Hysi: Administrata pa rroga, u boshatis arka e shtetit

-Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, iu përgjigjet akuzave të opozitës për ligjin “Për nëpunësit civil”, por dhe lëvizjeve në administratën publike. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Hysi pohon se akuzat e opozitës janë vetëm një alibi për të lënë në hije ata mijëra punonjës të administratës të pushuar nga puna në vitin 2005, kur PD erdhi në pushtet, në vitin 2009, por dhe pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit. Madje, shton ajo, tashmë fatura financiare që ka në kurriz qeveria e re për shkak të dëmshpërblimeve të papaguara për largimet e padrejta të njerëzve nga puna, është shumë e lartë. Deputetja Hysi shton se qeveria e vjetër ka lënë pa paga dhe administratën publike për shkak të boshatisjes së arkës së shtetit. “Qeveria e kaluar nuk kishte parashikuar buxhetin për zbatimin e ligjit të ri, madje ka boshatisur arkën e shtetit edhe për pagesën e administratës ekzistuese”, - pohon ajo. Ligjvënësja e selisë rozë e konsideron alogjik kushtin e kreut të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka për të bashkëpunuar për ligjin e ri vetëm në rast se për 6 muaj nuk do të ketë lëvizje në administratë. Sa i përket fatit të nismës së demokratëve për ta shpallur si antiligjor aktin normativ të qeverisë “Rama”, Hysi shpreson se Gjykata Kushtetuese do t’i japë fund praktikave që të lejojë vënien në zbatim të ligjeve që nuk mbajnë parasysh faturën financiare, ligjeve me efekte prapavepruese apo fillimit të efekteve të ligjeve që i mungojnë aktet nënligjore që mundësojnë zbatimin e tyre.
Zonja Hysi si i komentoni akuzat e opozitës lidhur me ndryshimet në administratën publike?
Nëse ka një forcë politikë që ka shkatërruar administratën publike në këto 8 vjet, është opozita e sotme. Mijëra punonjës të administratës publike janë dëbuar, pa motivacion, nga institucione qendrore dhe vendore, sapo Partia Demokratike erdhi në pushtet në 2005 dhe me pas në 2009, madje edhe pas humbjes së thellë të 23 Qershorit. Sesa dëm njerëzor dhe financiar ka shkaktuar kjo opozitë, ju lutem shihni vendimet gjyqësore të dhëna, dëmshpërblimet e paguara dhe të papaguara për largimet e padrejta të njerëzve nga puna.
Akuzat e opozitës së sotme janë një alibi ndaj luftës pa kompromis që mazhoranca do bëjë kundër korrupsionit në administratën publike.
Shtyrja e ligjit “Për nëpunësin civil” nga Qeveria solli vendimin drastik të opozitës për të braktisur kuvendin. E shikoni këtë si rrezik për të gjetur konsensusin?
Normalisht jo. Ligji “Për nëpunësin civil” ka hyrë në fuqi me 1 tetor 2013, por efektet e tij do të fillojnë me vonë. Qeveria duhet të përgatisë aktet nënligjore që do të mundësojnë zbatimin e ligjit, ndërsa Kuvendi duhet të bëjë ndryshimin e ligjeve që preken nga fillimi i zbatimit të ligjit “Për nëpunësit civil”. Opozita mund dhe duhet të kontribuojë në miratimin e ndryshimeve ligjore.
E ndërsa të enjten u braktis seanca plenare duket se opozita më pas ka vënë një kusht: bashkëpunojmë për ta bërë ligjin të zbatueshëm nëse për 6 muaj nuk ka asnjë lëvizje në administratë. Si e konsideroni këtë qëndrim të kreut të Grupit Parlamentar demokrat, zotit Paloka?
