Gërdeci – Apeli ul dënimet, asnjëri në burg

Postuar në 14 Shkurt, 2013 07:53

 

Delijorgji e Minxolli përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, Pinarit i ulen tre vjet

Pronari i fabrikës famëkeqe të Gërdecit, e cila shpërtheu më 15 mars 2008, duke shkaktuar 26 viktima dhe qindra të plagosur, nuk do të kthehet në qeli, megjithëse u akuza për vrasje. Mihal Delijorgji u dënua dje nga Gjykata e Apelit me 6.3 vite burg, dhe nga një përllogaritje e thjeshtë, rezulton se ai ka vuajtur edhe 7 muaj më tepër burg, çka mund të kërkojë edhe kompensim për burgim të padrejtë. Duket se Gjykata e Apelit i ka bërë mirë llogaritë e dënimeve, përkatësisht të Delijorgjit, i cili u konsiderua nga prokuroria si “organizatori” i demontimit të municioneve, megjithëse ishte në kundërshtim të hapur me ligjet dhe rregulloret. Mësohet se Delijorgji u arrestua më 17 mars 2008 dhe qëndroi në qeli deri më 7 shkurt 2011, pra plot tri vjet. Sipas ligjeve, në tri vjet paraburgim, atij i llogaritet sikur ka vuajtur 4.5 vjet burg. Nga ana tjetër, si kompensim në dënim përdoret edhe 2-vjeçari i qëndrimit në arrest shtëpie, nga data 7 shkurt 2011 deri në datën e sotme 13 shkurt 2013. Një ditë arresti shtëpiak është i barabartë me një ditë burg. Në këtë mënyrë, Mihal Delijorgji i ka mbyllur paraprakisht hesapet me drejtësinë, për sa i përket vendimit të formës së prerë, pasi prokuroria mund të bëjë rekurs të kësaj çështjeje në Gjykatën e Lartë.

 

Pinari dhe Delijorgji

Ndërkohë, “ideatori” i demontimit të municioneve në fshatin Gërdec, megjithëse ishte në një zonë të populluar dhe afër rrugës nacionale, Ylli Pinari, ish-drejtori i MEICO-s, është dënuar dje me 15 vite burg. Nga përllogaritja, rezulton se ai ka kryer rreth shtatë vite burg dhe i ngelin edhe tetë të tjerë. Megjithatë ai mund të kërkojë nga Gjykata e Lartë pezullimin e kësaj mase dënimi, deri në shqyrtimin e çështjes në Gjykatën Supreme. Por, si rregull, prokuroria mund të kërkojë ekzekutimin e këtij vendimi nga policia dhe sipas përllogaritjeve, ai duhet të kryejë edhe disa vite burg.

Ndërkohë, Dritan Minxolli duket se i ka bërë mirë llogaritë dhe ndoshta mendon të mos “arratiset”. Ai u dënua me 12 vite burg, ka kryer rreth shtatë të tillë dhe i mbeten edhe pesë. Mund të kërkojë pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të presë Gjykatën e Lartë. Në këtë mënyrë, koha që qëndron në masën e arrestit shtëpiak ecën dhe për rrjedhojë edhe ditët e burgut. Nëse kthehet në qeli, atëherë ai mund të kërkojë edhe dënimet alternative, në momentin që të kryejë ¾ e dënimit. Duket se alternativa e fundit është më e mundur për Minxollin, i cili i ka bërë mirë llogaritë për të mos qëndruar shumë në qeli, megjithëse ai ishte “zbatuesi”. Ka rezultuar se ky i pandehur, tashmë i dënuar me vendim të formës së prerë, ka qenë personi që koordinonte punën në fabrikë, madje merrte edhe punonjësit, disa prej të cilëve edhe të mitur. Ish-mbikëqyrësit e MEICO-s, Sokol Ngjeçi, duke qenë se nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, i mbeti në fuqi dënimi me 10 vjet burg.

