Korça nuk ka gjimnaze, mijëra nxënës pa shkollë

Mijëra nxënës me nota mesatare dhe të ulëta si edhe 90 për qind e nxënësve nga fshati kanë mbetur jashtë listave të regjistrimit në gjimnazet e qytetit të Korçës. Prej njëzet vjetësh vazhdon të rritet kërkesa për studime në gjimnazet e qytetit duke e çuar këtë vit në 4 herë më të lartë kërkesën në raport me kapacitetet e shkollave të mesme.
"Akoma nuk jemi regjistruar. Unë i përkas shkollës 9-vjeçare "Nuçi Naçi" dhe nuk na pranojnë në këtë gjimnaz sepse nuk ka dalë emri i shkollës. Jam me disa shokë dhe edhe ata nuk janë regjistruar",-thotë një nxënës.
"Këtu thonë se nuk mund të hysh me këtë mesatare, vetëm për matematikën që e kam të ulët, por të tjerat janë shumë të larta dhe nuk më pranuan",-shprehet një tjetër nxënës.
"I bëra gati ato që më kërkuan, tani kërkojnë mesataren. Na thanë që ka edhe shkolla të tjera. Me këtë mesatare mund ta fusësh në një shkollë tjetër",-thotë një prind.
Ndërtimi i një shkolle të re të mesme në qytet mban peng situatën prej mëse 2 dekadash. Këtë dyndje drejtorët e shkollave të mesme të përgjithëshme e shfrytëzojnë duke vendosur kritere që mundësojnë thithjen e nxënësve më të mirë ose të atyre që kanë miq.
"Neve do të vendosim mbi bazën e kriterit të notës mesatare, pra do ta nisim nga nxënësit e 10-ës dhe do të zbresim deri një mesatare ku do të vendoset një kufi dhe për nxënësit e tjerë krijohet mundësia që ata të shkojnë në shkollat e tjera profesionale të cilat janë të shumta në qytetin tonë dhe që natyrisht kanë nevojë për të thithur nxënës",-thotë Vangjush Simaku, Drejtor i shkollës së mesme "Themistokli Gërmenji".
Ndarja që ka bërë drejtoria arsimore nëpër shkollat e mesme ka rezultuar e pavlerë, pasi dyert mbyllen me plotësimin e kapaciteteve.
"Drejtoritë e shkollave janë munduar të sqëaroj ë prindërit dhe për çdo rast që kanë qenë të paqartë ne si drejtori arsimore kemi marrë përsipër të japim përgjigje në mënyrë më korrekte dhe bazuar në të gjitha udhëzimet e fillim vitit",-u shpreh Kostika Kapedani, përgjegjës në Drejtorinë Arsimore, Korçë.
Pas disa ditësh fillon viti i ri shkollor në shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale. Por në Korçë shumë nxënës do të mbeten jashtë dyerve të tyre, të dënuar që të mbeten me vetëm 9 klasë shkollë.
Albanian Screen
Add new comment