Milo: Nuk e pranova propozimin e Ramës për moral

Intervista/ Kreu i PDS-së, Paskal Milo, rrëfen negociatat me Ramën për arritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit elektoral dhe qeverisës
Nuk mund të pranoja ofertën e PS-së për të shkrirë partinë dhe për t’u futur në listat e saj të deputetëve dhe në kryesi, sepse nuk mund të tradhtoja njerëzit me të cilët kam punuar këta 10 vjet të jetës së Partisë Demokracia Sociale. Kështu shprehet kreu i kësaj force Paskal Milo, teksa tregon se kjo ofertë i ishte bërë disa herë nga aleati i tij socialist Edi Rama, gjatë negociatave të formimit të koalicionit. E megjithatë, ai bën të ditur se ka rënë dakord me Ramën që të jetë pjesë e kabinetit qeverisës me post ministror, në rast se forca që ai drejton do arrijë të marrë në zgjedhje 25 mijë vota. Ai gjithashtu shprehet i sigurt në fitoren e opozitës, kjo edhe për shkak të konsumimit të PD-së në qeverisje, por beson se kjo fitore nuk do i japë opozitës më shumë se 73 mandate.
Zoti Milo, tashmë nuk ka më dilema sa i përket komisioneve, pasi në garë do ketë dy koalicione të mëdha dhe disa parti që kanë vendosur të garojnë më vete. Si i shihni shanset për fitoren e opozitës dhe a është domethënës numri i madh i partive që përbëjnë këtë koalicion?
Ashtu siç pritej, nuk janë numrat ata që përcaktojnë fitoren. Për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm. Kanë një rol, sepse mbledhin dhe maksimizojnë votën, por mendoj se beteja elektorale që kemi përpara do të jetë më shumë një ballafaqim alternativash. Tashmë shqiptarët kanë një përvojë në vlerësimin e partive politike dhe të koalicioneve. Janë mësuar me atë që quhet mashtrim elektoral, ose e pranojnë me ndërgjegje që përqindje jo të vogël të gënjeshtrave që shesin partitë politike në kohë fushatash elektorale. Pra shqiptarëve dhe në përgjithësi elektoratit i pëlqen që të dëgjojë edhe gjera që edhe mund të mos bëhen. Pra, ka dhe ndien kënaqësinë shpesh edhe të vetëmashtrimit. Kjo do të jetë prezente gjatë kësaj fushate në një shkallë sipërore, mendoj, më tepër se ç’ka qenë më parë. Tipar tjetër i kësaj fushate do të jetë shtimi i agresivitetit dhe i toneve ekstremiste, i akuzave reciprokisht të njohura midis dy kampeve politike kundërshtare. Berisha, për mua, do të përdorë të gjithë arsenal e tij të njohur në këta 20 e ca vjet, sepse për të kjo është një betejë e fundit politike. Ka shumë pak gjasa që ai t’i fitojë këto zgjedhje, pavarësisht se ç’mjete dhe metoda do të përdorë. E them këtë me bindje, jo duke u nisur pozita e Demokracisë Sociale si anëtare e koalicionit opozitar, e them me gjakftohtësi mbështetur në njohjen që kam nga përvoja e gjatë në politikë, por edhe nga testimi i terrenit elektoral sot. PD si parti qeverisëse për 8 vjet është konsumuar natyrshëm si çdo parti tjetër që do ishte në qeverisje. Përveç kësaj, PD-së dhe liderit të saj i rëndojnë në kurriz disa afera që, pavarësisht se janë mbyllur përkohësisht ose kanë marrë një të ashtuquajtur pafajësi juridike, në ndërgjegjen e shqiptarëve ata mbeten përgjegjës kryesor për masakrën e Gërdecit, për 4 të vrarët e 21 janarit, për një numër aferash korruptive të njohura dhe spektakolare, për autoritarizmin e regjimit, që dashje pa dashje të çon në idenë se ky njeri po të vazhdojë të qëndrojë më gjatë në pushtet ka rrezik që një ditë t’i shfaqet ideja e Zogut për t’u bërë dhe mbret. Në mos për t’u kurorëzuar në mënyrë ceremoniale dhe për të vënë një kurorë në kokë, grumbullimi i pushteteve që ka bërë në