 

Ushtarakët

Megjithatë, gjykata duket se është “shfryrë” mbi ushtarakët, me të cilët nuk është treguar e mëshirshme, megjithëse ata nuk akuzohen për vrasje, por për shpërdorim detyre. Drejtësia shqiptare duket se e ka marrë seriozisht precedentin për dosjen e “21 janarit”, ku tre të pandehurit, të akuzuar për vrasje, i shpalli të pafajshëm.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, u dënua nga gjashtë vjet burg me 5 vjet heqje lirie për akuzën e shpërdorimit të detyrës nga kuadri komandues. Gjykata rëndoi pozitat e ish-komandantit të forcave mbështetëse, Zija Bahja, i cili nga i pafajshëm prej Gjykatës së Tiranës u shpall fajtor për shpërdorim detyre dhe u dënua me tre vjet burg, dënimi pezullohet dhe konvertohet në periudhë prove. U shpall i pafajshëm Shpëtim Spahiu, megjithëse ishte dënuar me 4 vjet burg në Shkallë të Parë. Ndërsa Agim Babameto dhe Rezart Tërshana, që ishin shpallur të pafajshëm, u dënuan me 1 vit burg. Besnik Dauti nga i pafajshëm u dënua në Apel me 3 vjet burg.

 

Arsyetimi i vendimit

Gjykata e Apelit e ka publikuar edhe arsyetimin e vendimit. Sipas saj, Gjykata e Tiranës ka gabuar duke mos pranuar faktin se të pandehurit kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, sepse sipas Apelit të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe kontributi i secilit të pandehur tregon nivelin e bashkëpunimit të kryer në bazë të marrëveshjeve të mëparshme. Kolegji Penal vijon më tej duke u shprehur se, Gjykata e Tiranës ka gabuar kur thotë se nuk ka dëm të shkaktuar, sepse nga akti i ekspertimit, sipas Apelit, është dokumentuar masa e dëmit të shkaktuar. Gjykata e Apelit e ka quajtur “të pabazuar në prova dhe në ligj” vendimin e Gjykatës së Tiranës për t’u refuzuar gjykimin e shkurtuar të akuzuarve kryesorë të çështjes, prandaj dhe vendosi t’u ulë atyre një të tretën e dënimit. Në lidhje me akuzën e prokurorisë, që adresoi ndaj katër të pandehurve kryesorë akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, Gjykata e Apelit shton se, Gjykata e Tiranës ka konkluduar drejt me rrëzimin e kësaj akuze.

Më tej, argumenton gjykata, në lidhje me kushtet e sigurisë në punë në fabrikën e demontimit, subjekt i posaçëm për ruajtjen dhe mbikëqyrjen e punës, gjykata ka hequr përgjegjësinë nga MEICO duke ia kaluar atë subjektit të nënkontraktuar, kompanisë amerikane “Sac”. Në lidhje me humbjen e 26 jetëve në Gërdec, Gjykata e Apelit thekson: “Gjykata e Apelit Tiranë çmon se humbja tragjike e jetëve objekt akuze, është pasojë pikërisht e shkeljes të rregullave të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e rendit, sigurisë publike dhe jetës e shëndetit të njerëzve, të mbrojtura në mënyrë të posaçme nga ligji material penal”. Ndërkohë që në lidhje me ish-shefin e Shtabit, Gjykata e Apelit argumenton: “I pandehuri Luan Hoxha kryente detyrën e shefit të Shtabit të Ushtrisë. Posti i lartë që ai mbante përbënte majën e piramidës ushtarake të Republikës së Shqipërisë. I pandehuri Luan Hoxha e dinte se teknologjia që përdorej për demontimin e municionit të kalibrit të vogël, nuk ishte e përshtatshme për demontimin e municionit të kalibrit, objekt i aktit për të cilin akuzohet”. Pavarësisht se mbajti për shumicën e të akuzuarve të njëjtën masë dënimi, edhe ky vendim i fundit i gjyqësorit shqiptar do të hapë një seri polemikash, për shkak se në përfundim të tij të akuzuarit kryesorë përfituan një ulje dënimi.

