Itali, goditet grupi shqiptar i drogës

Policia italiane e qytetit të Venecias ka ndërmarrë mëngjesin e së entjes një operacion të gjerë anti-drogë, që është shtrirë edhe në Shqipëri.
Sipas mediave të vendit fqinj, policia ka goditur një grup të trafikut ndërkombëtar të drogës të përbërë nga shtetas shqiptarë, të cilët lëviznin sasi të mëdha narkotikësh.
Sipas burimeve, gjithësej janë lëshuar 11 urdhër-arreste. Mes të arrestuarve është edhe kreu i grupit kriminal që jetonte në Shqipëri.
Në operacionin e koduar me emrin “Underground”, skuadra speciale ka sekuestruar edhe një sasi prej 1 ton drogë të llojit marijuanë.
Më herët gjatë muajit, dy shqiptarë u kapën me drogë dhe armë në Katania, në vendin fqinj. Mediat lokale bënë të ditur se Hysni Hoxha 30 vjeç dhe Ermal Kasaj, 26 vjeç, u kapën me 900 kg kanabis në zonën e Belpasos në qytetin siçilian.
Gjatë kontrollit të makinës së tyre karabinierët bllokuan dhe disa armë të cilat dy të rinjtë i mbanin pa leje. Operacioni policor për kapjen e dy shqiptarëve u krye nga policia e Katanias në bashkëpunim me atë të Komos.
Dy të rinjtë e ndaluar ishin korrierë të drogës. Nga përllogaritjet paraprake sasia do të kapte vlerën e 1 milionë eurove.
Të njëjtën ditë në portin e Ankonës u zbulua një ngarkesë droge e llojit heroinë. Rreth 7 kilogramë e gjysmë me një vlerë rreth 1.5 milion euro u zbulua në automjetin e një të riu shqiptar, që sapo kishte zbritur nga një anije që vinte nga porti grek i Igumenicës dhe u arrestua menjëherë.
TOP CHANNEL
Add new comment