Hollande bie në pikiatë, vetëm 43% e francezëve e vlerësojnë

Postuar në 23 Shtator, 2012 06:04

Rënie drastike e mbështetjes në opinionin francez për presidentin François Hollande. Sipas një sondazhi të zhvilluar nga Ifop dhe "Journal du dimanche" në Francë, mbështetja për presidentin François Hollande ka rënë me mbi 11 pikë në shtator krahasuar me gushtin. Të dhënat flasin se vetëm 43 për qind e francezëve besojnë se presidenti po qeveris në mënyrën e duhur dhe po i përgjigjet krizës ekonomike. Diferenca është e konsiderueshme, me muajin korrik kur presidentin Hollande e mbështesnin rreth 56 për qind e francezëve, ndërsa në muajin gusht rreth 54 për qind. 

Sipas analistëve, Hollande ka mbështetjen më të ulët që ka patur një president në Francë në këtë pikë të mandatit të tij që prej vitit 1958. Situata bëhet edhe më pak e dëshifrueshme pasi francezët kanë shfaqur më shumë besim tek kryeministri Jean-Marc Ayrault, punën e të cilit e miratojnë 50 për qind e tyre përkundër 43 për qind që mbështesin presidentin. Sondazhi tregon se me përjashtim të pensionistëve të gjitha shtresat e tjera sociale kanë nisur të ndjehen mosbesues ndaj presidentit. Punëtorët kanë ulur mbështetjen me 9 pikë, punonjësit e sistemit arsimor me rreth 10 pikë, të rinjtë me mbi dhjetë pikë. Edhe në vetë radhët e socialistëve mbështeja nuk është e plotë dhe vetëm 91 për qind e tyre besojnë se presidenti po i jep përgjigjet e duhura krizës ekonomike. Hollande ka vetëm 3 muaj që drejton Elizenë dhe ai erdhi në pushtet me premtimin e rimëkëmbjes ekonomike dhe se borxhi i madh publik, shifra e lartë e papunësisë nuk mund të zgjidheshin vetëm me masa shtrënguese. Ai  premtoi të rrisë shpenzimet publike në mënyrë që të gjallërojë ekonominë, përkundër asaj që pretendonte rivali i tij Nicolas Sarkozy.

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.