Gjiknuri: Hetim “Albpetrolit”, së shpejti ndërrohet drejtuesi

“Do të zbardhim të gjitha vjedhjet e naftës në këtë ndërmarrje”
Edmond Hoxhaj
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka premtuar dje gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të komunitetit të Zharrëzës në Rrethin e Fierit se gjithçka që në “Albpetrol” është bërë në kundërshtim me ligjin, do të bëhet e njohur për publikun dhe se shumë shpejt do të nisë një hetim i imtësishëm për të gjitha abuzimet. Gjithashtu, ai ka deklaruar se në një kohë të shkurtër do të bëhet ndryshimi në bordin drejtues të “Albpetrolit” dhe se të gjitha abuzimet që janë kryer këto tetë vite do të bëhen transparente për të gjithë. Po ashtu, ministri Gjiknuri premtoi se në të ardhmen do të punohet maksimalisht për ringritjen e sektorit të naftës, që është një nga pasuritë më të çmuara në vend. Në takimin ku merrnin pjesë edhe deputetë të Rrethit të Fierit, Gjiknuri theksoi se kjo kompani është vjedhur gjatë këtyre tetë viteve dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më.
Transparenca
I pyetur nga pjesëmarrësit në këtë takim, lidhur me pasurinë e madhe të “Albpetrolit” që është shpërdoruar, ministri Gjiknuri garantoi se një gjë e tillë do të zbardhet e se nuk do të lejohet të ndodhë më. “Qeveria do të bëjë transparencë me atë që ka ndodhur në kompaninë e ‘Albpetrolit’. Unë e marr këtë angazhim dhe do ta bëj shumë shpejt realitet. Është shumë e vërtetë se ‘Albpetroli’ ka pasur të ardhura financiare mjaft të mëdha dhe se këto para deri tanimë janë shpërdoruar. Miliona e miliona dollarë janë shpërdoruar në ankande fiktive, me vjedhje nafte, vjedhje fizike, si edhe vjedhje me ankand. Kjo është ndërmarrja që meriton të hetohet plotësisht dhe shumë shpejt ne do ta kryejmë një gjë të tillë. Publiku do të mësojë për të gjitha ato që kanë ndodhur në atë ndërmarrje.”
Drejtuesit
“Shumë shpejt do të kryejmë edhe ndryshimin në drejtimin e ‘Albpetrolit’, duke mundësuar kështu një transparencë të plotë për atë çfarë është bërë aty, se si janë harxhuar ato para gjatë viteve të fundit”, tha ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Ai shtoi se ndryshimi i titullarit të kompanisë së vetme naftënxjerrëse shtetërore do të shënojë një kthesë edhe në mënyrën e menaxhimit të kësaj ndërmarrjeje kaq strategjike.
“Albpetroli”
Kompania “Albpetrol” është një nga ndërmarrjet që sjell përfitimin më të madh në buxhetin e shtetit. Ndërkohë, gjatë tetë viteve të fundit, kjo ndërmarrje është katandisur me rreth 1% të aksioneve të saj, pasi të gjitha puset e naftës e të gazit u janë dhënë me koncesion kompanive private. Ndërkohë, janë shitur e privatizuar edhe një pjesë e mirë e pronave që ka pasur në zotërim kjo kompani. Tashmë kjo kompani ka si të ardhur kryesore prodhimin paraekzistues që merr nga kompanitë koncesionare. Në “Albpetrol” janë të punësuar rreth 3500 punonjës, pasi rreth 1000 të tjerëve nuk iu rinovuan kontratat më datë 1 qershor të këtij viti. Ndërkohë, gazeta “Shqip” ka publikuar disa javë më parë faktin se pas zgjedhjeve të 23 qershorit në këtë kompani u punësuan qindra persona, mjaft prej të cilëve të diplomuar në mësuesi dhe infermieri. Shumë specialistëve të vjetër të “Albpetrolit”, gjatë këtyre tetë viteve janë nxjerrë nga puna, ndërsa janë punësuar persona që nuk kishin asnjë njohuri mbi sektorin e naftës. Gjithashtu, mjaft të tjerë kanë përfituar pagat mujore për vite me radhë, edhe pse nuk janë paraqitur asnjë ditë në punë, ose kanë jetuar jashtë Shqipërisë. Prokuroria e Fierit nisi një hetim mbi këtë fakt tre vite më parë, por nuk arriti të vinte para përgjegjësisë asnjë prej drejtuesve të “Albpetrolit” dhe dosja është pezulluar për mungesë provash.
Premtimi
Grup i pavarur ekspertësh për të hetuar mbi “tërmetet” e Zharrëzës
Ministri Gjiknuri, gjatë takimit me banorët e dëmtuar, premton se studimi nis të hënën
Ministria e Energjisë dhe Industrisë pritet që të nisë së shpejti një grup ekspertësh të studiojë lëkundjet e tokës në Komunën e Zharrëzës në Fier, për të provuar pretendimet e banorëve të këtij komuniteti se ato vijnë nga shpërthimet që kryhen për nxjerrjen e sasive të mëdha të naftës. Ky fakt është bërë publik dje nga vetë ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, gjatë takimit të zhvilluar me banorët e Zharrëzës, të cilët kanë protestuar shpeshherë për zgjidhjen e problemit disavjeçar të lëkundjeve të tokës që u kanë shkatërruar banesat e u kanë rrezikuar jetën. Pasi Gjiknuri theksoi se deri tanimë shteti ka qenë indiferent ndaj këtij shqetësimi të vazhdueshëm, premtoi se ditën e hënë do të urdhërohet ngritja e një grupi të posaçëm ekspertësh që do të bëjnë një studim të pavarur shkencor për të zbuluar të vërtetën e lëkundjeve të tokës në zonën e Zharrëzës. “Unë si ministër, ju garantoj se shumë shpejt, jo më vonë se ditën e hënë ose të martë, do të nxjerr urdhrin e ngritjes së një grupi teknik. Do të harxhojmë qoftë edhe para, të cilat dalin nga tarifat që shteti u merr kompanive të huaja, për të bërë një studim të pavarur. Të mos mbetemi më që studimet t’i paguajë kompania që normalisht është subjekt i këtij hetimi. Le të harxhojë pak lekë shteti, por ama t’u japë një përgjigje njerëzve se cila është e vërteta, e vërteta shkencore. Këtu unë dua të jem neutral, nuk po ngre akuza kot, jam për të garantuar si interesin privat ashtu edhe atë publik. Ne duhet të punojmë që të ruhet pasuria e njerëzve, shëndeti i tyre dhe të mbrohet interesi publik”, theksoi ministri Gjiknuri. Më tej, ai shtoi se edhe pse është në interesin e qeverisë zhvillimi i aktiviteteve të huaja në vend, nuk duhen lënë në harresë qytetarët. “Pyetja më e thjeshtë që nuk do as ndihmë shkencore, është se si ka mundësi që në momentin e rritjes së intensitetit të nxjerrjes së naftës, filluan të intensifikohen lëvizjet e ashtuquajtura sizmike të tokës. Kjo është një lidhje logjike, të cilën nuk mund ta mohojë askush. Me këtë nuk dua të akuzoj askënd. Jam shumë i interesuar që kompanitë e huaja të zhvillojnë aktivitet normal në Shqipëri, madje të shtojnë prodhimin shqiptar, por njëkohësisht shteti nuk duhet të mbyllë sytë përballë shqetësimeve dhe problemeve që kanë banorët”, ka vijuar më tej ministri Gjiknuri. E. Hoxhaj
Shqip
Add new comment