INTERVISTA/ Mark Frroku: Tani që u bëra deputet, misioni im do jetë bashkimi i kristian-demokratëve

Është fitimtar e madje jo pak i rëndësishëm në koalicionin e majtë, Aleanca Europiane. Mark Frroku, vëllai i të dyshuarit si autor i vrasjes së komisar Dritan Lamajt, është deputet i Kuvendit të Shqipërisë. I kandiduar nën siglën e Partisë Kristian Demokrate, Frroku ia ka dalë të marrë aq vota sa të sigurojë mandatin për zonën e Pukës. Tashmë, këtë sfidë e quan tw mbyllur, për të hapur në parlament një tjetër, më të rëndësishme. Bashkimin e kristian- demokratëve dhe krijimin e një flote ajrore për shuarjen e zjarreve.
Z. Mark, është e vërtetë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar zgjedhjet, por ju tashmë jeni deputet. Dalja juaj si deputet, ka qenë surpriza e këtyre zgjedhjeve, ju e prisnit këtë rezultat?
Patjetër që e prisja. Përfshirja jonë në politikë ka nisur me kohë. Për të qenë të vërtetë, fushatën e ka nisur vëlla im, Arben Frooku, por në pamundësi për ta vazhduar ai, e mbarova unë këtë rrugë. Ne kemi mbështetje të madhe në zonë dhe ia arritëm. Me lodhje, por ama ia dolëm.
Në fakt përgjatë një muaji që u zhvillua fushata, ndaj jush nuk pasur ndonjë vëmendje, qoftë nga media, ashtu edhe nga politika. Dhe ai pak interes që ishte, ndodhi për shkak të vëllait tuaj, i vënë nën akuzë për vrasjen e një komisari. Kjo gjë ju shqetësoi? Ju bëri pesimist apo shtoi sfidën tuaj në këtë garë elektorale?
Në fakt kjo më bëri më shumë optimist se sa pesimist. Unë jam marrë direkt me zgjedhësit, me zonën dhe i kam lënë pas të gjitha këto.
Në fakt, ky skepticizëm, ose ta quajmë mosdashësie, u pa dhe nga aleati juaj. Ju asgjëkund nuk jeni parë përkrah Ramës apo zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste. Gati, gati, dukej se ishte një marrëveshje ku gjithsecili shihte rrugën e tij, për mos me thënë, takohemi në fund të saj, nëse ia dilni. A ishte e tillë marrëveshja me PS-në?
Në fakt gjithsecili ka qenë në punë e tij, dhe me sa kam dëgjuar unë, direktiva e kryetarit të Partisë Socialiste ka qenë e qartë për kandidatët e vet. Kërkoni votën për partinë tuaj dhe aleatët të kërkojnë votën për vetën e tyre, e kjo është mëse normale.
Në Pukë, në dijeninë time, elektorati është i djathtë. Pukjanët me kristian- demokratët çfarë i lidh? Aty popullsia është e varfër e normale do ishte të pranonin një program të djathtë, apo një forcë të madhe politike që u premton më shumë. Një popullsi kaq të varfër, si e bindët të votonte për ju?
Pukjanët, në fakt në shumicën dërrmuese i përkasin spektrit kristian. Unë vij nga Puka, aty jam lindur, aty jam rritur dhe asnjëherë nuk i kam shkëputur marrëdhëniet me Pukën. Aty ne kemi investuar, jemi mbledhur me bashkatdhetarët, bashkëpatriotët tanë. Kohët e fundit ne kemi marrë dhe kemi investuar në ekipin e futbollit të këtij qyteti, Tërbunin e Pukës. Ne investojmë në këtë klub, që është i vetmi argëtim për pukjanët. Vij nga një familje punëtorësh dhe ua di hallet shumë mirë pukjanëve. Për këtë besoj se më kanë votuar.
Kaq mjaftoi që të siguroni kaq shumë vota sa dhe të dilni deputet? Sepse të thuash që janë popull kristian e votuan për ju, unë nuk besoj se përfaqësoni një parti fetare?
Jo. Ne nuk jemi parti fetare, por jemi parti gjithëpërfshirëse, por dhe si e thashë më parë, pukjanët i njoh shumë mirë ndaj..
Po ata si ju njohin ju?
Edhe ata na njohin shumë mirë. Ne kemi mbajtur lidhje me to. Ato njohin shpirtin tonë, punën tonë, njohin njerzillëkun tonë, dhe na besuan, na votuan.
Puka është një zonë tmerrësisht e varfër. Cili është premtimi që ju keni bërë në këtë qytet ku, i vetmi argëtim është një skuadër futbolli, që ju sjellë para atyre që e zotërojnë?