mënyrë maksimale vetvetiu të çon atje. Që nga momenti që fatet e shqiptarëve vendosen nga një njeri i vetëm, që atëherë ka ndryshuar mënyra e pushtetit dhe kemi, siç jemi aktualisht, një regjim autoritarist, që më shumë u afrohet regjimeve aziatiko-lindore ose afrikano-veriore, sesa një republikanizmi europian. Për gjithë këto arsye, unë mendoj se Berisha e ka të humbur lojën. Veç duke qenë një lojtar ekstrem politik, që ka një vullnet të jashtëzakonshëm dhe energji negative, është dhe përpiqet që humbja të jetë sa më minimale në raport me koalicionin opozitar. Me qëllim që nesër pas zgjedhjeve, në konfiguracionin e ri parlamentar ai të jetë një faktor vendimtar që nuk do të mund të anashkalohet, që do të pengojë procesin e vendimmarrjes legjislative dhe qeverisëse, dhe që do ta bëj këtë në radhë të parë për të mbrojtur veten nga çdo akuzë që do t’i bëhet me të drejtë ose pa të drejtë nesër nga kundërshtarët e tij politik, qoftë për Gërdecin, qoftë për 21 Janarin, qoftë për aferat e shumta korruptive. Me pak fjalë, ai, siç ka bërë me institucionet e drejtësisë, do që nesër të ketë një numër të tillë në Kuvend sa të bllokojë çdo iniciativë të qeverisjes së ardhshme të re, qoftë në planin e akuzës personale që do t’i bëhet, qoftë edhe në planin e pengesave që do t’u vërë proceseve të stabilizimit demokratik dhe të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Po të flasim me shifra, keni një parashikim për rezultatin e zgjedhjeve?
Për mua rezultati do jetë i ngushtë. Nuk do të shkojë, gjithmonë për mua, përtej shifrave 73 për mazhorancën e re dhe të tjerat do t’i ketë opozita e re e ardhshme me në krye zotin Berisha.
Zoti Milo, ju nënshkruat të fundit marrëveshjen e bashkëpunimit. Pse ndodhi kjo, kishit mosmarrëveshje me termat e marrëveshjes së arritur me PS-në? Çfarë kishte që nuk shkonte?
Në fakt nuk ka pasur ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Mund të ishte arritur marrëveshja edhe paradite ose dhe një ditë më parë. Por agjenda e zotit Rama për shkak të konferencës së PES në Shkodër dhe në Budva ditën tjetër, bëri që të shtyhej takimi për të negociatën përfundimtare dhe për të nënshkruar marrëveshjen. E dyta ishte, siç ndodh zakonisht në negociata, që problemet më të vështira mbeten për t’u zgjidhur në fund. Dhe në këtë rast qëndronte dilema e propozimit që kishte qarkulluar që unë si kryetar i PDS-së të mund të bëhesha pjesë e listës së PS-së në një nga qarqet, por me kushtin që të merrej vendimi më 24 qershor për ta shkrirë PDS-në dhe unë të bëhesha deputetë i PS-së dhe anëtar i kryesisë së PS-së. Demokracia Sociale dhe unë si kryetar i saj nuk mund të pranonim një ofertë të tillë. E para, për arsye morale, që për një vend në listën e PS-së unë të sakrifikoja partinë dhe kolegët e mi, me mijëra njerëz që në këta 10 vjet kanë luftuar së bashku me mua, janë sakrifikuar, janë lodhur në një opozitë të gjatë dhe të mundimshme dhe që në këtë mënyrë do të mund të dëmtonim edhe imazhin tonë. Pra, për hir të një interesi personal për t’u zgjedhur deputet unë nuk mund të bëja një veprim të tillë amoral. Dhe jam shumë i lumtur që isha shumë i qartë në qëndrimin e tim që në fillim dhe që ia deklarova zotit Rama pa asnjë ekuivok. Preferoj të luftoj bashkë me partinë time kudo në të gjithë Shqipërinë, duke filluar nga Tirana ku unë do të kandidoj personalisht për të merituar atë çka na takon me punën tonë të gjithë së bashku, pavarësisht nga sfidat që kemi përpara.
Çfarë arriti të sigurojë PDS nga kjo marrëveshje?
