Gjiknuri: Jemi votuar edhe për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë

Deputeti i qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri shprehet se u takon liderëve fitues të gjejnë formulën më harmonike për qeverisjen më të mirë të këtij vendi. Sipas tij, mandati popullor plebishitar i ka “dënuar” Ramën dhe Metën të punojnë bashkë për shumë kohë përtej një mandati qeveritar, tashmë brenda së njëjtës familje politike së cilës i përkasin.
Duke parë shifrat e 23 qershorit, mund të thuhet se opozita ia doli si koalicion, por PS nuk fitoi dot e vetme me 66 mandate, PD humbi, ndërsa fitoi LSI që kapi 16 mandate…Cila është analiza juaj për këtë rezultat dhe shkaqet që e sollën atë?
Në koalicion nuk fitohet vetëm, por së bashku me partnerët të cilët ke zgjedhur të garosh. Sistemi ynë zgjedhor favorizon koalicionet zgjedhore duke sakrifikuar disa interesa individuale partiake. Krijimi i një koalicioni me shumë parti rrit mundësinë potenciale të garës brenda llojit, duke maksimizuar “tortën” elektorale të koalicionit në kurriz të “tortës” individuale. Ata që insinuojnë “humbje” apo “fitore” individuale në koalicion, ose nuk kuptojnë sistemin zgjedhor, ose duan të relativizojnë fitoren më të madhe elektorale që ka arritur ky koalicion dhe që ka shokuar këdo, përfshirë edhe kundërshtarët tanë politikë, të cilët vetëm kur të përmenden nga “aftershoku” elektoral do të kuptojnë përmasat e vërteta të humbjes. Marrëveshja e 1 prillit rezultoi klinikisht efektive për rezultatin elektoral duke krijuar një mazhorancë gati kushtetuese për qeverisje. Kjo e fundit është sfida e vërtetë e këtij koalicioni.
Një nga arsyetimet që po zë vend në opinion është se LSI shfrytëzoi më mirë nga të gjithë pakënaqësitë e demokratëve dhe 100 mijë prej tyre të ashtuquajtur “pragmatistë” i besuan asaj dhe jo Rilindjes, edhe pse LSI ishte pjesë e qeverisë deri para 2 muajsh. Ose në një shkrim, Fred Abrahams shprehet se janë përdorur edhe zarfe me 200 euro nga LSI…
Hamendësimi i “zarfeve masive” shembullon me akuzat e kukuvajkave të PD-së, të cilat të ngërthyer në shterpësi politike akuzojnë popullin për dalldinë që e zuri dhe që nuk vlerësoi “Berishë ndërtuesin” për veprat e mira që i bëri këtij populli mosmirënjohës. Ndërkohë që pragmatistët janë një shtresë permanente në çdo zgjedhje me ndikim në rezultat. Kjo përbën dhe një dimension tjetër të koalicionit elektoral fitues që përthithi larmi shtresash dhe mbështetësish që nga Rilindja deri tek Rotacioni me emërues të përbashkët anti-Berishizmin. Pasi ky i fundit u provua në mënyrë shteruese si modeli shkatërrues dhe pengues i ecjes së vendit drejt së ardhmes europiane, paçka se mundohej t’u impostohej të vetëve dhe shqiptarëve si njeriu me përmasa historike i destinuar për madhështi. Tipa të tillë historia politike botërore ka njohur me okë, të cilët të kapur në autosugjestionin e tyre prej viganësh historikë shkëputen nga realiteti dhe nuk i ndjejnë më dhimbjet dhe dëmet që i shkaktojnë shoqërisë në përmbushje të ëndrrave të tyre politike. Prandaj njerëzit e tij ndjehen të zgërlaqur e të shokuar nga ajo që ndodhi, sepse gjithmonë mendonin se ai “burri” gjithmonë e ka një plan dhe di se ç’bën.
Pas tranzicionit të pushtetit në shtator nis punë kabineti i ri. Çfarë garancie jepni se bashkëqeverisja PS-LSI do të jetë ndryshe nga ajo PD-LSI, kur kemi një kushtëzim të njëjtë nga partia e Ilir Metës; me numrat që ka, bën të mundur mbajtjen në pushtet të mazhorancës së re?
U takon liderëve fitues të gjejnë formulën më harmonike për qeverisjen më të mirë të këtij vendi. Sfidat janë të mëdha, pasi postberishizmi është një trashëgimi jo e mirë politike për t’u përballur. Nuk di të ketë kushtëzime pasi mandati popullor plebishitar i ka “dënuar” Ramën dhe Metën të punojnë bashkë për shumë kohë përtej një mandati qeveritar, tashmë brenda së njëjtës familje politike së cilës i përkasin. Mendoj se të dy kanë pjekurinë politike, por dhe njohjen për të kuptuar barrën që u ka ngarkuar ky popull në 23 qershor.
