Ikonat, Policia: Dorëzuam 1077 objekte. Kumbaro: Kemi 477

TIRANE- Është 477 numri i veprave të artit të strehuara në Galerinë Kombëtare të Arteve nga ana e Policisë së Shtetit dy ditë më parë, menjëherë pas operacionit “IKONA”.
Ndryshe nga shifra 1077 e publikuar nga ana e Policisë së Shtetit, dje ishte ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, që deklaroi se në ambientet e GKA-së janë vetëm 477. Diferenca është me 600 copë. Por, nëse Policia flet me “objekte”, Ministria e Kulturës flet me “vepra”. E pyetur për deklaratën e Policisë së Shtetit, sipas së cilës numri i objekteve të sekuestruara në operacionin “IKONA” është 1077, Kumbaro u shpreh se në institucionin në varësi të Ministrisë së Kulturës, pra në GKA, ndodhen 477 vepra. Të nesërmen e operacionit, të gjitha objektet e sekuestruara u transportuan me makina policie në ambientet e Galerisë së Arteve, ku përgjatë tri ditëve, specialistë të GKA-së, Institutit të Monumenteve të Kulturës, Qendrës Kombëtare të Inventarizimit bënë verifikimin dhe identifikimin e të gjitha veprave. Kishte ndër to ikona, pjesë ikonostasesh, shandanë, pjesë afreskesh etj., që datonin që nga shek. XVI te shek XX.
VERIFIKIMI
Dje, një pjesë e përzgjedhur e këtyre objekteve u ekspozuan për publikun, në katin e tretë të GKAsë. Sipas ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, kjo bëhet për të sensibilizuar të gjithë qytetarët mbi vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, për t’i mbrojtur dhe për t’u kujdesur për to. Edhe pse pritej që të jepej më tepër informacion në lidhje me rezultatet e inventarizimit dhe verifikimit, specialistët që u morën me këtë proces e kishin të ndaluar të tregonin detaje, duke qenë se kjo është një çështje nën hetim. I gjithë prezantimi u bë në terma të përgjithshëm nga specialisti i GKA-së, Ylli Drishti. Ndër objektet e ekspozuara ishin ikona të përmasave dhe të shkollave të ndryshme, të asaj greke dhe maqedonase, shumë dukej qartazi që nuk lidheshin me traditën piktorike që ka qarkulluar ndër ikonografët shqiptarë. Kishte pjesë ikonostasesh, kolona të gdhendura, dyer, për të vazhduar me ungjij të praruar dhe shandanë. Nga verifikimi paraprak, i cili pritet të pasohet nga një tjetër më i hollësishëm nga një grup specialistësh, rezulton të jenë “çmontuar (dëmtuar) 4 ikonostase (1 ikonostas i shekullit XVI-XVIII dhe tri ikonostase të shekullit XIX). Janë dëmtuar duke u hequr nga ikonostaset 15 pjesë baldakimi të pikturuar të shekujve XVIII-XIX, si dhe është dëmtuar një ikonostas i gdhendur në dru duke u sharruar pjesa e poshtme e tij (brezi dekorativ)i rrethuar me dy kolona të gdhendura”.
POLICIA
Procesverbali i Policisë ka një diferencë prej 600 veprash nga ai i Ministrisë së Kulturës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, kjo nuk përbën aspak problem apo mospërputhje që nxjerr “mangët” ikonat dhe objektet e artit që u sekuestruan të martën. Por, në momentin e sekuestrimit të këtyre objekteve, grupi operacional ka mbajtur shënim në procesverbal çdo objekt të sekuestruar. Të gjitha objektet, sendet, apo edhe ndonjë dërrasë apo ristelë që mund t’i ishte shkëputur kornizave të tablove të veprave artistike, është shënuar si objekt më vete. Më pas bashkimi i këtyre pjesëve që ishin të shkëputura nga njëratjetra, ka sjellë veprën e plotë, që Ministria e Kulturës mund ta konsiderojë një të vetme.
Panorama
Add new comment