Isa Mustafa: LDK-në nuk mund ta mposhtë asnjë parti politike

Postuar në 20 Janar, 2013 13:34

Gjilan, 20 janar - Në një akademi përkujtimore kushtuar Ibrahim Rugovës, lideri i LDK-së, Isa Mutafa tha se vlera më e madhe e kësaj partie është presidenti i saj historik, Ibrahim Rugova. “Vlera më madhe e LDK-së është, ka qenë dhe do të mbetet presidenti i saj historik, Ibrahim Rugova”. Duke folur para aktivistëve të kësaj partie, Isa Mustafa tha se LDK-ja është parti e fortë dhe unike dhe atë nuk mund ta mposhtë asnjë parti tjetër politike. “LDK-në mund ta mposhtin vetëm përçarjet brenda saj, sepse sa herë që kemi qenë të përçarë gjithmonë kemi humbur”, tha ai. 

Duke folur për dimensionet historike të aktivitetit të Rugovës, kreu i LDK-së tha se ai ka ditur më mirë se çdo lider tjetër në Evropë të artikulojë kërkesat e drejta të popullit shqiptar, duke përdorur vetëm tri fjalë të mëdha e që u bënë synim i popullit tonë e ato ishin: liria, pavarësia dhe demokracia, informon rajonipress.

“Ai i hapi të gjitha dyert e Kosovës në shtetet e Evropës. Andaj, nga këto premisa rugoviane, ne si LDK si anëtarësi e si lidership do ta ngremë dhe avancojmë në mënyrën më të përkushtuar veprën e tij. 

Mustafa tha se anëtarësia e LDK-së e jo lidershipi është ajo që e kultivon më së miri frymën rugoviane. “Ne do të angazhohemi dhe do ta respektojmë qëndresën tonë rugoviane sepse Rugova u angazhua për një shtet demokratik, ligjor e të lirë. Rugova u angazhua jo vetëm për lirinë e njerëzve, por që ata të kenë punësim, paga të mira, pensione të mira etj.”.

Lutfi Haziri, kryetar i degës së LDK-së në Gjilan, tha se Gjilani dhe Kosova sot me dhimbje, por edhe me krenari e përkujtojnë presidentin Rugova. “Nuk e kemi pasur të lehtë punën pas vdekjes së Rugovës sepse ai na la në momentet kur më së shumti i duhej Kosovës dhe popullit të saj. Pas vdekjes së Rugovës LDK pati edhe sfida, por tani jemi më të bashkuar e më unik, por mos harroni se themelet e shtetit të Kosovës i vuri presidenti Rugova. Tani, shtatë vjet pas vdekjes së tij, LDK-ja po kthehet fuqishëm aty ku deshi Rugova. Andaj me fanatizëm duhet t`i ruajmë vlerat e krijuara nga LDK dhe Rugova”, tha Haziri.

 

 

 

KOHA DITORE

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.