Legalizimi i pallateve, PS abstenon: Akt elektoral

Deputetët e PD-së në Komisionin e Ligjeve votuan pro aktit normativ të ardhur nga qeveria për legalizimin e shtesave pa leje. Opozita abstenoi për draftin me argumentin se ai është elektoral dhe një premtim i bërë nga maxhoranca që në vitin 2009.
Nënkryetari socialist Fatmir Xhafaj tha se do ta kishte votuar pro një ligj për legalizimin po të mos kishte ardhur në formën që e solli qeveria.
“Është një shqetësim për ato familje dhe meriton një zgjidhje. Por duhet një zgjidhje që nuk është një premtim elektoral i 2009-s, i 2011-s dhe tani i 2013-s. Duhet një zgjidhje reale, dhe ky akt nuk e jep këtë gjë. Ky akt është një legalizim paligjshmërie. Akti normativ duhet të ishte përjashtim, sipas Kushtetutës. Ai sot është kthyer në një rregull të funksionimit, një ndërhyrje brutale e qeverisë mbi Legjislativin. Është një akt skandaloz i qeverisë me Kushtetutën dhe Kuvendin”, u shpreh Xhafaj.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, në emër të maxhorancës tha se akti u vjen në ndihmë familjeve që kanë ndërtuar pa leje, duke i pajisur ato me hipotekat.
PANORAMA
Add new comment