot, më 1 tetor dhe do të zgjasë plot 2 muaj, deri në fund të nëntorit.
Personat që marrin pensione të OGA, duhet të paraqiten vetë pranë zyrave ku i tërheqin ato, në mënyrë që të konfirmohen të dhënat e tyre të sigurimeve dhe duhet të kenë me vete dokumentet e identifikimit. Në rastet kur personi e ka të pamundur të paraqitet personalisht, për arsye shëndetësore apo arsye të tjera, duhet të paraqesë një deklaratë personale të noterizuar dhe raportin e mjekut. Pensionistët që banojnë jashtë Greqisë, duhet të pajisen në konsullatat greke të qyteteve ku jetojnë, me një vërtetim që e kanë të pamundur paraqitjen në zyrat greke. Regjistrimi me prezencën fizike do të përsëritet çdo vit. Për të zbatuar sa më sipër, OGA do të dërgojë letër informative, me kërkesat e detajuara për të gjithë përfituesit e pensioneve.
Kjo masë merret për të eliminuar dukurinë e përfitimit të pensioneve false, e cila së fundi është bërë edhe objekt i hetimeve të prokurorisë.
Vitin e kaluar në muajin tetor, qeveria greke ndërpreu pensionet e 3500 minoritarëve grekë në Shqipëri, ndërsa vetëm dy muaj më parë njoftoi prerjen edhe për 2700 pensione të tjera, të personave që nuk ishin të regjistruar. (OGA prej vitesh jep pensione 360 euro ne muaj tek të gjithë ata persona që mbajnë statusin e “homogjenit”, domethënë që vërtetojnë ligjërisht se janë shtetas grekë ose me prejardhje greke).
Ndërkohë në Entin e sigurimeve IKA, figurojnë plot 150 mijë pensione, që merreshin nga të afërmit e pensionistëve. Nga kontrollet rezultoi se shumë të moshuar ishin ndarë nga jeta prej shumë vitesh, por pensioni i tyre shkonte në duart e të afërmve.
Në Greqi, 20 000 njerëz marrin pensione false, gjë që ka shkaktuar një dëm prej 120 milionë euro në fondet e pensioneve, gjatë viteve të fundit. Vetëm në ishullin Zakinthons, u konstatuan 61 persona, që merrnin pension nën statusin e “të verbërit”, pa qenë të tillë.
Ballkanweb.com
Add new comment