Meta mban premtimin, vendos portretin e Nishanit në zyrën e kreut të Kuvendit

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka mbajtur premtimin sa i takon vendosjes së portretit të Presidentit të Republikës në zyrat e Kuvendit. Kjo u dëshmua gatë takimit që Meta pati sot me ambasadorin e Kuvajtit në Shqipëri, Najeeb Abdulrahman Al-Bader. Krahas portretit të Bujar Nishanit, Meta ka vendosur edhe portretin e Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar.
Pak ditë më parë, i pyetur për vendimin e qeverisë “Rama” për heqjen e portretit të Presidentit të Republikës nga zyrat shtetërore, Meta deklaroi se, ai do të respektojë Kushtetutën. Meta thumboi ish-Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli duke thënë se, nuk e kishte gjetur portretin e Bujar Nishanit në zyrat e Kuvendit. Por, nga ana tjetër theksoi se, do ta vendoste portretin e Nishanit dhe të Ismail Qemalit.
“Nuk mund ta heq portretin e Presidentit të Republikës nga zyra e Kuvendit sepse nuk e kam gjetur portretin e tij. Por do ta vendosim në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, në respekt të asaj që përfaqëson Kuvendi dhe atë asaj që përfaqëson Presidenti në Kushtetutë. Ashtu sikurse do të vendosim dhe portretin e Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit tonë”, u shpreh Meta.
Në takimin me ambasadorin e Kuvajtit, Meta shprehur vullnetin për të konkretizuar marrëdhëniet mes grupeve të miqësisë parlamentare dhe theksoi së vëmendje e veçantë i duhet kushtuar zgjerimit të shkëmbimeve njerëzore, tregtare e ekonomike mes Shqipërisë dhe Kuvajtit. “Shqipëria i mirëpret investitorët e huaj, dhe veçanërisht ata që vijnë nga një vend mik si Kuvajti”, tha kreu i Kuvendit.
Shekulli
Add new comment