 

 

 

Reagimet

Policia nuk na lejoi të futeshim në sallë për të dëgjuar vendimin

Familjarët: Gjykata goditi mbi kufoma

Pak pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Apelit kanë reaguar disa prej familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit duke e cilësuar të turpshëm vendimin e trupës gjykuese. Zamira Durda, e cila në tragjedinë e Gërdecit humbi djalin e saj të vogël, tha se “ishte një vendim vërtet turpi”. “Nga arresti i shtëpisë dalin të lirë tani se u bënë 5 vjet dhe këto llogariten. Ishte shumë turp për gjykatën, për vetë këtë trup gjykues që u tregua kaq i padrejtë me këta viktima e që mori guximin përsëri dhe godet mbi kufoma. Ky trup gjykues godet mbi kufoma, ata të vdekur janë, të mbaruar”, tha Zamira Durda, pa fshehur revoltimin e saj. I ashpër ishte edhe gjykimi i Durdës mbi trupin gjykues: “Janë njerëz plehra, nuk ia vlen as t’i zësh me gojë, aq të dekompozuar janë sa të bëjnë pis edhe duart”.

Ndërkohë, pak më vonë, në një deklaratë zyrtare, familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit deklarojnë se e kanë jetuar me indinjatë të thellë të gjithë atmosferën që pararendi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe me dhimbje e mosbesim dispozitivin që përcaktoi dënimet e zbutura për fajtorët e tragjedisë që simbolizon momentin më korruptiv të shtetit.

“Gjykata e Apelit ishte e rrethuar me mbi 100 efektivë të policisë, të cilët patën vullnetin dhe kujdesin të na kontrollonin imtësisht përpara se të futeshim në sallën e gjyqit. Kontrolli ishte i rreptë dhe serioz, por ndaj personave të gabuar, viktimat e vërteta të kësaj ngjarjeje të kobshme. Viktimat e vërteta, pasi kaluan kontrollin serioz të një shteti që nuk ekziston, nuk mundën të dëgjonin vendimin e gjykatës në kushtet normale, për shkak se ngelën jashtë dyerve të sallës ku u mor ky vendim”, pohojnë familjarët. Sipas tyre, situata vazhdoi të ishte jonormale për gjatë gjithë kohës që kryetari i Gjykatës së Apelit dhe kryesuesi i trupës gjykuese lexonte dispozitivin e vendimit. “Më pas, pavarësisht se ishim prezent morëm vesh nga mediat se fajtorët e këtij shpërthimi ishin shpërblyer me ulje të dënimeve deri në masën 30%.

Pamundësia për të pasur drejtësi na bën që t’i drejtohemi opinionit publik, duke e lajmëruar për rrezikun e vërtetë për ta, fëmijët e tyre dhe njerëzit më të dashur. Fakt është që korrupsioni shtetëror dhe privat na vrau në mes të ditës. Fakt është që drejtësia shqiptare krijoi çdo kusht që fajtorët të mos merrnin dënimin e merituar. Fakt është gjithashtu që ende opinioni publik ka dilemën nëse fajtorët, megjithëse të dënuar në masë qesharake, do t’u drejtohen ose jo qelive të burgut. Është e dhimbshme që pas 5 vjetësh rropatjesh në dyert e drejtësisë kemi zbuluar vetëm se jeta vlen shumë pak për viktimat dhe është biznes shumë i mirë për të ashtuquajturin sistem të drejtësisë shqiptare”, përfundojnë ata.

 

 

Deklarata

Policia: Asnjë vendim për arrestimin e të dënuarve

Policia e Tiranës pohon se nuk ka marrë asnjë vendim apo urdhër ndaj personave që u dënuan dje nga Gjykata e Apelit, megjithëse vendimi është i formës së prerë. Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, zyrtarët e policisë pohojnë se nuk ka asnjë mobilizim të agjentëve për arrestimet, apo shoqërimet e këtyre të pandehurve. “Në sekretari nuk ka asnjë vendim apo urdhër për arrestimin”, pohojnë ata, ndërsa saktësojnë se nuk kanë marrë asnjë urdhër për ruajtjen e banesave të këtyre personave.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.