Gazsjellësi TAP, qeveria miraton sot marrëveshjen mes tre shteteve

Postuar në 06 Shkurt, 2013 03:24

 

Qeveria shqiptare do të miratojë në mbledhjen e sotme, tekstin e marrëveshjes mes tre vendeve: Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, për gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP).

Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje në Facebook se në mbledhjen e kabinetit të qeverisë do të miratohet teksti i marrëveshjes për gazsjellësin Trans Adriatik (TAP) duke e vlerësuar atë si projektin më të madh në historinë e zhvillimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit tonë.

Sipas kryeministrit investimi në territorin tonë për ndërtimin e gazsjellësit TAP është rreth 2 miliardë dollarë dhe krijon rreth 20 mijë vende të reja pune.

“TAP sjell gazin nga deti Kaspik, Azerbajxhan, kalon në rreth 200 km në territorin tonë dhe përfundon në Itali. Investimi në territorin tonë për ndërtimin e tij është rreth 2 miliardë dollarë dhe krijohen, direkt dhe indirekt, rreth 20 mijë vende të reja pune”.

“Ky projekt shndërrohet në një faktor madhor bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha vendeve nëpër të cilat ai kalon. Ai bën të mundur gazifikimin e plotë të vendit, çka nënkupton për familjet shqiptare ngrohje dhe gatim me çmim shumë më të arsyeshëm se sa sot. Shqipëria me ndërtimin e TAP-it merr një rëndësi nevralgjike për energjinë në rajon, shkruan kryeministri në Facebook.

Projekti TAP, që mbështet nga qeveria shqiptare kalon në Turqi, Greqi dhe përmes Shqipërisë përfundon në Itali. Një vendim përkatës pritet të merret në muajin  qershor nga konsorciumi i Shah Denizit, që do të zgjedhë se cili midis  dy projekteve në garë: Trans-Adriatik apo Nabucco West i cili e lë Shqipërinë jashtë rrjetit ndërkombëtar të gazit do të  transportojnë gazin e Kaspikut drejt Europës.

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.