Ne arritëm të sigurojmë, ndër të tjera, krahas gjithë asaj platforme të përbashkët bashkëpunimi që kemi si parti opozitare dhe që është bërë e njohur për opinionin publik, një çështje tjetër më të precizuar, që në përputhje me kontributin tonë zgjedhor, pra në varësi të numrit të votave që ne do të marrim, kemi të hapur rrugën që pas zgjedhjeve të jemi pjesë e kabinetit qeveritar që do të krijohet.
Është vendosur një kuotë minimale votash që duhet të arrihen për të përfituar nga kjo klauzolë?
Ka një kuotë, e cila është shumë më e lartë, gati dy herë e gjysmë më e lartë sesa kuota maksimale(25 mijw vota) që është vendosur në platformën e njohur të nënshkruar nga 30 e ca parti të koalicionit tonë opozitar. Po kështu kemi rënë dakord që PDS të jetë pjesë e strukturave të opozitës për të mbrojtur votën në procesin e numërimit të saj në GNV.
Pra vëzhgues…
Po. Pra nuk është se është falur ndonjë gjë, nuk është se edhe ne kemi kërkuar ndonjë gjë, por thjesht është bërë një marrëveshje mbështetur në parime dhe mbështetur në të drejtat tona reciproke si aleatë.
Realisht, PDS çfarë kërkonte?
Këto dhe asgjë tjetër. S’kemi kërkuar asgjë tjetër.
Është folur gjatë se kërkonit që të përfshiheshit në listat e PS-së…
Absolutisht jo. Po të donim të përfshiheshim, do ta kishim kërkuar ofertën. Oferta m’u bë jo një herë por disa herë, por unë nuk e pranova për shkak të moralit dhe për shkak të përgjegjësisë që kam si kryetar i PDS-së për njerëzit që militojnë në këtë forcë. Përfundimisht, ne kemi arritur një marrëveshje të mirë brenda kushteve që na dikton dhe Kodi Zgjedhor. Një marrëveshje që dëshmoj edhe një herë tjetër se PDS i ka të shenjta parimet dhe udhëhiqet nga morali i shëndoshë dhe është besnike e alternativës që përfaqëson. Dhe nuk ka bërë dhe as do të bëj akrobacira politike, siç kanë bërë shumë parti të tjera politike në Shqipëri, që kalojnë ylberin e politikës shqiptare pa i vrarë ndërgjegjja dhe morali.
Dy forcat politike që hynë këtë vitin e fundit në arenën politike shqiptare ishin FRD dhe AK. Të dyja nuk pranuan të futen në ndonjërin nga këto koalicionet e mëdha. A kemi të bëjmë me përdorjen e këtyre forcave nga dy partitë kryesore, dhe reciprokisht AK-ja nga PD për të marrë vota majtas dhe dëmtuar PS-në; dhe FRD-në nga PS, për të marrë vota djathtas dhe për të dëmtuar PD-në? Si e shikoni rolin e këtyre dy forcave?
Nuk e shikoj kështu. Sigurisht që ka dallime midis FRD-së dhe AK-së. Partia e zotit Topi është një segment i ish-PD-së, që është krijuar nga disa njerëz që i kam njohur në jetën e gjatë parlamentare dhe politike, që janë përfaqësues të denjë të alternativës së qendrës së djathtë dhe që në një mënyrë ose në një tjetër nuk janë pajtuar me drejtimin e PD-së nga zoti Berisha. Në mos gjatë gjithë viteve, të paktën në një pjesë të këtyre viteve të fundit. Mosmarrëveshje këto që kanë dalë herë pas here në skenë, edhe gjatë kohës që zoti Topi ishte në Presidencë apo edhe nga përfaqësues të tjerë të FRD-së që kanë qenë në Parlament. Për rrjedhojë, mendoj se ata kanë marrë një mision për t’i dhënë një frymë dhe fytyrë të re të djathtës shqiptare, duke e bërë atë më pak, ose duke i hequr, autoritarizmin e Berishës në drejtimin e PD-së, duke demokratizuar vetë PD-në dhe institucionet drejtuese të saj. Pra, duke dashur ta shkëputin të djathtën shqiptare, që personifikohet me figurën e Berishës, nga një alternativë afro-aziatike në një