Levan-Vlorë, projekti me gabime

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar dje një fond të ri prej 3 milionë eurosh, i cili do t’i shtohet shumës së llogaritur paraprakisht për ndërtimin e segmentit Levan- Vlorë.
Fondi do të sigurohet përmes një marrëveshjeje me Bankën Europiane të Investimeve, ndërkohë që përpara deputetëve të Komisionit Parlamentar, zëvendësministri i Transporteve, Ernest Noka, tha se fondi do të mbulojë kostot shtesë të paparashikuara në projekt. Sipas shpjegimeve të zëvendësministrit, përllogaritjet gabim në projekt i detyrohen terrenit ku shtrihet ky segment i autostradës, një pjesë e mirë e të cilit është zonë ish-kënetore. Kjo ka bërë që të rritet kostoja e projektit. Vlera fillestare e kontratës ka qenë 41.9 milionë euro. “Rruga është projektuar gabim. Një pjesë e mirë e fajit i takon kompanisë ALPIN. Kjo ka krijuar dhe vonesat. Ajo ka disa procese gjyqësore. ALPIN ka ndryshuar stafin. Pjesa jonë ka të bëjë vetëm me shpronësimet”, - u shpreh Noka.
Punimet për ndërtimin e autostradës Levan- Vlorë, e cila shkurton ndjeshëm distancën Fier-Vlorë, nisën në vitin 2007 dhe parashikohej të përfundonin brenda 24 muajve. Në fakt, punimet për ndërtimin e rrugës përfunduan në gusht të këtij viti dhe sipas autoriteteve shkak për vonesën e punimeve janë bërë disa gabime në projekt. Kjo rrugë kushtoi në total afërsisht 60 milionë euro, ka një gjatësi prej 24.5 km dhe të jep mundësi për një shpejtësi lëvizjeje 120 km/orë.
Opozita ngriti akuza për zvarritjen e punimeve në këtë rrugë dhe rritjen e kostos në mënyrë abuzive. Ky fond shtesë u miratua nga votat e mazhorancës në këtë komision. “Rastet e rrugës Fier-Vlorë dhe Fier- Tepelenë janë raste tipike pikërisht të dështimit në infrastrukturën e vendit tonë.
Albanian Screen

Add new comment