Meta: LSI, koalicion me çdo forcë politike, përfshi PS, për integrimin e vendit

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta është takuar ditën e sotme me ambasadorët e Bashkimit Europian, ku siç ai tha u diskutua për një sërë çështjesh të rëndësishme mes të cilave edhe realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Zoti Meta i pyetur edhe për qëndrimet e socialistëve pro një riafrimi me LSI-në, theksoi se kjo forcë politike është e hapur për bashkëpunim që do të shërbente për të mirën e vendit dhe integrimin e tij në Bashkimin Europian.
“Ne e respektojmë mendimin e cilitdo, qëndrimet tona kanë qenë publike dhe do të mbeten të tilla. Ne jemi të angazhuar për të plotësuar të gjitha detyrimet dhe angazhimet tona në këtë mazhorancë dhe në këtë qeverisje dhe jemi shumë të hapur për të bashkëpunuar me gjithë forcat politike, dhe duke përfshirë këtu edhe Partinë Socialiste për të çuar përpara proceset e integrimit europian për të miratuar dy ligjet dhe rregulloren, aq më tepër që ligji për Gjykatën e Lartë është shumë i rëndësishëm edhe për krijimin e Gjykatës Administrative që kërkohet edhe nga komuniteti ynë i biznesit edhe nga investitorët e huaj, dhe natyrisht që koalicionet e ardhshme do të kenë në themel të tyre votën e qytetarëve shqiptarë”, tha Meta.
Ndërkohë kreu i LSI-së e quajti një hap të rëndësishëm edhe realizimin e një referendumi për tre ligjet, kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat, por nga krahu tjetër kërkoi më shumë impenjim nga dy kampet e mëdha politike për të gjetur gjuhën e përbashkët.
“Natyrisht që firma e zotit Tavo është shumë e rëndësishme, por këtu nuk jemi për të folur për numrin e firmave dhe për çështjen e firmave, sigurisht që referendumi është një instrument demokratik, kur nuk ekziston mundësia dhe hapësira për mënyra të tjera, por është i rëndësishëm për të gjithë procesin e integrimit europian, jo vetëm miratimi i këtyre dy ligjeve dhe rregullores që është konsideruar si një minimum i domosdoshëm, por kërkohet edhe një klimë bashkëpunuese, për të cilën jo vetëm opozita por edhe qeveria duhet të tregojë përgjegjësitë e saj”, u shpreh Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Meta tha se gjatë takimit ka shprehur dëshirën për një monitorim sa më të madh të zgjedhjeve nga ana e ndërkombëtarëve.
SHQIP
Add new comment