Lojërat e Fatit, Ministria e Financave kallëzim penal për dy ish-krerët e njësisë së mbikëqyrjes

Postuar në 11 Tetor, 2013 10:50

Ministria e Financave ka dërguar në Prokurori kallëzim penal për ish-drejtorin e përgjithshëm të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NjMLF), Besnik Çobaj, dhe ish-drejtorin e Drejtorisë Operacionale në këtë njësi, Nikolin Gjeka për “shpërdorim detyre”.

Sipas ministrisë dy ish-zyrtarët i kanë shkaktuar një dëm prej 250 milionë lekësh buxhetit të shtetit. Zyrtarisht ministria sqaron se Drejtoria e Auditit të Brendshëm e Ministrisë së Financave ka zbuluar një sërë shkeljesh administrative dhe penale.

“1-NjMLF-ja ka funksionuar pa një rregullore të brendshme prej më shumë se një viti e gjysmë;

2-Njësia nuk ka aplikuar asnjë nga sanksionet e masave shtrënguese të përcaktuara në nenet 43/ b dhe 51, 52, 53 dhe 55 të Ligjit, për mosshlyerjen sipas afatit të detyrimeve të shoqërisë së lotarisë kombëtare;

3-Nuk është kryer ekzekutimi i akt-konstatimeve që janë mbajtur nga inspektorët e mbikëqyrjes te subjektet e lojërave të fatit, ku janë konstatuar pajisje elektronike (makina) në përdorim të paligjshëm (pa liçencë), të cilat janë objekt konfiskimi, gjë që përbën vepër penale;

4-Nuk janë zbatuar masat që parashikon ligji, për mbledhjen e detyrimeve financiare që kanë subjektet e lojërave të fatit, ku si rezultat i këtij mosveprimi, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm prej 256,015,850 lekësh. Detyrimet dhe gjobat e papaguara mbarten çdo vit, ndërkohë që subjektet janë aktive dhe vijojnë aktivitetin normalisht në treg pa asnjë pengesë;

5-Është konstatuar shkelja e ligjit “Për prokurimin publik”, për të cilat Agjencia e Prokurimit është njoftuar nga Drejtoria e Auditit për shqyrtim administrativ sipas kompetencave që i jep ligji”, sqarohet zyrtarisht. Mësohet se Drejtoria e Auditit në Ministrinë e Financave ka vendosur largimin nga puna për dy punonjës dhe vërejtje për paralajmërim për largim nga puna për dy punonjës të tjerë, ndërsa për shkeljet në fushën e prokurimeve, priten të merren vendime për sanksione nga Agjencia e Prokurimit.

“Shkeljet e konstatuara për mosmbledhje të detyrimeve dhe lejimin e aktivitetit të makinave elektronike (pa liçencë) plotësojnë elementet e veprës penale, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Për rrjedhojë, Drejtoria e Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Financave ka dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzimin penal për ish-drejtorin e përgjithshëm të NjMLF-së, z. Besnik Çobaj, dhe drejtorin e Drejtorisë Operacionale, z. Nikolin Gjeka, për veprën ‘shpërdorim detyre’”, përfundon njoftimi.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.