Greqi, "To Vima": Grushti i shtetit, që nuk u realizua

Gazeta greke "To Vima" shkruan në numrin e sotëm të saj, se Greqia ka shmangur një grusht shteti, në tetor-nëntor të vitit 2011.
Shkrimi rendit një sërë ngjarjesh që ndodhën gjatë kësaj periudhe të vitit të kaluar, të cilat e bënë kryeministrin Papandreu të mendojë se ishte në zhvillim një proces, që do të nxiste trazira sociale dhe destabilitet politik, në mënyrë që të krijonte terrenin për përmbysjen e qeverisë dhe për ndërhyrjen ushtarake.
Gazeta fillon me ngjarjet e 28 tetorit, kur gjatë zhvillimit të paradave të festës, pati episode në shumë qytete të vendit.
Ministrat Beglitis, Magriotis dhe të tjerë u sulmuan nga njerëzit në Selanik, ndërsa kishin shkuar për të marrë pjesë në festimet tradicionale të festës Kombëtare.
Po në Selanik, ndodhën incidente të forta me presidentin e Republikës Karolos Papulias, ku grupe njerëzish hodhën parulla kundër tij dhe pas disa minutash parada ushtarake u anulua, për shkak të depërtimit të dhjetëra civilëve në mesin e saj.
Sipas burimeve pranë ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, ngjarjet u organizuan nga grupe të ekstremit të djathtë dhe organizatave parakishtare, të cilat kishin marrë kontakte me oficerë të Forcave të Armatosura, në pension ose jo.
Një ushtarak dhe politikan nacionalist i krahut të djathtë tha se disa ditë para ngjarjeve të 28 tetor, atij i ishte kërkuar nga oficerë në pension, për të marrë pjesë në qeverinë ushtarake kalimtare, që do të merrte pushtetin.
Jorgos Papandreu më 28 tetor ishte në Heraklion në Kretës, për takimin e Internacionales Socialiste të Pranverës Arabe, e cila (Pranvera Arabe) siç thoshin shumë zëra, përgatitej të përhapej dhe në Greqi.
Në mesditën e 1 nëntorit 2011, Këshilli Kombëtar i Sigurisë, drejtuar nga kryeministri Papandreu, largoi nga detyra 4 udhëheqës të lartë të ushtrisë. Qeveria nuk e shpjegoi asnjëherë në mënyrë bindëse vendimin në fjalë, por burime të sigurta thonë për gazetën, se ky veprim u bë për të penguar thellimin e destabilizimit politik dhe për shmangien e një grushti shteti të paralajmëruar.
Episodet e dhunës nëpër qytete të ndryshme të Greqisë në fund të tetorit, kishin qëllim acarimin e publikut, zgjerimin e incidenteve dhe destabilizimin që pastaj, sipas skenarit, ushtarakët të merrnin qeverinë, për të rivendosur rendin në një vend. “Efektet anësore” do të ishin të pashmangshme; shpërbërja e demokracisë, pezullimi i pjesëmarrjes së Greqisë në Bashkimin Evropian dhe tërheqja e saj nga Eurozona. Gazeta thekson se ndërhyrja e ushtrisë, ishte pikërisht ajo që ata donin të shkaktonin, të largonin Greqinë nga Evropa dhe Perëndimi.
Kërkesa për referendum mbi marrëveshjen e kredisë dhe çmobilizimi i udhëheqjes të Forcave të Armatosura ishte, sipas këtij versioni, një përgjigje e dyfishtë, që Papandreu vendosi të japë pasditen e 28 tetorit 2011.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Panos Panajotopulos. "Forcat e armatosura greke ishin, janë dhe do të jenë të angazhuara për realizimin e detyrave të përcaktuara nga Kushtetuta e Republikës Greke dhe populli grek: Të sigurojnë dhe mbrojnë pavarësinë kombëtare, sovranitetin dhe integritetin kombëtar të vendit. Çdo gjë tjetër është fiktive", deklaroi ministri.
Ish-kreu i Shërbimit Inteligjent Kombëtar ka thënë për gazetën se "asnjëherë nuk e ka informuar Kryeministrin e atëhershëm Jorgos Papandreu për një grusht shteti të mundshëm".
Greqia e ka provuar një herë grushtin e shtetit nga kolonelët, në vitin 1967, i cili pasoi me diktaturën 7 vjeçare të Joanis Papadhopulos. Diktatura u rrëzua nga protestat studentore dhe me ardhjen e Konstandinos Karamanlis, në Greqi u rivendos demokracia.
Ballkanweb.com
Add new comment