Listat: intelektualë publikë, nuk ka; kundërshtime, nuk ka. Miratohen

Postuar në 11 Maj, 2013 02:45

 

Sipas Ralph Waldo Emerson-it intelektuali, ndërkohë që pasurohet nga e shkuara nuk duhet të jetë i kufizuar te librat.Aktiviteti  i tij më i rëndësishëm është aksioni. Inaksioni është burracakëri. Intelektuali i Emerson-it ‘ruan idetë e mëdha të së shkuarës, i komunikon ato dhe krijon ide të reja. Ai është syri i botës’. Për më shumë ai ia komunikon idetë e tij botës dhe jo vetëm rrethit të tij intelektual.

Ajo që mund të duket tronditëse në përkufizimin e intelektualit të Emerson-it vjen tani. Sipas tij, intelektuali nuk i bën këto gjëra si detyrim ndaj shoqërisë, por si obligim ndaj vetes. Aksioni publik është pjesë e të qenit One Man, një njeri i plotë.

Gjurmë të këtij intelektualizmi të një njeriu të plotë që vepron si detyrim ndaj vetes gjejmë për shembull te Kadareja. Në një intervistë të tij, ai, me njëfarë vetëbesimi kokëfortë pat shpallur ‘unë nuk kam ndonjë kontratë me popullin shqiptar”. Pra, duke iu brendashkruar intelektualit të Emerson-it, ‘veproj si detyrim ndaj vetes’.

Rolin dhe përkufizimin e intelektualit publik e sheh më politikisht Eduard Said i Universitetit të Columbia-s. Sipas tij, misioni i intelektualit është avancimi i lirive dhe dijeve të njeriut. Kjo do të thotë, argumenton Said, të rrish jashtë shoqërisë dhe institucioneve të saj duke e trazuar pa pushim status quo-në. Por intelektuali i Said-it duhet të jetë gjithashtu pjesë e shoqërisë dhe duhet t’ia përcjellë shqetësimet e tij një publiku sa më të gjerë. Kështu, ai duhet të bëjë barazpeshimin e privates me publiken. Përkushtimi i tij/saj privat te një kauzë shërben si forcë e domosdoshme shtytëse. Por, argumenton Said, kjo kauzë duhet të jetë relevante për shoqërinë.

Sigurisht këto janë vetëm dy përkufizime, edhe pse përfaqësuese, të intelektualit publik. Ka ndoshta duzina me të tjera, dhe në këtë vazhdë është edhe përpjekja e përvitshme e revistës prestigjioze amerikane Foreign Policye cila liston ‘100 mendimtarë globalë’ (global thinkers). Për të kuptuar disi relevancën, por edhe peshën e atyre që bota konsideron si intelektualë publikë, ja një listë me 10 emrat e parë të njëqindëshes së artë të Foreign Policy për vitin 2005: Noam ChomskyUmberto EcoRichard DawkinsVáclav HavelChristopher HitchensPaul Krugman, Jurgen Habermas, Amartya Sen,Jared Diamond, Salman Rushdie.

Por jemi në Shqipëri, në një vend ku përkufizimi i intelektualit ende bartet nga periudha e komunizmit, kur i tillë (intelektual) konsiderohej gjithkush që merrte diplomën e shkollës së lartë. Intelektuali publik ende nuk është pranuar si përkufizim, edhe për faktin se pas një centralizimi dhe kontrolli të gjatë të superstrukturës shtetërore, ka pasuar një skepticizëm (provincial!) që e shtyn axhendën e pabarazisë, edhe kur pabarazia është e mirë dhe e nevojshme sepse shërben cilësinë, duke hapur precedentin e rrezikshëm tëbarazisë së të gjithëve në inteligjencë. Shenjë e kësaj është armiqësia e skajshme ndaj atyre që janë aktivë në shtyp apo televizion, kundër të cilëve në çdo blog, sajt apo Facebook gjen një lukuni anonimësh të cilët i përfaqëson “kredoja!” u bo ky!

Ky mosbesim apo dhe përçmim ndaj intelektualit publik shoqërohet edhe me një ftohje të partive politike me ta. Ndër 280 emrat e kandidatëve për deputetë të dy partive të mëdha PD e PS, 110 janë emra që tingëllojnë të njohur, ndërkohë që 170 janë anonimë. Ndër 110 të njohurit (ky term nënkupton njohje mediatike, jo kontribute intelektuale) për ata që mund të konsiderohen intelektualë publikë mund të ngresh vetëm gishtat e njërës dorë.

Avokati Spartak Ngjela ka formuluar një tezë në librin Rënia dhe përkulja e tiranisë shqiptare 1957-2010 e cila mbahet tek argumenti se elitat politike shqiptare, me qëllim, e kanë asimiluar klasën intelektuale, pra ato janë anti-intelektuale. Nëse me intelektual nuk kuptojmë njeriun e ditur sipas përkufizimit komunist, por e gjejmë atë diku mes shtjellimeve që i bën Emerson-i apo Said-i, atëherë Ngjela ka të drejtë.

Partitë janë të detyruara me ligj dhe nën shtrëngesat e ndërkombëtarëve që të përmbushin një kuotë gjinore duke u dhënë grave 30 për qind të vendeve në lista dhe një prej tri pozicioneve të para në qarqe. PS ka 38 gra në listë, ndërsa PD, 26. Një përpjekje për të numëruar intelektualët do të ishte paradoksale dhe e mundur vetëm nëse do i besonim përkufizimit të para ’90-ës ‘intelektual është kushdo mbaron një shkollë të lartë’. Të gjithë e kanë nga një shkollë të lartë në lista, e ndoshta edhe dy. Intelektualizmin, sigurisht, nuk ua bën të dyshimtë të paturit e një diplome, por aktivizimi i saj: për të përdorur fjalët e Said-it ‘balancimi i saj mes privates e publikes’.

Ka shumë pak intelektualë publikë në lista. Për paradoks, ndër ata, pak të tillë janë dy kryetarët e partive që i bëjnë edhe këto ‘zgjedhje anti-intelektuale’ për të cituar sërish avokat Ngjelën: Sali Berisha dhe Edi Rama. Të dy këta mund të përshkruhen, edhe sipas shtjellimit të Said-it, edhe të Emerson-it si intelektualë publikë. Çfarë ka atëherë që s’shkon në stilin dhe përzgjedhjet e tyre? Pse ata preferojnë emra që vetëm në pak raste arrijnë të dalin përtej One Man (njeriut të plotë) të Emerson-it? Një pyetje më të drejtpërdrejtë: pse nuk është Spartak Ngjela, një intelektual publik padyshim në listën e Partisë Socialiste të Edi Ramës? Ose, pse nuk e futi Sali Berisha në listat e PD-së Preç Zogajn, gjithashtu një intelektual publik?

Sigurisht, e ndër të tjera, edhe për faktin se intelektualët publikë dinë ta jetojnë lirinë e tyre. Për këtë listat janë të tipit: intelektualë publikë, nuk ka; kundërshtime, nuk ka. Miratohen.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.