Greqi, kriza politike, Samaras këmbëngul: Duhen zgjedhje!

Po zvogëlohet cdo minutë e më shumë drita në fund të tunelit, që sikur solli pak shpresë, pas votëbesimit të qeverisë dhe takimit Papandreu-Papulias.
Insistimi i kryetarit të Partisë “Demokracia e re”, Antonis Samaras për zgjedhje të parakohshme, e zgjat frikshëm “trillerin politik”, që po luhet në Athinë.
Pavarësisht nga presionet e Berlinit dhe apeli i politikës greke ai nuk kthen qëndrim por këmbëngul në zgjedhjet. "Nuk i japim një cek të bardhë Papandreut", deklaroi Samaras, pas qëndrimit refuzues të të cilit, u njoftua një takim mes tij dhe presidentit Papulias, nesër. Të gjithë tani kanë vemendjen tek ky takim, si shpresë për kapërcimin e ngërcit të rrezikshëm, ku është futur politika.
Kreu i opozitës Samaras mori kritika te ashpra edhe nga PPE. Eurodeputeti gjerman Elmar Brok deklaroi: "Qëndrimi i Antonis Samaras kundër vendit të tij është e papërgjegjshëm. Samaras duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë".
Si konservatorët, edhe Komunistët kërkojnë zgjedhje të menjëhershme dhe qeveri të përkohshme.
Ndërkohë partia LAOS kërkon që procesi i formimit të një qeverie të shpëtimit kombëtar, të jetë përgjegjësi e presidentit. Kreu i partisë, Karaxaferis i bëri një apel publik kreut të konservatorëve Antonis Samaras, për të rishikuar qëndrimin.
Ndërkaq, më herët, gjatë takimit të tij me Presidentin e Republikës, kryeministri grek Papandreu u shpreh i vendosur të për të formuar një qeveri koalicioni.
Ai informoi Presidentin Papulias mbi qëllimin e tij për të kontribuar në krijimin e një qeverie bashkëpunimi me mbështetje të gjerë. “Qeveria e re ka si objektiv të saj kryesor kalimin e legjislacionit dhe zbatimin e çdo mase të nevojshme, që rrjedh nga vendimet historike të samitit të BE. Vendimet e samitit dhe zbatimi i tyre, janë parakusht për qëndrimit tonë në euro dhe kjo është e rëndësishme në këto momente", tha Papandreu.
Duke folur me z. Papulias, kryeministri shprehu shqetësimin e tij të madh se refuzimi i marrëveshjes mund të përcillte te partnerët evropianë mesazhin se Greqia nuk dëshiron të mbetet në euro. “Unë do të bëj gjithçka për të krijuar një qeveri koalicioni, tha zoti Papandreu, për të mos çuar vendin në aventurën e zgjedhjeve”. Papandreu përsëriti se nuk është i mbërthyer në karrige, duke siguruar kështu se është i gatshëm edhe të largohet.
Nga ana e tij, Papulias shprehu gatishmërinë për të kontribuar në konsensusin më të gjerë në këtë periudhë kritike, në bazë të Kushtetutës. Ai gjithashtu theksoi nevojën për unitet në këto orë kritike që janë përgjegjësi e madhe për të gjithë.
Më poshtë, ndiqni zhvillimet politike minutë pas minute me orën lokale.
Ora 17 40 - Kreu i Partive Socialiste Evropiane Pol Rasmusen, përgëzon Papandreun për kurajon dhe këmbënguljen. Ai kritikon qëndrimin refuzues të Samaras dhe qëndrimin e zvarritur të Francës dhe Gjermanisë në zgjidhjen e krizës greke.
Ora 17 15 - Papandreu zhvillon takime me liderët e partive politike për arritjen e një konsensusi mbi qeverinë e koalicionit. Takim edhe me zëvendëskryeministrin Venizelos.
Ora 16 45 - Të dielën Antonis Samaras takon Presidentin e Republikës.
Ora 16 10 - Samaras nuk kthen qëndrim pavarësisht nga presionet e Berlinit dhe apeli i politikës greke. Ai këmbëngul në zgjedhje të parakohshme
Ora 15 39 - Antonis Samaras merr kritika te ashpra nga PPE. Eurodeputeti gjerman Elmar Brok deklaron: "Qëndrimi i Antonis Samaras kundër vendit të tij është e papërgjegjshëm. Samaras duhet të marrë përgjegjësitë".
