Meta: Të punohet për marrjen e statusit para zgjedhjeve

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ka apeluar për të respektuar Kodin dhe gjetjen e një konsensusi për garantimin e zgjedhjeve të lira.
“Unë do të ftoja të gjithë forcat politike dhe përfaqësuesit e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kudo për të respektuar Kodin dhe ligjin dhe për të rritur frymën e bashkëpunimit, sepse çdo ekzagjerim i debateve për çështje të ndryshme dhe aq më tepër çdo përpjekje për të vrarë besimin tek zgjedhjet e lira nuk i shërben asnjë force politike, nuk i shërben procesit në të cilin tashmë kemi hyrë dhe natyrisht që dëmton edhe standardin e këtyre zgjedhjeve që do të jetë njëkohësisht mjaft i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme drejt Bashkimit Europian si për marrjen e statusit të vendit kandidat por edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim”.
Meta ka rivlerësuar rëndësinë e madhe të marrjes së statusit para zgjedhjeve të 23 qershorit. “Vetë vlerësimi që komisioneri bëri dje që statusi është i arritshëm dhe se është detyrë e politikanëve për të plotësuar të gjitha kushtet të cilat tashmë dihen, është një mesazh që duhet vlerësuar në maksimum nga të gjitha forcat politike, sidomos ato parlamentare me qëllim marrjen e këtij statusi para zgjedhjeve në Shqipëri.Çdo gjë që do të mbetet pas zgjedhjeve do të kërkojë kohën e saj ndërkohë që nuk duhet të harrojmë që edhe në Bashkimin Europian do të kemi zgjedhje pas një viti. Është e rëndësishme që të fitojmë çdo sekondë dhe çdo minutë në këtë drejtim dhe të tregojmë përgjegjshmërinë tonë për të plotësuar një aspiratë të mbarë qytetarëve shqiptarë pa dallime partiake”, ka thënë kreu i LSI-së.
I pyetur për koalicionet parazgjedhore, Meta ka deklaruar se kjo do të vendoset në muajin prill në Konventën Kombëtare, megjithatë ai theksuar se nuk ka rëndësi koalicioni. “Ne besojmë se nuk është më e rëndësishme se cilat do të jenë taktikat tona elektorale edhe në funksion të kodit. Në çdo rast LSI do të ketë programin e saj dhe në çdo rast Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë me flamurin e saj, me simbolet e saj. Dhe në fund të fundit kodi është i tillë që votohet për subjektin politik, pra nuk është se votohet për koalicionin e caktuar. Ndaj edhe ne kemi nisur përgatitjet në funksion të fuqizimit të LSI-së, i cili është një fakt që besoj se e prekni çdo ditë edhe përmes aktiviteteve që pasqyroni”, ka thënë ai.
I pyetur për sondazhin e publikuar dje nga fondacioni “Kult”, që nxirrte se për LSI-në do të votonin 4.1 % të të intervistuarve, Meta e ka cilësuar si qesharak. “Lëvizja Socialiste për Integrim ka një kontroll shumë të qartë dhe rigoroz të situatës në terren për shkak të një organizimi model të saj dhe në këtë drejtim, të gjithë janë të lirë të shpallin dhe të sajojnë sondazhe. Mua më vjen keq për ata që i sponsorizojnë sondazhe të tilla qesharake, sepse sondazhet që kanë pasur më përpara, para 2009 dhe para 8 majit të 2011 i kanë pasur shumë më të mira për veten e tyre. Më vjen keq që i kanë ulur”, ka thënë Meta.
Ai është shprehur tepër optimist për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, duke deklaruar se LSI-ja do ta krijojë një grup parlamentar vetëm me deputetët fitues të dy qarqeve kryesore. “Ndërsa për sa i takon çështjes së numrave të mandateve nuk mund të jap ndonjë shifër paraprake, por dua t’ju siguroj që ne një grup parlamentar do ta bëjmë vetëm me deputetët që do të fitojmë në dy qarqet kryesore. Këtë mund t’ua them me siguri. Për të tjerat do të flasim në muajt e ardhshëm”, ka thënë ai.
SHQIP
Add new comment