KLD, replika mes Nishanit dhe Naços

Postuar në 12 Tetor, 2013 04:18

Ministri i Drejtësisë: Korrupsioni, të rivlerësohen gjyqtarët: Presidenti: Mos hidhni baltë ndaj të gjithëve

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, dhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kanë shkëmbyer dje replika në mbledhjen e KLD-së. Naço deklaroi se sistemi i drejtësisë është me probleme, ndërsa kërkon vlerësim të dytë për gjyqtarët në mënyrë që mos bëhen pjesë e korrupsionit. Nishani apeloi të mos hidhet baltë në mënyrë kolektive, pasi njollosen edhe gjyqtarët, të cilët janë kurajozë e profesionalë në punën e tyre.

“Nëse ne vlerësojmë gjyqtarin për vitin 2005-2006 në vitin 2014, unë besoj se nuk është sukses. Mjafton të lexosh ligjin, thotë të paktën një herë në tre vjet. Do të vazhdojmë me nenin 14, i po këtij ligji: ‘Për efekt të karrierës profesionale, KLD mban një listë të përhershme të renditjes së gjyqtarëve për rezultatet e punës në vijimësi, e cila përditësohet një herë në gjashtë muaj’”, tha Naço.

“Ju informoj se në çdo rast ka një listë. Jeni i mirëpritur që listën ta merrni në çdo rast pranë KLD-së. Ka një listë dhe asnjëherë nuk është vepruar pa listë’, tha Nishani.

Replika mes Naços dhe Nishanit paralajmëron “furtunë” në tryezat e ardhshme të KLD-së, veçanërisht për mënyrën se si vlerësohen gjyqtarët në Shqipëri, një tezë kjo e përmendur pak ditë më parë me shqetësim nga ministri Nasip Naço. Ministri mendon se KLD ka nevojë për reformë, pasi ky Këshill vlerëson me vonesë gjyqtarët. Anëtari Gjin Gjoni pyeti ministrin për reformat e mazhorancës së re në drejtësi. Pyetja e Gjonit ishte: “Nëse ministri i Drejtësisë ose mazhoranca aktuale ka ndonjë projekt apo plan në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë, është mirë që KLD të jetë një aktor kryesor, pasi është grup interesi në lidhje me momentin e reformimit të sistemit të drejtësisë”.

Naço tha se: “Nuk fola për reforma. Kur vijmë në një pikë tjetër të rendit të ditës do të flasim për reformën dhe sigurisht do ta reformojmë të gjithë sistemin, se ka nevojë të reformohet. Ne po flasim për zbatimin e ligjit dhe në këtë moment do të kërkoj zbatimin e ligjit”, u përgjigj ai.

Për shkak të garimit për kryetar gjykate të dy pretendentëve Rexhep Karaj dhe Artan Çupi, ministri Naço iu referua mbi një herë frazës “të zbatohet ligji në KLD”, një frazë kjo që me sa duket u pa me rezerva nga Presidenti, si intimidim ndaj gjyqësorit, pasi sipas Presidentit, gjyqtarët nuk mund të lakohen kolektivisht.

“Sidomos nga KLD-ja do të kërkoj zbatimin e ligjit, nëse nuk e zbatojmë ne këtu, ne nuk kemi të drejtën morale të kërkojmë për gjyqtarët e tjerë në të gjitha nivelet. Sipas raportit të BE, gjykatat në Shqipëri janë të korruptuara”, tha Naço. “Në fjalën e ministrit nuk pranoj intonacionin që ministri paska ardhur të zbatojë ligjin dhe ne e kemi shkelur atë vazhdimisht. Absolutisht jo”, tha nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa.

“KLD, politika dhe të gjitha institucionet e këtij vendi kanë detyrim ndaj qytetarëve, të angazhohen në reforma që rrisin profesionalizmin e gjyqtarëve tanë. Angazhohen për reforma që rrisin transparencën e gjyqësorit, të angazhohen në reforma që japin garanci ligjore dhe mbrojtje integriteti të gjyqtarëve tanë. Nuk është e drejtë, nuk është korrekte dhe jo në shërbim të reformave, padrejtësisht të njollosen të gjithë gjyqtarët e Republikës. Nuk mund të barazohet i korruptuari me kurajozin”, tha Nishani.

Ndërsa anëtari i KLD, Neshat Fana, le këtë detyrë për të drejtuar Shkollën e Magjistraturës, anëtari më i ri i Parlamentit, Sokol Çomo, nuk u pranua të ulet në karrigen e tij, me argumentin se nuk kishte mbërritur dokumentacioni nga Parlamenti.

Debatet
Naço: Nëse ne vlerësojmë gjyqtarin për vitin 2005-2006 në vitin 2014, unë besoj se nuk është sukses. … KLD mban një listë të përhershme të renditjes së gjyqtarëve për rezultatet e punës në vijimësi, e cila përditësohet një herë në gjashtë muaj
Nishani: Ju informoj se në çdo rast ka një listë. Jeni i mirëpritur që listën ta merrni në çdo rast pranë KLD-së. Ka një listë dhe asnjëherë nuk është vepruar pa listë
Gjoni: A ka ministri apo mazhoranca aktuale ndonjë projekt apo plan në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë? …Është mirë që KLD të jetë një aktor kryesor…
Naço: Nuk fola për reforma. Kur vijmë në një pikë tjetër të rendit të ditës do të flasim për reformën dhe sigurisht do ta reformojmë të gjithë sistemin, se ka nevojë të reformohet.
Naço: Sidomos nga KLD-ja do të kërkoj zbatimin e ligjit, nëse nuk e zbatojmë ne këtu, ne nuk kemi të drejtën morale të kërkojmë për gjyqtarët e tjerë në të gjitha nivelet. Sipas raportit të BE, gjykatat në Shqipëri janë të korruptuara
Çefa: Në fjalën e ministrit nuk pranoj intonacionin që ministri paska ardhur të zbatojë ligjin dhe ne e kemi shkelur atë vazhdimisht. Absolutisht jo!
Nishani: Nuk është e drejtë, nuk është korrekte dhe jo në shërbim të reformave, padrejtësisht të njollosen të gjithë gjyqtarët e Republikës. Nuk mund të barazohet i korruptuari me kurajozin

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.