Kodheli takon Chollet, vlerësohet kontributin ushtarak i Shqipërisë në Irak.

Postuar në 05 Shtator, 2014 12:15

Gjatë samitit të NATO-s që po zhvillohet në Uells të Mbretërisë së Bashkuar Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka zhvilluar një takim me Derek Chollet, asistentin e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA, Chuck Hagel.
 
Detajet mbi takimin bëhen të ditura nga një deklaratë për shtyp e Ministrisë së Mbrojtjes nga ku mësohet se gjatë takimit u diskutuan çështjet me interes të përbashkët, duke vënë theksin, në veçanti, në sfidat e sigurisë që komuniteti ndërkombëtar është duke përballuar së fundmi. Ministrja Kodheli, nga ana e saj, vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dypalësh në fushën e mbrojtjes me SHBA, duke e cilësuar, këtë të fundit, si një partneritet serioz. Kodheli garantoi se Shqipëria do të jetë prezent si një aleat i denjë për të dhënë kontributin e saj. Gjithashtu ajo theksoi se lufta kundër terrorizmit kërkon mbështetje dhe bashkëpunim të gjerë.
Chollet, nga ana e tij, nënvizoi rëndësinë e partneritetit me Shqipërinë dhe shprehu vlerësimin e lartë të SHBA për rolin dhe kontributin që vendi ynë ka dhënë dhe po jep në përballimin e sfidave të sigurisë, si prioritet për vetë zonën euro-atlantike. Gjithashtu, asisteni i Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA, Chollet, vlerësoi përfshirjen e Shqipërisë në operacionin për ndihmë ndaj qeverisë së Irakut, duke nënvizuar faktin se Shqipëria ishte ndër të parët vende që iu përgjigj thirrjes së tyre.
 
Nga deklarata për shtyp e Ministrisë së Mbrojtjes mësohet dhe se, gjatë samitit në Uells, Ministrja Mimi Kodheli ka takuar edhe vetë sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel. Ky i fundit ka falënderuar Kodhelin për të gjithë kontributin e dhënë nga Shqiperia në kohë krizash dhe pasigurie botërore. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.