Historia e shek. XX, gati pas dy vitesh në 600 mijë faqe

Pas dy vitesh shqiptarët do të kenë në dorë tekstin e historisë së shekullit të XX. Qendra e Studimeve Albanologjike ka mbledhur fakte nga arkivat ndërkombëtare më të njohura. Drejtori i kësaj qendre thotë për "AS" se deri tani janë mbledhur rreth 600 mijë faqe me dokumenta historikë që dëshmojnë problematikën e shekullit të XX, ndërkohë që botimi do të ketë rreth 30 autorë.
"Deri më sot Instituti i Historisë ka mbledhur rreth 600 mijë faqe dokumenta nga arkivat ndërkombëtare sidomos nga arkivat diplomatike. Momenti i parë do të jetë botimi i historisë së shqiptarëve për shek XX sepse kjo është epoka më problematike për studimet tona për momentin dhe vitin e ardhshëm do të fillojë redaktimi dhe pas 2 vitesh do të jetë e përfunduar", deklaron drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi.
Sipas tij, kërkimet e studiuesve shqiptarë do të ishin edhe më të shumta në numër nëse do të kishte në dispozicion fonde të mjaftueshme madje edhe për botimin e historisë së shekullit XX, nëse të ardhurat do të ishin më të larta, puna do të përfundonte më shpejt.
"Fondet asnjëherë nuk janë të mjaftueshëm dhe është e pamundur të jenë të mjaftueshme. Zgjidhen ato projekte që në një moment ose në një tjetër kanë rëndësi strategjike në raport me disa projekte që mund të presin për një kohë tjetër", shprehet Marashi.
Botimi i historisë së shekullit të XX, është një projekt i nisur tre vjet më parë nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe në veçanti nga Instituti i Historisë.
top-channel.tv
Add new comment