LOBON PËR ASOCIACIONIN

Hashim Thaçi duket se beson se çështje e Veriut do të mbyllet brenda pak ditësh. Të martën, Kryeministri ka treguar se gjithçka finalizohet me 4 mars në Bruksel, ku të dyja palët do të arrijnë marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Hajredin Kuçi thotë për Express se në këtë asociacion mund të përfshihen edhe komunat joveriore.
Kryeministri Hashim Thaçi po e sheh si punë të kryer çështjen e krijimit të Asociacionit të Komunave Veriore të Kosovës – temë e cila është biseduar në takimin e fundit në Bruksel.
Kështu, Thaçi të martën e ka njoftuar Presidenten Atifete Jahjagën dhe Kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ka treguar për pajtueshmërinë e arritura në parim me Ivica Dacicin.
“Kryeministri tha se është arritur pajtimi që të shpërbëhen strukturat policore dhe të inteligjencës të Serbisë në Kosovë dhe që të transformohen strukturat e tjera, të krijohet asociacioni i komunave ekzistuese me shumicë serbe në Kosovë, dhe që në katër komunat në Veri të Kosovës të mbahen zgjedhjet për asambletë komunale dhe për kryetarët e komunave, si dhe të funksionalizohet sistemi i drejtësisë dhe i gjykatave edhe me krijimin e dy gjykatave komunale, të Republikës së Kosovës në Leposaviq dhe në Zveçan”, thuhet në njoftimin e Presidencës, pas takimit të Thaçit me Atifete Jahjagën.
Në takimin e fundit mes Hashim Thaçit dhe Ivica Dacicit është thënë se ka pasur progres, por nuk është prezantuar ndonjë marrëveshje. As ndërmjetësuesja e takimit, Baronesha Chatherine Ashton, nuk ka treguar ndonjë marrëveshjes vetëm se ka paralajmëruar se më 4 mars do të ketë progres.
Sidoqoftë, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka treguar se Qeveria e Kosovës synon që në Asociacionin e Komunave Veriore do të futen edhe komunat e tjera në jug të Kosovës.
“Qëllimi ynë është që të gjitha komunat të jenë në asociacion”, ka thënë Kuçi për Express.
Ndërkohë, partitë opozitare kanë thënë se krijimi i një asociacioni të tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Madje, zyrtarët e Vetëvendosjes kanë paralajmëruar se po përgatitet bosnjizimi i Kosovës me koncesionet që janë duke u bërë në Bruksel.
Sikurse herëve të tjera, edhe të martën Presidentja Jahjaga i ka dhënë mbështetje të plotë dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ajo theksoi se dialogu po dëshmohet si e vetmja mënyrë e suksesshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende fqinje, të pavarura dhe sovrane, dhe se të gjitha marrëveshjet që po arrihen janë sipas standardeve dhe normave më të larta evropiane dhe në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës, të sovranitetit dhe të integritetit territorial dhe të ingerencave të pushtetit në të gjithë territorin e shtetit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ndërkohë, shefi i Qeverisë ka shkuar edhe në partinë e tij për të njoftuar për dialogun me Beogradin.
Nëpërmjet një komunikate, PDK, për herë të parë, ka përmendur zyrtarisht mundësinë e krijimit të asociacionit të komunave serbe të Veriut të Kosovës.
Pas mbledhjes konstituive të Kryesisë së PDK’së, lihet të kuptohet se me krijimin e këtij asociacioni zgjidhet edhe problemi i Veriut.
Po ashtu, zgjidhet në katër komunat veriore pritet të mbahen më së largu në vjeshtën e këtij viti, nën organizmin e OSBE’së.
“Kryeministri Thaçi ka theksuar se Republika e Kosovës po ecën drejt funksionalitetit të shtetit demokratik dhe brenda një periudhe të shkurtër Qeveria e Republikës së Kosovës do të vendosë sundimin e rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të Kosovës, si dhe do të shpërbehen të gjitha strukturat ilegale të sigurisë”, thuhet në komunikatë.
“Kryeministri Thaçi theksoi se së shpejti në atë pjesë të Kosovës do të funksionalizohet sistemi i drejtësisë sipas legjislacionit të shtetit të Kosovës. Do të formohet asociacioni i komunave me shumicë qytetare serbe, sipas Planit që parasheh Dokumenti i Presidentit Ahtisaari, Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”. thuhet në njoftimin e PDK’së.
Sipas Kryeministrit, në Veri do të mbahen zgjedhjet e lira “sipas ligjeve të Kosovës në katër komuna në veri, me organizmin dhe menaxhimin e OSBE’së, më së largu në vjeshtë të këtij viti”.
EXPRESS
Add new comment