KQZ rrëzon kërkesën për mandatet: Tani e ka Kuvendi në dorë (për çfarë na duhet KQZ?)

Pas rreth 2 orë debatesh, kërkesa e 3 anëtarëve për të futur në rendin e ditës çështjen e ndarjes së mandateve është rrëzuar nga shumica në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Kryetarja e KQZ, Lefteri Lleshi ka argumentuar, se ndarja e mandateve tashme është në Kuvend dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund ta shqyrtoje më.
Përballë këtyre argumenteve, nënkryetari Denar Biba ka sqaruar se neni 22 i Kodit Zgjedhor, i jep të drejtë 2 anëtareve të KQZ të thërrasin mbledhjen, për çështjet qe dëshirojnë dhe kjo duhet të pasohet nga futja automatike në rendin e ditës e ndarjes së mandateve.
“Në bazë të ligjit kërkesa jonë duhet të përfshihet në rendin e ditës dhe të diskutojmë përmbajtjen, sepse ndryshe nuk mund të diskutohet”, tha ai.
Sipas kryetares Lleshi, kërkesa e opozitës nuk ka objekt për ta futur në rendin e ditës. Ajo tha se nuk po shkel ligjin duke mos e futur kërkesën e dy anëtarëve të KQZ, duke nënvizuar se tashmë procedura e ndarjes së mandateve nuk i përket më KQZ. Rrjedhimisht kërkesa nuk u mor në konsideratë.
“Për anëtarët e tjerë e kemi mbyllur procedurën, për ty ndoshta jo. Procedura tashmë i ka kaluar Parlamentit. KQZ nuk ka më tagrin t’i rikthehet dhe të marrë në shqyrtim mandatet. Nuk kemi më punë me caktimin e mandateve, ju vetë nuk votuat as në parim. Nëse do votosh në parim ke të drejtë të caktosh mandate. Argumenti juaj që unë po shkel ligjin është antiligjor. Ne nuk kemi më punë me mandatet”, iu përgjigj ajo Bibës.
Një tjetër shqetësim i ngritur në mbledhjen e sotme nga ana e kreut të sekretariatit zgjedhor të PS-së në KQZ-zë, Genc Gjonçaj, kishte të bënte me lëvizjet demografike, sipas tij, të qëllimshme, të bëra në prag zgjedhjesh. Gjonçaj iu drejtua komisionit me kërkesën për të hetuar mbi lëvizjet e qytetarëve drejt zonave verilindore, pikërisht në periudha parazgjedhore, pasi siç u shpreh ai, “Partia Socialiste ka mbledhur informacion të mjaftueshëm që vërteton këtë dyshim”.
Të mërkurën e kaluar, Komisioni i Ligjeve, vetëm me votat e mazhorancës miratoi p/vendimin që përcakton shpërndarjen e mandateve sipas formulës së zgjedhjeve të 2009-s.
Të enjten pritet që parlamenti të votojë ndarjen e mandateve që është përdorur edhe në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, vendim që nga opozita cilësohet antikushtetues.
TEMA
Add new comment