Pukës, në përgjithësi Shqipërisë, i lind për të detyrë që të zhvillojë turizmin. Për mua kjo është e vetmja formë dhe mënyrë për t’u zhvilluar ky qytet edhe për të rritur mirëqenien. Turizmi malor, i cili ka filluar me ritme shumë të vogla, por që duhet rritur e zhvilluar. Pastaj duhet të hapen disa vende pune duke tërhequr biznesmenë nga jashtë apo vendas, që të bëjnë ndonjë minifabrikë të drurit, që të punësohet x person sepse edhe pse është qytet me një terren shumë të madh, Puka ka një popullsi shumë të vogël. Pastaj, mund të zhvillojë blegtorinë që i ka të gjitha kushtet. Këto kanë qenë pikat dhe shtyllat kryesore që unë kam bazuar fushatën time e që unë besoj se do të sjellë ndryshimin e qytetit. Pastaj çdo investim, unë e kam thënë para zgjedhjeve, çdo investim që do të merret për Pukën, unë do të bëhem supervizor i tij, në mënyrë që paratë të shkojnë tek qytetarët dhe jo nëpër xhepat e personave të caktuar.
Në Pukë, ka pasur pyje masive, së fundmi është bërë masakër e vërtetë. Është ky një shqetësim i juaj personal, qoftë dhe si banor i zonës?
Puka ka qenë një ndër rrethet me pyje më masive në Shqipëri, dhe për këto 22 vjet pyjet e Pukës janë shkatërruar totalisht. Ka filluar të rigjenerohet një pjesë e kjo është shumë e mirë. Është një problem shumë madhor, sepse qeveritë shqiptare nuk kanë pasur asnjë herë mundësitë që t’i shpërbejnë dhe të parandalojnë zjarret që kanë bërë një shkatërrim masiv në pyjet e Pukës dhe gjithë Shqipërisë. Është një fatkeqësi shumë e madhe që Shqipëria, me një sipërfaqe 28 mijë km katrorë, me një popullsi mbi 4 milion, mos të ketë një avion për shuarjen e zjarreve, apo helikopter, të cilin e marrim me qira nga Mali i Zi, është fatkeqësi. Kjo është një pjesë për të cilën unë do të ngre zërin në parlament. Shqipëria duhet të ketë flotën e vet për shuarjen e zjarreve pasi ne kemi pafund pyje. Krijimi i flotës dhe bashkimi i kristian- demokratëve do të jetë misioni im në parlament.
Ju ishit surprizë, por unë besoj se ju jeni gjendur midis dy zjarreve, PD-së dhe PS-së. Në fakt, si ia dolët? Pa media, pa mbështetje të madhe, pa komisioner, i sulmuar dhe nga partia në pushtet?
Në fakt sulmi nga partia që ishte në pushtet ka qenë i madh. Ata kanë menduar se do më bëjnë keq, por e vërteta doli se më bënë mirë. Më kanë bërë reklamë të papame ndaj meje, dhe ndaj familjes sime. Edhe sikur të paguaja shuma të madha, nuk do ia dilja të bëja këtë reklamë.
E meqenëse po flasim për para, ka shumë zëra që votat janë të blerë, si asnjë herë tjetër, në këto zgjedhje parlamentare. Një votë ka kushtuar edhe 200 euro. Duke qenë se ju thoni se nuk keni paguar për reklamë, këto para a i keni përdorur për të blerë vota?
Ju e dini se si bëhen fushatat. Fushata kanë forma të ndryshme, duket të kesh njerëz me vete, të cilët duhet të hanë, duhet të pinë, duhet të paguhen. Në fushatë duhet të bësh takime, dhe ata duan para sepse njerëzit duan të pinë një kafe apo dhe gjera të tjera, kur të vijnë të takojnë. Në fushatë duhet të kesh makina, por dhe ato duan karburant, duan servis, kjo është fushata. Sa i përket blerjes së votës, me para në dorë, këtë mundësi e ka pasur partia në pushtet.
Por në fakt zërat kanë dalë edhe për partitë që ishin në opozitë…
Unë besoj se shansin e kishin ata që ishin në pushtet. Por unë mendoj se, jo vetëm unë, por çdo parti përballet me këtë fenomen, pastaj është në dorë të kandidatit të zgjedhë rrugën e tij.
E ju cilën rrugë keni zgjedhur?
Unë për vete nuk kam blerë votë me para…
Tashmë jeni në parlament. Për mendimin tuaj, cilat do të jenë shtyllat kryesore të rimëkëmbjes së vendit? Jeni dakord me taksën progresive?