Ora 14 58 - Kryetari i LAOS Karaxaferis deklaroi: "I kam bërë një apel publik kreut te opozites, zotit Antonis Samaras për të hedhur hapin e dytë. Ne arritëm largimin e Jorgos Papandreut nga pushteti. Duhet të vazhdojmë së bashku.
Ora 13 46 - Takim Papandreu-Venizelos ne Parlament.
Ora 13 15 – Papandreu: Parakusht për qëndrimin tonë në Euro, ratifikimi i marrëveshjes me BE dhe zbatimi i saj.
Ora 13 00 – Papandreu, deklaratë para shtypit: Njoftova Papuliasin me synimet e mia.
Ora 12 44 – Interes i jashtëzakoshëm. Qindra qytetarë dhe dhjetëra gazetarë grekë dhe nga gjithë bota para presidencës.
Ora 12 50 – Përfundon takimi Papulias-Papandreu.
Ora 12 45 – Merkel: Greqisë i duhen të paktën 10 vjet që të dalë nga kriza e borxhit. Është e sigurt se do të kalojë një 10 vjecar që vendi të gjejë veten në një pozitë më të mirë
Ora 12 40 – Në zhvillim e sipër takimi Papandreu-Papulias në Presidencë.
Ora 12 15 – Presidenti grek Karolos Papulias garanton gjithë mbështetjen e tij për krijimin e një qeverie koalicioni.
Ora 12 10 – Papandreu te presidenti: Unë do të bëj çmos për të formuar një qeveri koalicioni të gjerë. Do të bëj c’është e mundur për shpëtimin e vendit. Unë nuk jam I ngjitur në karrigën e kryeministrit, por zgjedhjet janë shkatërruese për momentin. Shoh se ka një konsensus mbi thelbin dhe nuk e shoh atë në praktikë.Bëj thirrje për bashkëpunim që të zbatojmë detyrimet tona në përputhje me marrëveshjen e 26 tetorit, sepse mungesa e bashkëpunimit mund të shkaktojë shqetësim tek partnerët tanë.
Ora 12 05 – Kryeministri Papandreu mbërrin në Presidencë për takim me presidentin Papulias. Do të fillojnë konsultimet për qeverinë e koalicionit.
Ora 11 00 – Deputeti i PASOK Lintzeris: Vendi ka nevojë për një zgjidhje, e cila të dalë mbi kufijtë e interesave të ngushta partiake. Prandaj e votëbesova qeverinë.
Ora 10 30 – BBC: Nuk ka gjasa që Papandreu te drejtoje koalicionin e ri, pas raportimeve se Venizelosi mund të emërohet kryeministër i përkohshëm.
Ora 10 00 – “The Guardian” citon burime në Athinë, sipas të cilave Jorgos Papandreu do të japë dorëheqjen dhe do të propozojë një qeveri të kryesuar nga Evangelos Venizelos.
Ora 09 00 – Zyrtarë të “Demokracia e re” thanë se nuk janë përmbushur kushtet e Samaras. Nuk duket e lehtë rruga drejt krijimit të qeverisë unitetit.
Ora 08 00 – Rreth 50 ekipe gazetarësh nga gjithë bota ndjekin zhvillimet në Greqi.
Ora 07 00 – Njoftohet se kryeministri Papandreu do takojë sot në mesditë në ora 12 00, Presidentin e Republikës Papulias, që ta njohë atë me synimin për fillimin e konsultimeve me gjitha palët, me qëllim formimin e një qeverie me mbështetje të gjerë. Sipas ministrit të Financave Venizelos, mandati i qeverisë së unitetit, do të zgjasë deri në shkurt.
Ora 01 00 – Pas pas mesnatës, kryeministri mori nga Parlamenti një votëbesim me 153 vota "pro" dhe 145 "jo", ndërkohë që ishin të pranishëm në sallë 298 deputetë. Deputetët e grupit Parlamentar të PASOK u bashkuan të gjithë në këtë votim, ku mungonin vetëm dy prej tyre.
Add new comment