Nuk e kuptoj kushtin e vënë nga opozita. Pra, sipas qëndrimit të opozitës, nëse ndonjë punonjës i administratës publike abuzon me detyrën këto 6 muaj, ai/ajo nuk duhet të lëvizë, të procedohet administrativisht ose penalisht!!! Ndonëse janë krijuar ministri të reja dhe disa prej atyre ekzistuese ristrukturohen, nuk duhet të ketë lëvizje paralele ose kalim nga një ministri te tjera të punonjësve të administratës. Sipas opozitës, edhe po të ketë persona në administratë që janë punësuar jashtë kritere të vendit të punës edhe këta nuk duhet të lëvizin. Çfarë duhet të bëjë qeveria e re dhe ministrat në këto 6 muaj, të vazhdojnë të ruajnë strukturën e institucioneve sipas modelit të qeverisjes së mëparshme!?
Kushti i vënë nga opozita është alogjik dhe një pretekst për të mos qenë në Parlament.
A krijon shtyrja e ligjit për 6 muaj premisa për frikë në radhët e administratës për largime të paarsyetuara nga puna?
Jo. Asnjë punonjës i administratës publike që ka respektuar ligjin nuk ka pse të frikësohet. Ata që frikësohen dhe bërtasin më shumë janë personat që kanë abuzuar me detyrën dhe më fondet dhe pasuritë publike. Hyrja në fuqi e ligjit të ri mundëson punën për përgatitjen e akteve nënligjore për procedurat e reja të rekrutimit dhe promovimit të punonjësve të administratës publike, të cilat do të jenë ndryshe nga ato që parashikon ligji i viti 1999. Por, edhe ligji “Për nëpunësit civil” i viti 1999 parashikon kritere dhe garanci për lëvizjet në administratën publike. E keqja që është vërë re deri më sot ka qenë mungesa e vullnetit politik për të zbatuar dhe respektuar ligjin dhe jo mungesa e garancive për të mos pasur largime të padrejta nga puna.
Tashmë është bërë gati akti normativ, por dhe relacioni përkatës, në të cilin thuhet se në Shërbimin Civil, sipas ligjit që hynte në fuqi në 1 tetor, do të kemi jo 6 000, por 20 000 punonjës që e gëzojnë këtë status. Mund të shihet ky si një problem financiar, do shtohet fatura për Qeverinë?
Ky është një nga problemet kryesore që e bën ligjin e ri të pazbatueshëm për momentin, përveç vakuumit ligjor që do të krijohej me shfuqizimi e ligjit të vjetër dhe mungesën e akteve nënligjore të nevojshme për zbatimin e ligjit të ri. Në buxhetin e viti 2013, Qeveria e kaluar nuk kishte parashikuar buxhetin për zbatimin e ligjit të ri, madje ka boshatisur arkën e shtetit edhe për pagesën e administratës ekzistuese. Që nga miratimi i ligjit, asnjë akt nënligjor që do të rregullonte emërimet, lëvizjet dhe promovimet e administratës publike nuk është përgatitur.
Demokratët kanë ndërmarrë tashmë një tjetër hap, e kanë çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese duke e konsideruar aktin normativ si antikushtetues. Sa qëndron ky argument?
Nuk jam njohur me përmbajtjen e kërkesës së drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Nëse kërkesa përmban ato argumente që përfaqësues të opozitës kanë thënë publikisht, argumentet nuk qëndrojnë.
Sa besim keni në një vendim të drejtë nga Gjykata Kushtetuese kur shpesh është diskutuar dhe për cilësinë e vendimeve të gjyqësorit?
Nuk dua të paragjykoj Gjykatën Kushtetuese, ndonëse për disa vendime të saj, unë dhe shumë juristë ndajmë vlerësime të ndryshme. Por, besoj se Gjykata Kushtetuese do t’i japë fund praktikave kur një ligj nuk mban parasysh faturën financiare, pasi nuk e ka një të tillë, ligjeve me efekte prapavepruese dhe fillimit të efekteve të ligjeve që i mungojnë aktet nënligjore që mundësojnë zbatimin e tyre.
SHEKULLI
Add new comment