Cili është opinioni juaj për propozimin e kryetarit Rama lidhur me ndarjen e mandatit të deputetit nga detyra e ministrit? A nuk e kthen kjo Parlamentin në një pozitë inferiore dhe nga ana tjetër, zhvlerëson postin e ministrit, i cili mund të ishte i cenueshëm në çdo çast që do ta shihte të arsyeshme kryeministri, pa patur drojën se do të humbiste një votë në Kuvend?
Kushtetuta nuk e parashikon një gjë të tillë, por as nuk e ndalon, duke e bërë këtë opsion politik. Për ndarjen ka mendime të ndryshme dhe eksperienca të ndryshme, të cilat kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre. Në realitetin e një mazhorance me 84 mandate, pa përfshirë këtu dhe shumë grupe fluide potenciale në parlament, mbijetesa e qeverisë është rrezik inekzistent duke eliminuar çdo hamendësim për humbje vote në parlament apo siguri ekstra për ministrat. Sa efektive është kjo në qeverisje dhe në ruajtjen e raporteve ekzekutiv-legjislativ? Mbetet për t’u parë.
Ju vetë personalisht, nëse do ju bëhej oferta për të qenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar do ta linit mandatin e deputetit?
Përgjigja vlen për situata konkrete ndaj atyre që kanë atribute të bëjnë oferta konkrete dhe nuk është një diskutim që vlen për publikun. Në çdo rast do të konsultohesha edhe me ata që më kanë votuar, pasi jam mandatuar për t’i përfaqësuar.
Krijimi i një sistemi drejtësie të varur nga Kryeministri ka qenë një nga shtyllat e opozicionit të katër viteve të kaluara. Tani që jeni në pushtet, çfarë do të bëni; si do jetë raporti me institucionet e drejtësisë; a do të përdorni shumicën e cilësuar për të zhbërë emërimet në gjykata, sipas jush, politike apo të parregullta?
Drejtësia është kapitulli më i errët i trashëgimisë berishiste dhe mandati popullor me këtë shumicë gati kushtetuese thërret për ta adresuar këtë problem. Natyrisht kjo kërkon edhe bashkëpunimin e pushteteve të tjera, por vullneti popullor nuk mund të rrijë peng i interesave politike apo parokiale të pushtetit të drejtësisë. Mazhoranca e re nuk duhet të mbyllë sytë ndaj padrejtësive dhe rrënimit të mëtejshëm të drejtësisë tek sheh anëtarë të KLD që promovojnë vetveten në detyrë, ironikisht nën mbikëqyrjen e një presidenti, forca politike e të cilit 8 vite më parë sulmoi nepotizmin dhe klientelizmin në KLD. Apo më keq tek sheh Shkollën e Magjistraturës të “zaptohet” nga militantë pa asnjë meritë akademike, por me axhenda të pastra biznesi edhe aty. Për të mos folur për emërimet e nxituara e shpërblyese në mes të tranzicionit politik, me qëllim krijim e “fashave” të sigurisë për pushtetin që po ikën. Këto që përmenda janë vetëm disa nga episodet më të fundit në drejtësi, pushtet që zë vendin e fundit për nga besueshmëria publike. Kjo situatë thërret për ndërhyrje serioze, pasi populli ka votuar edhe me drejtësinë në mendje në 23 qershor. Kjo mazhorancë i ka numrat e nevojshëm, por dhe detyrimin për ta bërë këtë. Drejtësia nuk duhet të shihet thjesht si një sfidë sektoriale, por si një detyrim i qeverisjes së ligjit. Ky është problemi i vërtetë që ka Shqipëria dhe që e ka lënë jashtë dyerve të Evropës dhe shumica e re duhet të bëjë gjithçka për këtë, ndryshe, herët apo vonë, do të përballet me zhgënjimin e këtij populli që i ka besuar kaq shumë.
Në një intervistë të ditëve të fundit, kryeministri i mazhorancës së re, Rama tha se nuk ka paqe pa drejtësi. Dihet që hetimet dhe më tej vendimet janë në dorë të organit të akuzës, por pyetja që rrotullohet në publik është se, a do të padisni ju pranë këtyre institucioneve aferat që keni denoncuar politikisht kur ishit në opozitë?
Drejtësia në kuptimin e gjerë është nevoja ulëritëse e këtij populli, prandaj votoi në mënyrë plebishitare kundër modelit berishist në qeverisje. Shumica e njerëzve mund të durojnë për shumë kohë vështirësitë ekonomike, por nuk mund të durojnë gjatë padrejtësitë, aq më tepër kur ato janë kryer në kurriz të tij. Të harrosh padrejtësitë që kanë ndodhur është sikur të mësohesh me to, për të kuptuar një ditë që je pjesë e tyre. Nëse kjo ndodh, do të jetë vdekja e ngadaltë e gjithë sistemit politik që kemi ngritur, për t’u lënë vend të panjohurave që një zot e di se ku e çojnë këtë vend.
MAPO
Add new comment