Ministria e Brendshme: Po shpifet për ekspertin Çardaku. Rama është përgjegjës faktik për krimin e 21 janarit

Postuar në 16 Shkurt, 2013 12:55

 

Ministria e Brendshme ka reaguar pas qëndrimit që ka mbajtur opozita për ekspertin Ndoc Çardaku, që ka manipuluar provat për vrasjen e Ziver Veizit.

Ministria bën me dije se këto janë shpifje.

“I bëjmë me dije opinionit publik se ekspertët e laboratorit shkencor kryen këqyrjet, ekzaminimin dhe administrimin e provave materiale me kërkesë të Prokurorëve të çështjes, në praninë, drejtimin dhe mbikëqyrjen e Oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së rrethit Tiranë, të cilët nga ana e tyre, pas asistimit hartuan dhe firmosën procesverbalet e sekuestrimit të provës materiale.

Ky procesverbal, si dhe provat materiale të administruara nga prokuroria, janë paraqitur dhe pranuar si prova gjatë procesit të hetimit gjyqësor.

I gjithë procesi i këqyrjes, gjetjes dhe fiksimit të këtyre provave materiale është filmuar dhe dokumentuar me kërkesën e ekspertëve të Laboratorit Shkencor, për t’u administruar si provë nga ana e Prokurorisë dhe ky filmim transparent është i qartë si drita e diellit,” thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme, që vlerëson se fajtor për krimet e 21 janarit është kreu i PS.

“Bazuar në moton e tij të vjetër: shpif, shpif se diçka do të mbetet z. Rama, nëpërmjet kasnecit të tij, bëri, edhe më të qartë sot, se Rilindja e socialistëve, nuk është as më shumë dhe as më pak, vetëm tendencë qesharake dhe e pashprese për t’ ju kujtuar shqiptarëve kohën e totalitarismit, të Partisë shtet, të Partisë që urdhëron, Partisë gjykatë e  prokurori, që vetë vendos dhe vetë vulos.     

Nëse ka përgjegjës moralë e faktikë për ngjarjet kriminale të 21 janarit, këta janë padyshim kryesocialisti Rama, banditët dhe elementët e inkriminuar në enturazhin e tij të cilët, me urdhër të tij, sulmuan egërsisht institucionet, me ëndrrën e çmendur për marrje të pushtetit me dhunë”.

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.