Itali, sekuestrohen 21 kg heroinë. Korrierja serbe i kaloi nga Durrësi

BARI- Autoritetet doganore në portin e Barit dhe Guardia di Finanza italiane kanë vënë në pranga një 30 vjeçare nga serbia pasi i’u zbulua, e fshehur në makinën e saj, një sasi heroine prej 21 kg. Trafikantja në fjalë kishte kaluar tranzit dhe në vendin tonë.
Ngarkesa, 21 kg heroinë e pastër, ishte e ndarë dhe e ambalazhuar në 41 pako të ndryshme. E gjithë droga ishte fshehur në hapësira të ndryshme të veturës me të cilën udhëtonte shtetësja në fjalë, më konkretisht poshtë dyshemesë dhe në binarët anësorë.
Gjithashtu raportohet se trafikantja u ndalua dhe u vu në pranga pasi kishte zbritur nga një traget që vinte nga porti më i madh i vendit tonë, Durrës. Ndërsa ende nuk dihen implikimet e mundshme që mund të ketë patur kjo shtetase me trafikun e heroinës në vendin tonë, mbi 30 vjeçaren serbe aktualisht rëndon akuza për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Heroina e konfiskuar, e një cilësie të pastër, do t’i kishte dhënë organizatave kriminale një fitim prej 1,5 milionë euro.
Add new comment