KQZ rikujton: Partitë përgjegjëse për manipulimet zgjedhore

Prishtinë, 21 mars – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tërhequr vërejtjen se nuk do të marrë asnjë përgjegjësi për manipulimin eventual të procesit të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen këtë vit e për të cilat kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se ky institucion është i gatshëm t’i organizojë. Për këto zgjedhje tashmë edhe presidentja Atifete Jahjaga ka nisur konsultimet me partitë politike.
“Kurdo që t’i shpallin ne jemi gati që të përgatitemi. Mirëpo sipas afateve ligjore, presidentja ka afat që deri më 15 maj t’i shpallë zgjedhjet lokale. Ndërkaq ato duhet të mbahen prej 15 shtatorit deri më 15 dhjetor, që është afati optimal”, është shprehur Daka. Duke kujtuar organizimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare të jashtëzakonshme të 2010-s, të cilat u përshkuan nga parregullsi të shumta, kryetarja Daka ka paralajmëruar partitë se përgjegjësinë për çdo manipulim që mund të ndodhë gjatë procesit zgjedhor do ta bartin komisionerët e tyre, të cilët i caktojnë vetë partitë.
“KQZ-ja do t’i organizojë zgjedhjet sikurse e parasheh ligji përkatës. Ndërkaq ka organe të tjera që merren me parandalimin e ndjekjes që merren me manipuluesit e zgjedhjeve. Dhe lirisht them se barra më e madhe për këtë bie mbi subjektet politike, të cilat i kanë komisionerët e tyre në vendvotime e të cilët kanë përgjegjësi të madhe për çdo manipulim eventual”, ka deklaruar Daka.
Për t’i shmangur mundësitë e manipulimit të procesit zgjedhor kryetarja Daka vlerëson se do të ishte mirë që zgjedhjet të mbaheshin para dhjetorit. Por, sipas saj, për këtë mund vendos presidentja.
“Do të ishte mirë që zgjedhjet të mbaheshin para dhjetorit për shkak të motit më të mirë. Dhe dihet se sa më pak sfida aq më kualitativ është organizimi i zgjedhjeve. Mirëpo më duhet të theksoj se kjo është kompetencë e presidentes dhe mbetet në diskrecionin e saj se kur do të vendosë që të mbahen zgjedhjet lokale”, është shprehur Daka.
Zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu, ka thënë se presidentja do t’i vazhdojë takimet edhe në ditët e ardhshme.
“Konsultat me partitë politike në Kosovë, ato parlamentare dhe me subjektet e tjera politike, do të vazhdojnë edhe në javët në vijim. Presidentja bazuar në kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore do t’i shpallë zgjedhjet komunale në afatin ligjor”, ka deklaruar Vllahiu.
Ndërkohë që burime të gazetës kanë bërë me dije se aktorët e përfshirë në këtë proces si datë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve e kanë paraparë 6 tetorin.
Mbajtjen e zgjedhjeve në mot më të mirë e ka kërkuar LDK-ja. Përfaqësuesi i kësaj partie, Ismet Beqiri, ka bërë me dije se kërkesa që zgjedhjet lokale të mos mbahen në dimër ia kanë prezantuar edhe presidentes Jahjaga.
E gatshme për të hyrë në zgjedhje lokale pa reformën zgjedhore është edhe lëvizja “Vetëvendosje”. Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, kujton se kjo lëvizje ka qenë e gatshme edhe për zgjedhjet lokale, edhe për ato qendrore qysh në muajin shtator të vitit 2011, vit ky kur kjo lëvizje kishte kërkuar dorëheqjen e Qeverisë Thaçi (gjerësisht në “Kohën Ditore”).
KOHA DITORE
Add new comment