Meta: Programi i PS-së për shëndetësinë na çon në krizë ta pashembullt financiare

TIRANË Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kritikoi mbrëmë një nga shtyllat kryesore të programit të PS-së, që lidhet me shëndetësinë. “…Nuk e kam ndjekur me shumë vëmendje programin e socialistëve, por kohët e fundit jam shqetësuar shumë për programin e tyre të shëndetësisë. Është një program tejet populist. Kanë bërë thirrje për të rrëzuar skemën e sigurimeve shëndetësore, e cila natyrisht që nuk ka ecur siç pritej, por natyrisht që financonte një pjesë të mirë të reformave dhe të shërbimit shëndetësor në vend. Dalja me parulla se nuk duhet të paguajë asnjëri për të marrë këtë shërbim, mund të na çonte në një krizë të pashembullt financiare. Duhen dhënë alternativa bindëse dhe nuk ka nevojë që për hir të përfitimeve të ngushta partiake apo elektorale, në një kohë kur të gjitha vendet janë të kujdesshme në marrjen e reformave të tilla që kanë kosto të caktuar financiare, të luhet me qytetarët në këtë mënyrë”, – tha Meta mbrëmë i ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”. Meta është pyetur gjatë edhe për aleancat e mundshme të LSI-së, duke u përqendruar kryesish te një deklaratë e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili është shprehur i sigurt për një koalicion me LSI-në. “…Këtë prononcim të z. Patozi nuk e kam dëgjuar, por unë personalisht me z. Patozi kam një mirëkuptim të shkëlqyer”, – tha ai. I pyetur nëse kjo deklaratë nënkuptonte se në muajin korrik ai do të ishte në qeveri me Berishën, Meta u përgjigj: “Kjo do të thotë se për çdo veprim të LSI-së përgjegjësinë e merr Konventa e LSI-së dhe nuk mund ta marrë as kryetari i saj…Thashë që me zotin Patozi kemi një mirëkuptim shumë të mirë dhe është vërtet një koleg shumë korrekt”. Por kryetari i LSI-së, Ilir Meta, dyert i ka lënë të hapura. I pyetur nëse LSI-ja do të bashkonte votat me atë parti që do të ketë më shumë mandate, Meta u përgjigj: “Natyrisht që gjithnjë është respekti ndaj votës së qytetarëve për të diskutuar e negociuar me forcën e parë politike sipas renditjes. Kjo është një praktikë demokratike dhe normale”. Meta nuk e fshehu dëshirën e tij për krijimin e një tjetër koalicioni apo alternative të qëndrueshme në vend, teksa u pyet mbi takimet e tij me Dulen pikërisht për krijimin e një poli të tretë. “Kemi raporte shumë të mira me z. Dule, kemi raporte me të gjithë aktorët e tjerë, por jemi ende në një periudhë të parakohshme për të marrë vendime të rëndësishme”, – tha ai. Por a mund të jetë edhe FRD-ja pjesë e këtij projekti? Meta nga ana e tij tha se ky është një projekt që përjashton dikë.
MAPO
Add new comment