Ministria e Mbrojtjes: I kemi shitur armë KABILËS, nuk ka gjë të paligjshme

Postuar në 23 Nëntor, 2012 18:38

Para pak kohësh, një revistë e rëndësishme amerikane shkruante se si kandidati republikan, Mitt Romney, kishte si kryestrateg një person të quajtur Stuart Stevens, që kishte ndihmuar të vinin në pushtet dy diktatorë, Sali Berishën e Shqipërisë dhe Jozef Kabilën e Kongos.

Edhe pse në fakt janë të ngjashëm, paskan edhe një lidhje. Shqipëria i paska shitur armë këtij diktatori afrikan. Ministria e Mbrojtjes reagoi ndaj kronikave të mediave të huaja, që tregojnë armët shqiptare në duart e rebelëve kongolezë.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri tha se i janë shitur armë Kongos dhe këtu nuk ka asgjë të paligjshme. Ai tha se nuk ka përgjegjësi ministria nëse armët kanë rënë në duart e rebelëve.

“Ministria e Mbrojtjes sqaron se këtu nuk ka asnjë skandal dhe as lajm. Shitja e predhave 120 mm qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos është ligjore. Kjo shitje është raportuar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ashtu siç edhe është e publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE). Përdoruesi i fundit është Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe e Veteranëve të Luftës së Republikës Demokratike të  Kongos. (Z. Kulluri paraqiti para mediave dokumentin e marrjes në dorëzim të këtyre predhave nga qeveria kongoleze). Bëjmë me dije se qeveria e Republikës Demokratike të Kongos nuk është nën embargo. Shitja i është bërë qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos konform të gjithë rregullave dhe akteve ligjore. Nëse rebelët kongolezë kanë shtënë në dorë këto armatime, kjo nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë,” tha Kulluri.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë mbështetur në vijimësi qeverinë e Republikës Demokratike të Kongos dhe përpjekjet e saj për stabilitet të brendshëm. Pikërisht në këtë kontekst, ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për çështjet politike, Ëendy Sherman vizitoi Kongon më datë 5 dhe 6 nëntor. Akti i sotëm vjen pikërisht gjatë festimit të 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, dhe sidomos, pas përgëzimeve që qeveria shqiptare mori nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut zoti Rasmussen, për kontributin që Shqipëria po jep për paqen dhe sigurinë globale”.

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.