Fyle kundër PD: Jo referendum për tri ligjet, duhet pakt

Postuar në 03 Mars, 2013 03:30

 

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka kundërshtuar dje nismën e Partisë Demokratike për të realizuar një referendum popullor për miratimin e tri ligjeve kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

Në një deklaratë për shtyp, komisioneri Fyle ka theksuar se vendimi i maxhorancës nuk është mënyra e duhur për të ndërtuar konsensusin ndërpartiak dhe se reformat kyçe duhet të miratohen me konsensus midis forcave politike.

“Mora shënim vendimin e maxhorancës qeverisëse për të mbajtur një referendum për miratimin e dy ligjeve dhe Rregullores së Parlamentit që kërkohen për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Unë e kam theksuar në mënyrë të përsëritur se ligjet, dhe në veçanti Rregullorja e Parlamentit, duhet të aprovohen me konsensus mes opozitës dhe qeverisë, dhe për këtë arsye është e vështirë të kuptohet ky vendim që është në kundërshtim me frymën e përfshirjes. Të zgjedhësh referendumin në këtë rast, nuk është mënyra se si ndërtohet konsensusi ndërpartiak. Kjo nuk mund të jetë një mënyrë për të anashkaluar mungesën e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës për axhendën europiane. Kjo nuk është mënyra për të plotësuar kushtet e nevojshme. Unë e kam theksuar në raste të ndryshme që procesi i reformave të lidhura më procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të jetë i qëndrueshëm, i vetëmotivueshëm dhe i udhëhequr nga konsensusi. Vetëm një dialog politik konstruktiv mund t’i çojë përpara reformat e nevojshme”, thuhet në deklaratën për shtyp të zyrtarit të lartë të Brukselit.

Në reagimin e tij, komisioneri Stefan Fyle inkurajon forcat politike që të gjejnë rrugën e dialogut, në mënyrë që të ecet përpara me axhendën europiane të Shqipërisë. “Unë i inkurajoj fuqimisht të gjithë politikanët shqiptarë të gjejnë një marrëveshje se si të ecin më tej me përmbushjen e reformave kyçe, që janë thelbësore për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë”, përfundon deklarata për shtyp e komisionerit Fyle.

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.