Hetuesit: Frroku mund të ketë porositur vrasës me pagesë ndaj Lamajt

Postuar në 04 Mars, 2013 07:38

 

Pikëpyetjet për Krimet e Rënda një javë pas vrasjes

Prokuroria siguron përgjime të të dyshuarit kryesor, Arben Frroku, i cili fliste me familjarët e tij

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka aktivizuar mbi 10 hetues për vrasjen e Dritan Lamajt dhe ka marrë në pyetje më shumë se 100 persona për një javë që nga momenti i krimit, por hetimet ende mbeten në udhëkryq dhe po shkojnë drejt faktit se ekzekutimi i kryekomisarit është bërë me pagesë dhe jo drejtpërdrejt nga Arben Frroku, duke vënë në dyshim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë. Hetimi po drejtohet nga tre prokurorë të hekurt, por duket se mungesa e provave do e vështirësojë dokumentimin e plotë e realizimin përfundimtar, atë të dënimit të autorit që ekzekutoi, apo porositi vrasjen e ish-shefit të Komisariatit të Kombinatit.

Krimet e Rënda

Dje u mbush një javë nga ekzekutimi mafioz i Lamajt, ndërkohë që aktualisht një vendim gjyqësor dhe urdhri i ekzekutimit për arrestin e Arben Frrokut dhe Jakë Jakut është nisur me shpejtësi drejt Selanikut, për të mbajtur të dyshuarin kryesor të vrasjes së kryekomisarit. Prokuroria e Krimeve të Rënda pohon se në vendimin e gjykatës janë parashtruar sesi ndodhi vrasja e Lamajt, ndërsa janë përfshirë edhe disa prova, me dëshmitarë dhe ekspertiza, të cilat hidhnin dritë për ngjarjen e 24 shkurtit. Ndërkohë, ka disa përgjime të të dyshuarit kryesor, Arben Frroku, i cili fliste me familjarët e tij se “kishte bërë një punë të madhe”. Këto telefonata janë kryer menjëherë pas vrasjes, kryesisht gjatë rrugës që po kryente drejt Kapshticës, për të shkuar më pas në qytetin e Selanikut. Sipas prokurorisë, nuk është aspak koincidencë largimi me shpejtësi i Frrokut nga Tirana, vetëm pak minuta pasi kishte ndodhur vrasja, ndërsa disa telefonata të kapura dhe provat që u gjendën më pas, ngrenë dyshimet se ai ka qenë organizatori dhe ekzekutori i kryekomisarit.

Provat e reja

Megjithatë, grupi hetimor thotë se po mbledh prova për këtë ngjarje dhe shumë shpejt do t’i dërgojë në Greqi, për t’ia bashkëlidhur edhe kërkesën për ekstradimin e tij. Por, gjithçka ka një afat, pasi masa e dhënë në Greqi është 40 ditë dhe brenda kësaj kohe, hetuesve u duhet të provojnë implikimin e 43-vjeçarit në këtë ngjarje, pasi edhe mbrojtja duket se po përgatit planin për të mos e ekstraduar. Ata mund të përdorin deklaratat politike për këtë çështje, ku lidhjet e Arben Frrokut, me policë, politikanë dhe biznesmenë, janë bërë temë e ditës në vendin tonë. Tashmë, hetuesve u duhet që të mbledhin me shpejtësi provat, të cilat më së shumti janë në vendin e ngjarjes apo edhe ekspertizat e kryera në dy automjete që janë sekuestruar.

Vrasje me pagesë?

Nga të gjithë anëtarët e grupit hetimor dyshimet për vrasjen janë ngritur vetëm mbi konfliktin Lamaj-Frroku, ndërkohë që për sa i përket pistave të tjera, prokurorë, por edhe efektivët e policisë i kanë përjashtuar ato. Pavarësisht, bindjes së tyre që bazohet në fakte konkrete, shumë kolegë të kryekomisarit Dritan Lamaj, shprehen nën zë se vrasjen mund ta ketë kryer një person tjetër, duke u organizuar dhe paguar nga biznesmeni Arben Frroku. Grumbullimi i disa provave dhe pyetja e më shumë se 100 personave që kanë pasur probleme dhe njohje me kryekomisarin Lamaj, kanë çuar grupin hetimor të mos përjashtojë pistën e vrasjes me pagesë. Sipas të dhënave, asnjë nga dëshmitarët nuk ka arritur ta njohë personin që ka qëlluar, por edhe sikur ta ketë njohur, sipas burimeve, dëshmitari është një provë e manipulueshme që bie shumë shpejt në gjykatë. Dyshimet e momentit tregojnë se vrasësi ka qenë profesionist dhe se në momentin e hapjes zjarr ka qëlluar me gjakftohtësi. Kjo sjell dyshime të forta se ai mund të jetë paguar, për të qëlluar mbi kryekomisarin Lamaj. Mënyra e ekzekutimit nuk është aspak amatore dhe s’mund të ishte kryer nga një person që kishte njohje fizike me viktimën, pasi në çdo moment vrasësi mund të zbulohej dhe dekonspirohej nga viktima, përpara se të qëllonte mbi të.

Provat dhe alibitë

Për hetimin e vrasjes së ish-shefit të Komisariatit Nr. 6 janë duke asistuar, hetuesit më të mirë, ndërkohë që drejtohen nga tre prokurorë. Janë pikërisht Eugen Beci, Kosta Beluri dhe Anton Martini, të cilët cilësohen si “njerëzit e hekurt” të akuzës. Sipas të dhënave, prej tyre janë ngritur dyshime të arsyeshme mbi dy personat Arben Frroku dhe Jakë Jaku, por që edhe këta të fundit, dyshimeve u janë kundërpërgjigjur me alibi të forta, duke krijuar një rrjetë mbrojtëse, ende pa shkuar përballë gjykatës. Një nga provat e siguruara është makina e krimit, në të cilën janë gjetur disa gjurmë, por nga ana tjetër mungon arma e krimit. Automatiku, model 56, duhet të jetë hedhur diku nga personat që qëlluan, por që fatkeqësisht ende nuk ka rënë në duart e prokurorëve. Policia ka ushtruar kontrolle në disa zona për këtë armë, duke u bazuar në rindërtimin e ngjarjes, por nuk kanë mundur të sigurojnë “xhevahirin” e hetimeve. Rezultate negative janë marrë edhe kur gëzhojat janë krahasuar me të dhënat e arkivuara në kartotekën e laboratorit të ekspertizave balistike pranë policisë shkencore. Prova tjetër që mungon në këtë proces hetimi, është edhe dëshmia e grabitësit të makinës së përdorur në krim. Ky person i identifikuar, por jo i arrestuar, mendohet se di shumë rreth personit që ka blerë BMW-në e përdorur në vrasje. Një javë nga krimi i rëndë, dëshmia e këtij personi vazhdon të mungojë në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke sjellë vetëm dyshime rreth rolit të tij, por edhe ndaj disa personave të tjerë. Red. Akt.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.