Këshilltari i kryeministrit Rama, Shkëlzen Maliqi: Turqia, jo një perandori e re

Turqia është një nga shtetet e pakta që ka evituar krizën edhe pse ka patur një krizë të brendshme që ende vazhdon rreth parkut Gezi në Stamboll, por si ekonomi është e fortë dhe ka mundësi për investime, por jo me idenë se ata do të rikrijojnë përmes penetrimit ekonomik një lloj perandorie të re.
Kështu shprehet publicisti nga Kosova, Shkelzen Maliqi në një intervistë për emisionin 'Diplomaticus', të gazetarit Erion Kaçorri në Neës 24. Sa i përket ndryshimit të teksteve të historisë, Maliqi shprehet se Shqipëria dhe Kosova mund të vendosin vetë për të ndryshuar ose korrigjuar këto tekste nëse ato vërtet përmbajnë një lloj gjuhe urrejtjeje, por nuk është e thënë se Turqia duhet ta imponoje këtë.
Duke iu referuar vizitës së kryeministri Turk Erdogan në Kosovë, publicisti Maliqi shprehet se Turqia është një prej vendeve më mbështetëse të pavarësisë se Kosovës, që ka ndikuar në shumë shtete, sidomos në botën arabe. “Vizita e kryeministrit Erdogan në inaugurimin e terminalit të aeroportit të Prishtinës është një ngjarje ku në mënyrë konkrete dëshmon se Turqia ekonomikisht është prezente në rajon”, thekson Maliqi.
Publicisti nga Kosova, Shkëlzen Maliqi ndalet edhe tek teza e kryeministrit Rama, zero probleme me fqinjët, kjo sipas Maliqi nuk do të thotë që të mohohen problemet, por të synojmë që t’i zgjidhim të gjitha ato.
“Nëse ekzistojnë probleme me Greqinë për shembull rreth çështjes çame, apo rreth çështjes së gjendjes së luftës, atëherë ato duhet të adresohen, të bisedohet për ato dhe të tejkalohen. Kemi rastin e Serbisë e cila ka pasur armiqësi me të gjitha fqinjët, por tashmë që po afrohet çështja e integrimit, ata duhet t’i rregullojnë edhe problemet e kufijve, edhe raportet me pakicat, pra është një politikë largpamëse sepse këto probleme nuk mund t’i fusësh nën rrogoz, por duhet t’i adresosh ato”, -shprehet këshilltari i kryeministrit Rama për çështjet e rajonit Shkëlzen Maliqi.
Sa i përket partneritetit strategjik të Shqipërisë, publicisti nga Kosova, deklaron se partnerë të tillë Shqipëria konsideron SHBA-të dhe Bashkimin Europian.
“Partnerët strategjikë në kuptimin e orientimit të Shqipërisë për integrime euroatlantike, jane SHBA dhe Brukseli dhe Shqipëria si synim ka integrimin në BE. Me sa kam dëgjuar kryeministrin Rama, ai ka projekte për të mbajtur mbledhje të përbashkëta, jo vetëm me qeverinë e Kosovës, por edhe me qeverinë Italiane dhe qeveri të tjera, në mënyrë që të intensifikohen këto raporte dhe të kalohet në projekte konkrete”, deklaroi Maliqi.
Shekulli
Add new comment