alternativë të së djathtës moderne europiane. Unë besoj se ata janë përfaqësues të denjë të kësaj rryme dhe mund ta çojnë të djathtën shqiptare, sigurisht bashkë me shumë të tjerë që ndodhen brenda PD-së, në hullinë e një partie moderne që duhet të zhvishet nga sundimi i njëshit. Por nga ana tjetër, unë dua të jem realist dhe do ta konsideroja të vështirë betejën e tyre elektorale, për disa arsye: e para që nuk i favorizon Kodi Zgjedhor dhe sistemi, siç nuk na ka favorizuar të gjithëve ne. E dyta është çështja e luftës së ashpër politike, deri në ekstremitet, që ata do të gjejnë nga PD dhe aleatët e saj. E treta është se nuk do të mund të krijojnë dot frymë, sipas dhe emrit që ka, në një mjedis elektoral të polarizuar në dy kampe të skajshme. Për të gjitha këto arsye, unë mendoj që FRD do të ketë një rezultat jo aq sa pretendohet, besoj se do të jetë modest, por që do të ketë rëndësi që kjo tendencë të vazhdojë pas zgjedhjeve, ku padyshim që PD vetë, me rastin e humbjes, do t’i nënshtrohet një procesi, ose një përpjekjeje për të hapur një kapitull të ri në historinë e saj për t’u demokratizuar dhe për t’u ristrukturuar në përputhje me normën demokratike të së djathtës europiane.
Sa i përket AK-së?
AK-ja më duket se ka ende tendencën e një lëvizjeje, sesa të një partie politike. Ka shumë retorikë nacionaliste, populiste dhe antimazhorancë dhe sidomos anti-Berishë. Ka një tendencë në rënie të influencës së saj në raport me fazën fillestare të shfaqjes, ku tonet nacionaliste të propagandës së saj, sidomos me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, sa shkaktuan shqetësime serioze jo vetëm te fqinjët e Shqipërisë por edhe të partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët i dhanë mesazhe të qartë dhe të hapura që nuk duhej të futej në një rrugë të tillë. Aktualisht, duke mos arritur në negociata intensive, që bëri gjatë ditëve të fundit me PS-në të realizonte një numër kërkesash, siç ishin ato për të vendosur në listat e PS-së disa përfaqësues të AK-së, ose për të ndryshuar strukturën e KQZ-së, apo deri te KZAZ-të e te GNV-të, ose duke kërkuar disa reflektime në programin e opozitës, që shkonin në përputhje me idetë e shfaqura nga AK, pra për të gjitha këto arsye deri në orët e fundit të natës mbeti në diskutim me PS-në, por që ishin për mua që u ndodha afër në momentin e fundit, në ambientet që diskutoheshin, të tepruara, të pa argumentuara.
Mos ndoshta ishin një shkak për të mos arritur marrëveshjen? Vetë PS e ka pretenduar këto ditë këtë se po i shërben PD-së…
Unë nuk mund ta them këtë fakt. Sepse kam pasur rastin, kam biseduar me zotin Spahiu. Ai në mënyrë të ndërgjegjshme ka kapur dy linja kryesore në platformën e tij politiko-elektorale: nacionalizmin dhe opozitarizmin ekstrem ndaj qeverisjes së sotshme. Këto dy shina kryesore ai ka menduar se do ta çonin atë në sukses politiko-elektoral me përmasa të panjohura deri tani. Por, për mendimin tim, gjithmonë duhet pasur parasysh që elektorati shqiptar është i formatuar në përqindjen e tij më të madhe dhe vështirë se mund të zhvendoset në mënyrë masive nga njëri kamp në tjetrin. Kështu po ndodh dhe tani. Kështu që mendoj që AK-ja, megjithë respektin që kam për disa ide dhe qëndrime të saj, bëri gabim që nuk u rreshtua me kampin opozitar ose që neglizhoi krijimin e një poli të tretë, duke pasur shpresë se do të mund të arrinte një marrëveshje më të mirë me PS-në.
