Gjykata Kushtetuese nuk do të shqyrtojë kërkesën e PS për mandatet

Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese vendosi që të mos marrë në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga Partia Socialiste për rrëzimin e vendimit të parlamentit për ndarjen e mandateve për zgjedhjet e qershorit
Në favor të këtij vendimi kanë qenë 6 anëtarë të gjykatës dhe vetëm 2 prej tyre kanë mbështetur idenë se kërkesa duhej të merrej në shqyrtim. Socialistët kishin paraqitur dy ankesa. E para, në emër të një te pestës së deputetëve, nuk u pranua pasi ankimimi, sipas gjykatësve, mund të bëhet vetëm ndaj një akti normativ. E dyta, e paraqitur në emër të Partisë Socialiste, u refuzua pasi sipas Gjykatës, socialistët nuk kishin shteruar të gjitha rrugët ligjore duke qenë se sipas arsyetimit për çështjet që lidhen me zgjedhjet funksionon edhe një strukturë e posaçme siç është Kolegji Zgjedhor.
Më 31 janar parlamenti vendosi vetëm me votat e shumicës që për zgjedhjet e qershorit të mbetej në fuqi ndarja e mandateve e vitit 2009, duke qenë se sipas të djathtëve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte dështuar ta bënte për shkak të përplasjeve mes përfaqësuesve të shumicës dhe opozitës. Sipas socialistëve vendimi i parlamentit ishte në marrë në shkelje të procedurave dhe ishte në kundërshtim dhe me kodin zgjedhor e kushtetutën që përcaktojnë një numër përafërsisht të barabartë zgjedhësish për çdo mandat deputeti. Dhe ndarja e 2009 nuk reflekton ndryshimet e ndjeshme demografike të ndodhura në katër vitet e fundit./VOA
TEMA
Add new comment