Unë e thashë, kam jetuar në Amerikë dhe për mua shembulli më i mirë është ai i amerikanëve. Tatimi duhet të jetë mbi fitimin, dhe të jetë njëlloj për të gjithë, si ai që fiton 10 lekë e paguan 2 lekë si ai që, fiton 100 lekë e paguan 20 lekë. Kjo është taksative për mua dhe unë i qëndroj kësaj deri në fund.
Por a nuk do ju vë ky qëndrim në kundërshti me Ramën?
Unë në radhë të parë shoh interesat e biznesit në përgjithësi, dhe interesat e biznesit tim, në veçanti. Dhe për mua taksimi jo progresiv, është mënyra më e mirë për të zhvilluar vendin. Në qoftë se unë do të paguaj më shumë para se sa fitoj, atëherë unë nuk do të merrem kurrë me zgjerimin e biznesit, por do të rri me një biznes të vogël. Nuk është kollaj të mbash në këmbë një biznes, ai ka streset e veta, por nëse ti e takson më shumë sa duhet, atëherë destinohet të mbyllet.
Tashmë që jeni deputet, mbajtja e biznesit është në kundërshtim me ligjin. Çfarë do të bëni me kompanitë tuaja?
Ato që bien në kundërshtim me ligjin do i shes. Si gjithë të tjerët. Por unë biznesin e kam ngritur pa qenë deputet.
E në fakt ky parlament ka një duzinë biznesmenësh, është pozitive kjo?
Për mua nuk ka asgjë negative. Unë po ju them se biznesi është oksigjeni dhe gjaku i zhvillimit.
Por qytetarët a duhet të kenë frikë që, një grup biznesmenësh, që për të mbrojtur interesat e tyre, do hartoni dhe keni dakortësi për një mori ligjesh që bien ndesh me të drejtat e qytetarëve?
Unë nuk mendoj kështu. Unë mendoj se populli nga biznesmenët ka të mira, se ata hapin vend pune. Unë nuk mendoj se biznesmenët janë e keqja e këtij vendi. Unë për veten time do të luftoj që pjesa punëtore dhe administrata e shtetit, të ketë pagë që t’i përgjigjet nevojave dhe familjeve shqiptare, dhe jo të jetë paga e tyre nën kuotën minimale që personi, qoftë dhe ai që punon në administratë, të mos jetë i zoti të mbajë veten dhe familjen. Kjo ka dhe një pakt shumë pozitiv dhe do të ulë dhe korrupsionin.
Korrupsioni e gjeti një zgjidhje. Po me krimin e organizuar si mendoni se duhet të luftohet? Ju keni dhe një histori të hidhur. A do të bëheni pjesë e atij grupi parlamentar për të iniciuar politika më të ashpra për të luftuar krimin e organizuar?
Unë mendoj që si parlamenti duhet të nxjerrë ligjet që përputhen dhe shkojnë në interes të njerëzve. Si në administratë, ashtu dhe njerëzve të thjeshtë u mjafton vetëm një gjë. Të jenë të drejtë dhe krimi i organizuar do t’i ketë ditët shumë të shkurtra. Mendoj se korrupsioni është më vështirë për t’u çrrënjosur.
Në programin e partisë suaj, a parashikoni një dënim më të rëndë për krimin e organizuar apo për korrupsionin?
Kohët e fundit parlamenti miratoi një paketë ligjore, të cilëve nuk ke ç’i shton. Por unë jam që për korrupsionin ligjet duhet të jenë shumë më të ashpra, sidomos për administratën e shtetit.
Ju thatë pak më parë se reklama e bërë, për shkak të akuzës së ngritur mbi vëllain tuaj, ju solli fitoren. Por kjo qasje që ju keni për korrupsionin vjen pasi gjykoni se vëllai juaj u vu nën akuzë për shkak të korrupsionit të policisë e se akuzat e ngritura ndaj tij, janë rrjedhojë e saj?
Tashmë dihet publikisht. Kanë kaluar, më shumë se katër muaj, dhe vëllai im është i arrestuar. Nuk ka asnjë indicie që e lidh vëllain tim me këtë vrasje. Plus që ne, privatisht i kemi vënë në dispozicion organit të akuzës të gjitha provat që vërtetojnë së vëllai im ka qenë, minimalja 40 minuta, larg vendit të ngjarjes kur ka ndodhur vrasja. Megjithatë ne besojmë tek drejtësia. Im vëlla do të vijë dhe do të përballet me të. Unë dhe familja ime nuk kërkojmë gjë tjetër veç drejtësisë. Tani është shumë më e lehtë për të vënë drejtësi në këtë vend. Tashmë administrata është shumë më e lirë. Kjo është fitorja më e madhe që më gëzon më shumë.
Tema
Add new comment