GPS-ja evropiane arrin fazën jetike

Postuar në 13 Tetor, 2012 03:36

 

 Anija e tretë dhe e katërt hapësinore e sistemit satelitor evropian të qarkullimit janë lëshuar në orbitë. Dy objektet u lëshuan nga një raketë ruse “Soyuz” nga Guiana Franceze. 

Bëhet fjalë për një fazë të rëndësishme të një projekti multi-miliardë eurosh, për të krijuar një version evropian të sistemit amerikan GPS (Global Positioning System). 

Me katër satelitë tashmë në orbitë, pasi anija e parë dhe ajo e dytë u lëshuan në vitin 2011, është bërë e mundur që projekti “Galileo” të testohet deri në fund. 

Kjo pasi duhen minimumi katër satëlitë në qiell që një smartphone ose një automjet të përdorin sinjalet e tyre për të llogaritur një pozicion fiks. 

Inxhinierët tani mund të drejtojnë një program intensiv për të vlerësuar çdo aspekt të projektit “Galileo”, përfshirë infrastrukturën tokësore që do të monitorojë dhe kontrollojë satelitët. 

“Sigurisht që këta katër satelitë do të jenë të dukshëm vetëm gjatë periudhave të ndërmjetme”, ka sqaruar Marco Falcone, shef i Galileo System Services në Agjencinë Hapësinore Evropiane. 

“Por që tani, prodhuesit e marrësve të sinjalit do të mund të testojnë sistemin dhe të përgatiten për shërbimet e “Galileos””, ka deklaruar më tej eksperti. 

Raketa “Soyuz ST-B” u nis drejt hapësirës në 15:15 me orën lokale. Projekti në fjalë është realizuar me rekomandim të Komisionit Evropian.   top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.