Lutaj: Krimi ka vrarë shtetin. Berishës duhet t’i hiqet antiplumbi, jo t’i japim dhe automatik

Deputeti socialist i qarkut të Fierit , Piro Lutaj komenton vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.
“Vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt, në të gjitha këndvështrimet e veta rezultoi se ishte një vrasje e paralajmëruar. Shfaqja e drejtuesve të lartë të policisë në një tavolinë me personin e akuzuar si vrasës i kryekomisarit Dritan Lamaj zhvlerëson çdo lloj alibie të kupolës drejtuese të policisë, madje edhe vetë ministrit të Brendshëm, për lidhjet e drejtpërdrejta të tyre me kriminelë vrasës. Do të më vinte shumë çudi, nëse vërtet drejtuesit kryesorë të këtij shteti nuk kanë kuptuar se para një jave nuk është varë një komisar policie me emrin Dritan, por është vrarë vetë shteti. Madje ëshë rivrarë shteti për të disatën herë”, thekson Lutaj për GSH.
Lirimin e gardistëve Lutaj e konsideron si një lajm tronditës për të gjithë opinionin publik.
“Sigurisht që ishte një lajm tronditës për të gjithë opinionin publik. Nuk ia vlen të komentohet, jo se është një vendim gjykate , por sepse ky vendim është akt barbar që i rivrau për së dyti 4 dëshmorët e 21 janarit. Akoma më kriminale janë veprimet që ka kryer një ekspert i kriminalistikës i Ministrisë së Brendshme, duke cënuar provat e duke futur nëpër trupat e viktimave sende të ndryshme. Këto janë veprime paralizuese për çdo njeri që shpreson se këtu mund të ketë ndonjëherë drejtësi”, shprehet Lutaj.
I pyetur se përse qeveria kërkon pajisjen me armë të deputetëve, kryetarëve të komunave apo edhe biznesmenëve, ai shprehet: “do të perifrazoj këtu thënien e një kolegu, deputet i PS-së, i cili tha “…ne po ju themi që të gjithë bashkë duhet të punojmë që t’i heqim jelekun antiplumb kryeministrit, ndërsa ju po punoni për ta pajisur atë edhe me automatik’’.
Përsa iu përket zgjedhjeve, ai shprehet se më 23 qershor “matematicienët e zyrave” nuk do dinë ku të fusin kokën.
TEMA
Add new comment