Greqia, përplasje FMN-Gjermani

Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde mbështet thirrjet e Greqisë për t’i dhënë më shumë kohë në realizimin e planit të shkurtimeve drastike financiare.
Gjatë forumit financiar në Tokio të Japonisë, ish-ministrja franceze e financave tha se ideja e kohëzgjatjes së detyrimeve për Athinën mund të jetë një mënyrë më e mirë se sa “dora e hekurt” për të detyruar Greqinë të përmbushë planin e daljes nga kriza e thellë financiare.
Por Gjermania, huadhënësja më e madhe e Greqisë kundërshtoi idenë e hedhur nga Lagarde. Ministri i Financave i Gjermanisë Wolfgang Schaeuble tha se si Greqia ashtu edhe huadhënësit ndërkombëtarë të saj duhet t’i qendrojnë planit të arritur më parë, që përkthehet në zbatim të reformave të shkurtimeve financiare në afatet e parashikuara sipas këtij plani.
Greqia kërkoi kohëzgjatjen me dy vite të afatit për të kryer reformat dhe shkurtimet financiare të kërkuara nga huadhënësit e saj, ku përfshihet BE, BQE dhe FMN, me argumentimin se e ka të pamundur realizimin e këtyre reformave në vitin e pestë të radhazi të recesionit dhe në kohën kur parashikimet nuk janë aspak optimiste për vitin e ardhshëm.
Ekonomia greke pritet të tkurret me 6.5 përqind për 2012, rreth 2 pikë më shumë nga parashikimet fillestare, ndërsa recesioni parashikohet edhe për 2013, por me shifra më të moderuara. Papunësia është shndërruar në gangrenën e shoqërisë. Autoritetet publikuan të dhënat e fundit për muajin korrik, ku të papunët përbëjnë 25.1 përqind të fuqisë punëtore dhe ç’është me e keqja, mbi 50 përqind e kësaj kategorie janë të rinj.
top-channel.tv
Add new comment