Ilir Meta: Duhen respektuar verdikti i qytetarëve

Postuar në 20 Mars, 2013 03:02

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi nga Fieri se politika duhet të votojë për tre ligjet, që të mos bllokohet integrimi.

“Dje në Parlament ka ndodhur një akt pozitiv, në një kohë që dëshira për tu hequr sa më nacionalist pushtoi skenën politike. Dje Parlamenti ynë bëri një akt pozitiv dhe evropianizues duke respektuar kërkesën e komunitetit maqedonas dhe duke i vendosur emrin Komunës Liqenas ashtu siç ka qenë. Votimi doli 120 pro, asnjë kundër dhe asnjë kundërshtim. Ky ishte një akt pozitiv, toleranca dhe mirëkuptimi ndaj një pakice. Ky ishte akt integrimi, dikush u përpoq ta quante akt shkombëtarizues, por ishte deklaratë bajate.

Ky vizion dhe kjo tolerancë që u tregua nga të gjithë politikanët duhet treguar edhe për miratimin e 3 ligjeve, pasi vendi mund të humbasë mundësinë të marrë statusin e vendit kandidat, ky është një mesazh për politikën tonë që të bëhet më e përgjegjshme,” tha Meta.

Kreu i LSI tha se 23 qershori duhet të jetë një proces i besueshëm. Ai shtoi se duhet respektuar verdikti i qytetarëve.

“Vendi ka nevojë që të gjithë të respektojnë verdiktin e qytetarëve të Fierit dhe mbarë Shqipërisë. Ne duhet të angazhohemi për një proces model, të standardeve më të larta evropiane, për një proces që të nderojë çdo shqiptar,” tha Meta.

Meta ka sulmuar edhe Ramën për propozimet ekonomike.

“Ndërkohë kemi filluar fushatën elektorale dhe qëllon që të dëgjojmë edhe deklarata populiste jashtë realiteti ekonomik dhe social. Njëra nga ato është se do rrisim tatimin mbi fitimin për bizneset dhe do shtojmë punësimin. Të bësh deklarata të tilla do thotë që çosh të kolaps ekonominë e vendit, ti detyrosh investitorët e huaj apo vendas të largohen nga Shqipëria drejt Maqedonisë, drejt Serbisë apo Malit të Zi apo drejt Kosovës. Sepse dihet që në një botë të tillë ku nuk konkurrojnë vendet me vende, por rajonet me rajonet, ku këto vende kanë tatimin mbi fitimin njëlloj , ta shtosh ato do thotë tu tregosh derën investitorëve. Ndaj është e rëndësishme që politika të jetë e përgjegjshme me këmbë në tokë, është e lehtë të bësh opozitë dhe të jesh populist, por është përgjegjësi e madhe jo vetëm të shtosh vende të reja pune, por edhe të mos shtosh papunësinë,” tha Meta.

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.