Greqi, ND kryeson sondazhet, Venizelos epërsi ndaj Samaras

Postuar në 24 Prill, 2012 09:04

Sondazhet e fundit në Greqi përforcojnë faktin se në parlamentin e ri do të përfaqësohen 10 parti, ndërkohë që një shumicë prej 70-75% e të pyeturve, shprehen për domosdoshmërinë e një qeverie të bashkëpunimit, e cila duhet të bëjë gjithçka që vendi të mos dalë nga euro. 

Sipas sondazheve, ND dhe PASOK kryesojnë, por me rezultatet më të ulëta për dekada të tëra, ndërsa 8 parti të tjera luftojnë për të kapur shumë vende, ose thjesht të hyjnë në parlament. Demokracia e Re (ND) ruan avantazh ndaj PASOK-ut, por me një mbështetje shumë më të ulët sesa në zgjedhje të tjera, ndërsa PASOK ka edhe më pak, pavarësisht ndryshimit të lidershipit. 

Analistët e shpjegojnë këtë dukuri me faktin se votuesit e ND po tregojnë më shumë kujdes pas ndryshimit të politikave ekonomike të partisë së tyre, ndërsa të tjerë e konsiderojnë këtë parti përgjegjëse të përbashkët për ekonominë e dobët në vend. Ndërsa nga kampi socialist, përveç arsyeve të tjera, arrestimi i ish ministrit Akis Cohaxopulos për korrupsion, e ka ndalur paksa vrullin e mbështetjes për PASOK. Së bashku dy partitë e mëdha grumbullojnë rreth 45% të votave dhe më shumë se 170 vende në parlament, ndërsa liderët e tyre thonë se deri në zgjedhje, kjo shifër do të ndryshojë deri në 55%. 

E re në treguesit e sondazheve të fundit, është përgjigja për pyetjen se "kush është më i përshtatshëm për kryeministër, mes Evangelos Venizelos të PASOK dhe Antonis Samaras të ND?". Venizelos ka fituar përparësi ndaj rivalit të tij duke marrë 26,7% të mbështetjes, ndërsa Samaras ka 25,8%. 

Shpërndarja e mbështetjes për 10 partitë që kalojnë pragun e hyrjes në Parlament është: 
Demokracia e Re 25.5%, PASOK 19.1%, partia komuniste (KKE) 10.6%, SYRIZA 9.1%, Grekët e Pavarur 7.7%, E Majta Demokratike 5,4%, Chrysi Avgi 5.2%, LAOS 4%, Aleanca Demokratike 3.8%, Ekologët e Gjelbër 3.6%. 

Ajo që vazhdon të shqetësojë që në krye të herës mediat, forcat politike dhe opinionin në përgjithësi, është prania e ekstremistëve të djathtë të Agimit të Artë, të cilët vazhdojnë të rrisin mbështetjen. Ndërkohë që kjo forcë është regjistruar tashmë mes 36 partive në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Greqi. 

Partitë ekstremiste, të cilat dalin hapur kundër masave financiare, FMN-së dhe gjithë huadhënësve të Greqisë vazhdojnë të fitojnë terren, sepse Samaras që ka shumicën, pavarësisht se me gjysmë zëri, shprehet për konsolidimin e mëtejshëm fiskal, i vetëdijshëm se reformat janë kusht për qëndrimin e vendit në euro. Venizelos deklaron se, me ndonjë përshtatje, masat duhet të zbatohen, pasi sipas tij devijimi prej tyre do të thotë shkatërrim i plotë i vendit. Ai ka pranuar hapur se rimëkëmbja e vendit do të ndihet vetëm në vitin 2015. Ndaj një pjesë e vogël e vëmendjes është kthyer nga ekstremistët, me shpresën se do kundërshtojnë të vazhdojnë aplikimin e masave të ashpra.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.