Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati priti në një takim zv.ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee.
Pas takimit, zoti Yee dhe ministri Bushati dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Në fjalën e tij, kryediplomati shqiptar falenderoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën që i kanë dhënë ndër vite Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian, ndërsa shprehu angazhimin e qeverisë për ndërmarrjen e reformave të nevojshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe demokratizimit të jetës në vend.
“Falenderoj SHBA për ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e vështirë në procesin e integrimit europian. Sigurova Zv.Ndihmës Sekretarin se Shqipëria do të vazhdojë reformat në fushën e shtetit të së drejtës, korrupsionit dhe krimit të organizuar e drejtësisë në përgjithësei për të transformuar në mënyrë sa më demokratike shoqërinë shqiptare dhe për t’u zhvilluar ekonomikisht”, tha zoti Bushati.
Diplomati i lartë amerikan vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, falenderoi Shqipërinë për kontributin në kuadër të NATO-s në Afganistan dhe kërkoi thellimin e bashkëpunimit.
“Diskutuam për marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe SHBA dhe dëshira jonë për t’i thelluar këto marrëdhënie. Sic tha edhe Ministri diskutuam qëllimin tonë të përbashkët për të cuar përpara përpjekjet e Shqipërisë drejt BE-së dhe ripohuam përkushtimin e SHBA për të mbështetur Shqipërinë në arritjen e këtij qëllimi, përfshirë edhe në fushën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shpreh mirënjohjen e vendit tim për kontributin e Shqipërisë në NATO, vecanërisht në Afganistan në ISAF ku forcat shqiptare dhe amerikane po punojnë krah për krah për stabilitet dhe paqe aty. Kemi shqyrtuar rolin pozitiv të Shqipërisë në rajon në forcimin e marrëdhënieve të mira mes fqinjëve dhe duke punuar së bashku me vendet e tjera të rajonit”, deklaroi Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee.
Më herë, diplomati amerikan u takua edhe me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Në takim janë vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, ndërsa kryeparlamentari Meta tha se do të vazhdojë të përqendrohet tek dialogu konstruktiv dhe gjithëpërfshirja në punimet parlamentare.
Top Channel
Add new comment