Ju keni qenë pjesë e këtyre diskutimeve për polin e tretë me AK-në dhe me forca të tjera…
Unë kam biseduar me zotin Spahiu rreth mundësive për të formatuar një pol të tretë, dhe me kolegë të tjerë, duke dashur pa dyshim të sundonte fryma e opozitarizmit edhe të ky pol, dhe në asnjë mënyrë dhe në qoftë se e kemi pasur si ide nuk do të mundej që ky pol të binte ndesh me kampin opozitar nga drejtuar nga PS. Përkundrazi, gjithmonë e kam menduar se do të ishin komplementar si dy koalicione opozitare dhe që do të kishte një frymë bashkëpunimi për të arritur qëllimin e përbashkët, kthesën e madhe në qeverisjen e vendit pas 23 qershorit.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes PS-së dhe LSI-së në Shkodër, pjesë e platformës së bashkëpunimit ishte dhe një pikë ku ata zotoheshin që të bënin një ndarje të punëve të legjislativit dhe ekzekutivit. Pra, që deputetët të mos ishin ministra dhe e kundërta. Si e shihni këtë angazhim, cilat janë anët pozitive të tij?
Kjo është një marrëveshje e bërë midis dy partive dhe meqenëse është një marrëveshje e tyre dhe nëse ata kanë rënë dakord, janë ata që duhet ta respektojnë reciprokisht dhe jo partitë e tjera.
Jo, e kam fjalën a është pozitive një gjë e tillë dhe ka praktika të tjera të ngjashme?
Nuk e di se ku qëndron pozitiviteti i saj. Ka përvoja të ndryshme në vende të ndryshme. Diku aplikohet kjo skemë, por në shumicën e vendeve nuk aplikohet. Përkundrazi, në Europë sidomos, shumica e anëtarëve të kabineteve qeveritare janë dhe anëtarë të Parlamentit. E keqja e qeverisjes së vendit nuk i vjen nga kjo skemë, por i vjen nga pazaret që bëhen, nga kondicionimet për afera të ndryshme dhe për favore të ndryshme që bëhen gjatë procesit të formimit të qeverisë apo ecurisë së punëve të qeverisë. Ndodh që kërcënohet qeveria nga numrat në Parlament dhe kjo ka bërë disa njerëz të mendojnë të shkëpusin ekzekutivin nga Kuvendi, nga anëtarët e tij, me qëllim që nesër qeveria të vazhdojë të funksionojë me teknicienë, sesa me njerëz politikanë.
Për rezultatin
“Për mua, rezultati do jetë i ngushtë. Nuk do të shkojë, gjithmonë për mua, përtej shifrave 73 për mazhorancën e re dhe të tjerat do t’i ketë opozita e re e ardhshme me në krye zotin Berisha.”
Për negociatat
“Qëndronte dilema e propozimit që kishte qarkulluar, që unë si kryetar i PDS-së të mund të bëhesha pjesë e listës së PS-së në një nga qarqet, por me kushtin që të merrej vendimi më 24 qershor për ta shkrirë PDS-në dhe unë të bëhesha deputet i PS-së dhe anëtar i kryesisë së PS-së.”
Për marrëveshjen
“Ne arritëm të sigurojmë një çështje tjetër më të precizuar, që në përputhje me kontributin tonë zgjedhor, pra në varësi të numrit të votave që ne do të marrim, kemi të hapur rrugën që pas zgjedhjeve të jemi pjesë e kabinetit qeveritar që do të krijohet.”
Për votat
“Ka një kuotë, e cila është shumë më e lartë, gati dy herë e gjysmë më e lartë sesa kuota maksimale që është vendosur në platformën e njohur të nënshkruar nga 30 e ca parti të koalicionit tonë opozitar. Po kështu kemi rënë dakord që PDS të jetë pjesë e strukturave të opozitës për të mbrojtur votën në procesin e numërimit të saj në GNV.”
Për FRD
“Unë mendoj që FRD do të ketë një rezultat jo aq sa pretendohet, besoj se do të jetë modest, por që do të ketë rëndësi që kjo tendencë të vazhdojë pas zgjedhjeve, ku padyshim që PD-ja vetë, me rastin e humbjes, do t’i nënshtrohet një procesi, ose një përpjekje, për të hapur një kapitull të ri në historinë e saj për t’u demokratizuar.”
Për AK
“Mendoj që AK-ja, megjithë respektin që kam, me disa ide dhe qëndrime të saj, bëri gabim që nuk u rreshtua me kampin opozitar, ose që neglizhoi krijimin e një poli të tretë, duke pasur shpresë se do të mund të arrinte një marrëveshje më të mirë me PS-në.”
MAPO
Add new comment